June 6

Gjyqtari Sami Ujkashi thyen rekord me raportet mjekësore në KLGJ

0  comments

Seancat dëgjimore në lidhje me shqyrtimet e tre kërkesave të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, për procedimin disiplinor të gjyqtarit të Kukësit Sami Ujkashi dështuan të zhvilloheshin për të disatën herë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ – ku gjatë gjashtë muajve të fundit shkaku i parashtruar ishte i njëjtë, pamundësia shëndetësore e tij për t’u paraqitur. Si pasojë e mosarritjes së KLGJ-së në një konkluzion lidhur me vendimarrjen e seancës paraardhëse për të verifikuar aftësinë shëndetësore të Ujkashit, seancat dëgjimore u shtynë sërish, pas dorëzimit të raportit të radhës nga gjyqtari i Kukësit.

Prej dhjetorit të vitit 2022, Ujkashi ka mundur t’i shtyjë seancat dëgjimore në KLGJ për proceset disiplinore të ngritura ndaj tij, përmes paraqitjes së raporteve mjekësore. Konkretisht, janë shtyrë seancat e datave 22 dhjetor 2022; 19 janar 2023; 13 shkurt 2023; 6 mars 2023; 5 prill 2023; seanca e datës 8 maj dhe ajo e të martës më 6 qershor.

Zëvendëskryetari i KLGJ-së, Ilir Rusi, i cili drejtoi mbledhjen plenare të marten, sqaroi se gjyqtari Ujkashi ka paraqitur raport mjekësor të vazhdueshëm e të pandërprerë. Ai shtoi, se Ujkashi kishte njoftuar se kishte marrë sërish raport mjekësor dhe se do ta dorëzonte sa më shpejtë të mundej.

Për të pritur raportin e Ujkashit, KLGJ vendosi të kalojë në shqyrtimin e pikave të tjera të përcaktuara në rendin e ditës. Pas rreth afro dy orësh, Rusi shpjegoi për anëtarët e KLGJ-së dhe përfaqësuesit e ILD-së, se në orën 11:40 kishte mbërritur në postën elektronike raporti i ri mjekësor i Ujkashit, që përcakton paaftësi të tij për punë nga data 4 qershor, deri më datë 19 të po këtij muaji.

Duke iu referuar raportit, Rusi vërejti se Ujkashi rezulton i aftë për punë më datë 20 qershor.

Të pyetur për qëndrimin e tyre, përfaqësuesit e ILD-së konstatuan se situata është e njëjtë. Ata sollën në vëmendje se KLGJ nuk kishte marrë një vendim lidhur me kërkesën e tyre për caktimin e një avokati kryesisht për Ujkashin, që sipas tyre do të mundësonte vijimin e procedurës. “Duke qenë se këshilli është investuar për të hetuar gjendjen fizike dhe mendore të gjyqtarit Sami Ujkashi, na mbetet të qëndrojmë në pritje të vendimarrjes së KLGJ-së”, pohoi një prej përfaqësuesve të ILD-së.

Në përfundim, KLGJ vendosi të pranojë propozimin e relatorit të çështjes, Ridvan Hado për shtyrjen e seancave dëgjimore për më datë 21 qershor, në orën 10:00.

Ndaj Ujkashit, ILD ka paraqitur kërkesa për masa disiplinore për tre çështje të ndryshme. Hetimet kanë filluar për shkelje të legjislacionit material, shkelje disiplinore me dashje, si dhe cënim të imazhit të magjistratit dhe të besimit tek sistemi i drejtësisë. Në dy prej procedimeve ILD kërkon veç e veç pezullim nga detyra për dy vjet, ndërsa në një procedim tjetër kërkohet marrja e masës vërejtje publike.

 


Tags

Ilir Rusi, Inspektori i Larte i Drejtesise, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Procedim disiplinor, Raport mjekesor, Sami Ujkashi


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350