July 17

‘Zhdukuni nga këtu’: Gazetarja e “Syri” përballet me presion në Rrogozhinë

0  comments

Gazetarja e “Syri Televizion”, Marsi Korreshi dhe ekipi i saj i xhirimit u penguan ditën e dielë që të raportonin nga Rrogozhina dhe iu bë presion që  të largoheshin që aty, teksa ishin në transmetim direkt për një aktivitet që mendohej se kishte karakter elektoral për zgjedhjet vendore që do përsëriten në këtë bashki më 23 korrik.

Gazetarja Korreshi sqaroi për BIRN se gjendeshin aty që prej mëngjesit për të raportuar për një takim që dyshohej se po zhvillohej nën presion nga kryebashkiaku socialist, Edison Memolla me administratën, infermierët dhe mësuesit në Rrogozhinë, në një lokal në pronësi të familjes Memolla.

“Që në mëngjes ne pamë që ishim nën monitorim nga dy makina, që gjatë gjithë kohës bënin xhiro pranë grupit tonë të xhirimit, na monitoronin se çfarë po bënim,” tha Korreshi.

“Në momentin që unë u bëra gati për një lidhje direkte për të raportuar situatën aty, erdhi një makinë e shtrenjtë dhe një person që më foli shumë keq, ‘zhdukuni nga këtu’ tha se do marr policinë,” shtoi ajo për BIRN.

Në pamjet e transmetuara direkt nga Syri TV, dy persona në momente të ndryshme ndërhynë dhe kundërshtuan faktet e paraqitura nga gazetarët, duke kërkuar të largoheshin dhe duke kapur nga krahu shoferin e televizionit.

Pas njoftimit të policisë nga gazetarët që gjendeshin në rrugë dhe jashtë ambienteve private, policia sqaroi se kishte shoqëruar në komisariat dy shtetasit e përfshirë në konflikt, 65 vjeçarin Arif Memolla dhe 47 vjeçarin Agim Memolla, të dy banues në Rrogozhinë.

“Ata nuk u identifikuan sepse unë i pyeta vazhdimisht që kush jeni që po na kërkoni të largohemi, ata nuk kthenin përgjigje, thonin jemi qytetarë të Rrogozhinës. Por më pas nga verifikimet që bëri televizioni rezultoi që ishin të gjithë rrethi i afërt, familjarët e Memollëve, xhaxhallarët e tij,” sqaroi gazetarja Korreshi.

Gazetarja shtoi gjithashtu se provat ishin publike, ndaj nuk kishte depozituar një kallëzim penal për rastin.

“Nuk doja që të kisha një betejë personale ligjore. Unë e thashë edhe në komisariat që provat janë aty, gjithçka ka qenë publike, i thashë që ata i kanë provat dhe mund të veprojnë, pra ja lashë në dorë policisë për t’u marrë me rastin”, shtoi Korreshi.

Sipas drejtorisë Vendore të Policisë Durrës se për këta 2 persona janë referuar materialet në prokurori për veprën penale; “kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”.

Kryebashkiaku Edison Memolla nuk pranoi ta komentonte ngjarjen dhe njoftoi se do të kishte qëndrim publik në vijim. “Do e merrni qëndrimin, nuk mund ta jap dot në telefon, do e merrni qëndrimin shumë shpejt…në faqen zyrtare,” i tha ai BIRN përmes telefonit.

“Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt” e regjistroi ngjarjen dhe shënoi se: “Ekipi raportoi se u kërcënua dhe u keqtrajtua nga dy individë, të identifikuar si të afërmit e kandidatit të Partisë Socialiste, Edison Memolla”.

Për gazetaren e re, Marsi Korreshi, kjo ishte ngjarja më e rëndë gjatë ushtrimit të detyrës përgjatë katër viteve që punon në media. Korreshi tregoi se kërkuan dhe u shoqëruan nga automjeti i Policisë së Rrogozhinës deri në Kavajë, sepse ndjeheshin të kërcënuar për t’u larguar të sigurt drejt Tiranës.

Edison Memolla mori drejtimin e Bashkisë Rrogozhinë në zgjedhjet pa garë të vitit dhe në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti fitoi me një rezultat shumë të ngushtë ndaj kandidatit Shkëlqim Hoxha, të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, i cili humbi nga “kutia e burgut” që i dha fitoren Memollës, pasi nga 92 vota në total, 80 ishin në favor të tij.

Më pas, Kolegji Zgjedhor vendosi në favor të ankesës së koalicionit opozitar që pretendoi se ishin regjistruar si votues të dënuarit që ishin transferuar në këtë burg pas miratimit të listës së zgjedhësve dhe zgjedhjet do të ripërsëriten të dielën e 23 korrikut.


Tags

Agim Memolla, Arif Memolla, Bashke Fitojme, Bashkia Rrogozhinë, Burgu i Rrogozhinës, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Edison Memolla, Marsida Korreshi, Syri Televizion


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350