Përmes një video ku shfaqet ndër të tjera një karvan makinash policie i filmuar me dron ndërsa udhëton nga Tirana në Elbasan, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 45 personave, shpalljen në kërkim të shtatë të tjerave dhe procedimin penal për 29 të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në shitje dhe trafik narkotikësh.
Policia bëri me dije se të arrestuarit u kapën pas një hetimi tre mujorë, në të cilin u përfshin agjentë të infiltruar të policisë. Ilir Proda, drejtor i policisë në Elbasan tha se hetimet nisën para tre muajsh dhe janë përdorur metoda proaktive. “Në kuadër të të cilit, si rezultat i një pune hetimore tremujore, te ndjekur me metoda proaktive, u bë e mundur goditja e një rrjeti që ushtronin veprimtaritë kriminale të prodhimit, shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe të armëmbajtjes pa leje”, tha Proda.
Në komunikatë për shtyp policia tha se bëhej fjalë për 4 grupe kriminale, një prej të cilëve ishte shkatërruar plotësisht. “Si rezultat i këtij megaoperacioni, është goditur plotësisht një grup kriminal dhe janë goditur pjesërisht 3 grupe të tjera kriminale”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria e Elbasanit, që lëshoi urdhër arrestet, është e rezervuar sa i përket këtij cilësimi. Prokurori Kreshnik Ajazi tha në një bisede telefonike se ende nuk mund të thuhej nëse bëhej fjalë për grupe kriminale në kuptimin ligjor. “Kjo do të vërtetohet gjatë hetimeve, por është një term i përdorur nga policia nga dokumentimi i veprimtarisë kriminale të deritanishme”, tha Ajazi.
Policia vuri në dukje se ishin sekuestruar në aksionin e pagëzuar “Rrjeti”, 1 kilogram e 311 gramë kokainë, 860 gramë heroinë, 1 kilogram e 317 gramë kanabis, mijëra doza kokaine, heroine, kanabisi dhe metadoni, fara kanabisi, një armë zjarri model 56, sasi municioni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, silenciatorë, armë të ftohta, një shumë të madhe parash prej 51 milionë lekësh, 15 mijë euro, si dhe një shumë frangash zviceriane.
Burime në dijeni të hetimit i thanë BIRN se termi “mijëra doza” i përdorur në njoftim u referohej sasive të narkotikëve të blera nga agjentë të infiltruar të policisë dhe sasia e tyre nuk ishte llogaritur ende. Sipas të njëtit burim secilit prej të arrestuarve u ishte blerë nga policia të paktën dy doza narkotiku, që dokumentonte aktivitetin e tyre në shpërndarje.
Operacioni policor, ku morën pjesë rreth 450 punonjës policie, u përqendrua në disa lagje të qytetit të Elbasanit si Vullnetari, 5 Maj, 11 Nëntori, Skëndërbej edhe pse disa prej të ndaluarve nuk banonin në Elbasan por në Cërrik, Belsh, Librazhd, Përrenjas dhe Pogradec dhe banesat e tyre kanë qenë objekt kontrolli.
Drejtuesi Proda thekson se këta shtetas, prej disa vitesh, ushtronin veprimtaritë kriminale. “Ata vepronin të ndarë në disa grupe kriminale dhe kishin ndarë gjithashtu edhe zonat e influencës ku e ushtronin veprimtarinë e tyre kriminale”, tha ai. Nga një analizë e policisë 11 prej tyre kanë qenë të dënuar dhe më parë për krime të kryera në fushën e narko-trafiqeve, ndërsa 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale.