June 6

Lumenjtë e Shqipërisë, të ndotur ose shumë të ndotur

0  comments

Qindra tonelata mbetje të ngurta gjenden nëpër grykëderdhjet e lumenjve të Shqipërisë. Mbetjet plastike dhe ato inerte derdhen në det përmes lumenjve, duke shkaktuar një ndotje alarmante.

Por kjo është vetëm pjesa e dukshme.

Një studim i kryer nga INSTAT mbi cilësinë e ujërave të lumenjve për vitet 2014- 2021 tregon nivele të larta të ndotjes në shumicën prej tyre si dhe tejkalim të vlerave të amoniakut dhe orto-fosfateve, si pasojë e derdhjes së ujërave të zeza dhe përdorimit pa kriter të pesticideve në bujqësi.

“Lumenjtë në Shqipëri janë në gjendje të cilësisë së keqe ose shumë të keqe. Kjo vjen nga një sërë faktorësh ndotës, të cilët janë faktorë urbanë. Shkarkimet e pakontrolluara të ujërave të tualeteve, lavamanëve, që kalojnë të patrajtuara në lumenj. Pjesa tjetër është ajo që e shohim, nga mostrajtimi i mbetjeve të ngurta urbane – gjithë qeset plastike, kontejnerët,” thotë Olsi Nika, drejtues i organizatës mjedisore Eco Albania.

“Më pak janë të ndotur lumenjtë nga industria, sepse është e lokalizuar në pjesë të vogla të territorit, gjithmonë nëse i krahasojmë me lumenjtë e tjerë në Ballkan dhe në Europë,” shtoi Nika.

Sipas studimit të INSTAT, ndotja më alarmante gjendet në stacionet e lumit Ishëm, i cili klasifikohet në gjendje të keqe të kategorisë së pestë. Ishmi formohet nga  bashkimi i Lumit të Tiranës dhe përrenjve Tërkuzë dhe Zezë, ndërsa ndotja përfundon në det përmes deltës në kepin e Rodonit.

Pas Ishmit, Semani klasifikohet lumi i dytë më i ndotur në Shqipëri. Kjo për shkak të degës së tij, Gjanicës, ku derdhen mbetje me origjinë nafte dhe nënprodukte të saj nga zonat naftë-nxjerrëse të Marinzë–Patosit dhe ish-uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh. Prej gati 40 vitesh, ujërat e këtij lumi janë nën efektin e ndotjes së vazhdueshme, duke zhdukur çdo formë jete.

Sipas ekspertit Edi Tuka nga organizata lokale “North Green Association”, ndotja nuk është e kufizuar vetëm te këta dy lumenj.

“Të gjithë janë të ndotur, por në nivele të ndryshme. Kjo ndotje vjen nga mbetjet e ngurta urbane, por edhe papërgjegjshmëria e njerëzve që jetojnë pranë këtyre baseneve. Por njëkohësisht duhet theksuar roli i qeverisjes vendore dhe qëndrore, të cilat janë organet kompetente që duhet të kenë rolin kryesor të mbrojtjes së këtyre baseneve nga ndotja,” theksoi Tuka.

Lumenjtë e Shqipërisë u klasifikuan si më të ndoturit në Europë edhe përmes një studimi të mëparshëm të Bashkimit Europian. Megjithatë, ekspertët e mjedisit thonë se mungon vullneti për ta trajtuar këtë problematikë dhe gjendja e tyre vazhdon të injorohet.

“Shumica e bashkive tona nuk kanë kapacitete për të trajtuar mbetjet e tyre të ngurta dhe të lëngëta, nuk kanë kapacitete buxhetore dhe njerëzore. Pastaj mungon edhe vullneti për t’i pasur, sepse mund të mos i kesh një vit ose dy vjet, por jo 30 vjet,” tha Nika.

Ekspertët bëjnë apel për zgjidhje afatgjata me trajtimin e mbetjeve urbane dhe ujërave të zeza, në mënyrë që lumenjtë të rikuperojnë dalëngadalë ekosistemin dhe habitatet e tyre.


Tags

Eco Albania, Edi Tuka, INSTAT, Lumi Gjanica, Lumi Ishëm, Lumi Seman, Ndotja e lumenjve, Olsi Nika, Trajtimi i mbetjeve, Ujërat e zeza


You may also like

Memolla i PS fiton zgjedhjet e përsëritura në Rrogozhinë

Memolla i PS fiton zgjedhjet e përsëritura në Rrogozhinë

KPK largon nga detyra gjyqtarin e Durrësit, Vladimir Skënderi

KPK largon nga detyra gjyqtarin e Durrësit, Vladimir Skënderi
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Use this Bottom Section to Promote Your Offer

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit, sed do eiusmod tempor incididunt ut labore et dolore magna aliqua. Ut enim ad minim