June 21

Gjyqtarja Ejona Lazellari konfirmohet në detyrë

0  comments

Gjyqtarja e Fierit, Ejona Lazellari u përball të mërkurën më 21 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur rreth një orë e gjysmë pas përfundimit të seancës dëgjimore, ajo u konfirmua në detyrë. Konfirmimi u vendos nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Brunilda Bekteshin, pas një raporti pozitiv për pasurinë dhe figurën, si dhe konstatimit të disa gjetjeve në kriterin profesional për çështje të denoncuara nga publiku, për të cilat Lazellari dha shpjegime. Seanca u ndoq nga vëzhguesi ndërkombëtar, Francesco Ciardi.

Ejona Lazellari përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe punoi për dy vjet si gjyqtare pranë Gjykatës së Tiranës. Prej vitit 2015, Lazellari e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier.

Relatorja Qirko paraqiti një raport të detajuar për hetimin e kryer mbi një apartament me sipërfaqe 66 m2 + verandë 34.5 m2 në Tiranë, të blerë nga subjekti dhe bashkëjetuesi i saj në vitin 2014, kundrejt çmimit 55 mijë euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie, Lazellari ka deklaruar 15 mijë euro nga të ardhurat e prindërve të përfituara nga shitja e një apartamenti në vitin 2010, si dhe një kredi në vlerën 40 mijë euro.

Në vijim, subjekti ka deklaruar shlyerjen përfundimtare të kredisë në vitin 2016, po me të ardhurat e prindërve të përfituara nga shitja e apartamentit të tyre.

Qirko vërejti se Lazellari ka shënuar në deklaratën para fillimit të detyrës disponimin e një shume monetare prej 60 mijë euro, me burim të ardhurat e siguruara nga prindërit prej shitjes së apartamentit në 2010-ën, kundrejt vlerës 16 milionë lekë. Ajo ka depozituar dokumentacion mbështetës për të vërtetuar të ardhurat e prindërve si dhe konfirmimin e tyre për dhëninen e shumës 60 mijë euro.

Nga analiza financiare e kryer në KPK ka rezultuar se prindërit e subjektit kanë pasur mundësi me burime të ligjshme për krijimin dhe dhënien e vlerës 60 mijë euro. Për rrjedhojë, ka rezultuar se gjyqtarja Lazellari ka pasur mundësi për blerjen e apartamentit dhe shlyerjen e kredisë.

KPK nuk ka gjetur probleme as për një automjet në përdorim të subjektit, të blerë nga babai i nsaj në vitin 2010 për çmimin 13 mijë euro. Qirko vërejti se babai i subjektit e ka blerë makinën përpara fillimit të detyrës dhe se ka pasur mundësi financiare. Po ashtu, ka rezultuar se ai ka qenë në Shqipëri në momentin e lëshimit të autorizimit për përdorimin e mjetit nga e bija.

Sipas Komisionit, Lazellari ka rezultuar me bilanc pozitiv edhe për disponimin e likujditeteve në vlerën 10 mijë euro, me burim të deklaruar po të ardhurat e përfituara nga prindërit prej shitjes së apartamentit.

Edhe bashkëjetuesi ka rezultuar me bilanc pozitiv për blerjen e një automjeti të llojit Benz në vitin 2016 për shumën 400 mijë lekë dhe për likujditete në masën 1000 euro.

Nga analiza financiare e përgjithshme, Lazellari dhe bashkëjetuesi i saj kanë rezultuar me balanca pozitive në çdo vit.

E pyetur nga Qirko se ku e kishte ruajtur vlerën 60 mijë euro që i kishin dhënë prindërit në 2010-ën, përpara se ata të largoheshin për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, subjekti fillimisht nuk dha një përgjigje duke theksuar se u qëndronte shpjegimeve dhe se ishin mbajtur jashtë sistemit bankar. Por, pas insistimit të relatores, ajo pohoi se shuma në fjalë ishte ruajtur në banesën ku kishte jetuar me qira pasi prindërit kishin shitur apartamentin e tyre.

Ajo shpjegoi se prindërit në atë periudhë udhëtonin shesh nga SHBA drejt Shqipërisë. Interesimit të Qirkos se përse nuk e kishte përdorur që në fillim vlerën e dhënë nga prindërit për pagesën e apartamentit por kishte marrë kredi, subjekti iu përgjigjse ata kishin pasur plane të tjera dhe mund të kishin nëvojë për t’i përdorur ato likujditete.

Gjyqtarja Lazellari mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Për profesionalizmin u evidentuan gjetje për katër prej pesë çështjeve të denoncuara nga publiku pranë KPK-së, për të cilat subjektit i janë kërkuar shpjegime.

Një prej denoncuesve ka pretenduar se subjekti ka cënuar të drejtat procedurale në gjykimin ku ka qenë palë, pasi nuk ka hetuar bazuar në provat e dorëzuara prej tij, por ka marrë në konsideratë dokumente të falsifikuara, si dhe ka zvarritur procesin e ka shfaqur mungesë etike për shkak se nuk ka pranuar kërkesat e tij verbale.

Një tjetër denoncues ka ngritur pretendime ndaj subjektit dhe disa gjyqtarëve të tjerë për zvarritje të procesit ku ai ishte palë. Sipas tij, procesi ka filluar që prej vitit 2005 dhe se Lazellari e ka marrë çështjen për shqyrtim në 2015-ën dhe sërish ka sjellë zvarritje, duke mos arsyetuar vendimin për të sjellë humbjen e afateve.

Komisioni konstaton se për këto dy çështje nuk është përmbyllur shqyrtimi gjyqësor brenda afatit standard 6-mujor.

Denoncuesi N.M. ka ngritur pretendime për manipulim të procesit gjyqësor. Ai ka ngritur dyshime se procesverbali audio i seancës së shpalljes së vendimit është fshirë me qëllim, pasi gjyqtarja ka ndryshuar dispozitivin. Sipas denoncuesit, gjyqtarja ka shpallur tjetër vendim nga ai i pasqyruar në dispozitivin e shkruar.

Në denoncimin e katërt për të cilin i janë kërkuar shpjegime subjektit, janë ngritur pretendime se ajo ka referuar në arsyetimin e vendimit një nen të shfuqizuar.

Gjyqtarja Lazellari deklaroi se vonesat asnjëherë nuk kanë ardhur për shkak të saj dhe solli në vëmendje se në vlerësimin e këtij kriteri konsiderohen edhe ngarkesa në punë dhe kompleksiteti i çështjes.

Për një prej çështjeve ku ngrihen pretendime për zvarritje, subjekti shpjegoi se çështja ishte shqyrtuar më parë nga dy gjyqtarë të tjerë dhe më pas i ishte kaluar asaj.

Lidhur me pretendimin e ngritur për fshirjen e regjistrimit audio të seancës së shpalljes së vendimit, subjekti deklaroi se të gjitha seancat ishin regjistruar në audio. Ajo theksoi se aspekti teknik ishte përgjegjësi e sekretares gjyqësore dhe punonjësve të IT-së.

E pyetur nga Qirko se si ishte siguruar se po funksiononte regjistrimi audio gjatë seancaës së shpalljes së vendimit, Lazellari këmbënguli se nuk ishte detyrë e gjyqtarit, por e sekretarit. “Unë jam thjesht gjyqtare”, pohoi Lazellari.

Ajo shpjegoi se i vetmi detyrim që kishte pasur, ishte verifikimi i shtypjes së një ‘gogle’ të kuqe. “Sekretarja nuk më ka njoftuar për probleme teknike”, u shpreh ajo.

Lazellari kundërshtoi pretendimet e ngritura mbi referimin e një neni të shfuqizuar. Sipas saj, nuk ka pasur shfuqizim të këtij neni, por ripozicionim, duke i dhënë të drejtë çdo shkalle të gjyqësorit që të mund të pushonte çështjen.

Në fund të seancës gjyqtarja Ejona Lazellari kërkoi konfirmimin në detyrë, që ishte dhe vendimi i marrë nga trupa e KPK, që u shpall në orën 12:30 të mërkurën më 21 qershor.

 


Tags

Brunilda Bekteshi, Ejona Lazellari, Francesco Ciardi, Gjykata e Rrethit Fier, Gjyqtare, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Laurent Fuçia, Pamela Qirko, Xhensila Pine


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350