Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën më 7 qershor ndalimin e dy personave të akuzuar se kanë kërkuar dhe marrë para me qëllim që të ndikonin në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për punësimin e një shtetasi.
“Janë krijuar dyshime se shtetasit K.Gj dhe A.B, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime materiale të padrejta, në formën e shumave monetare, me qëllim për të ushtruar ndikim të paligjshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Shumat monetare janë kërkuar dhe janë marrë me qëllim për të bërë të mundur punësimin e një shtetasi në strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve,” sqarohet në njoftimin e SPAK.
Hetimi ndaj dy të ndaluarve ka filluar në vitin 2021 për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim dhe të martën më 6 qershor 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, ka pranuar kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tyre që është ekzekutuar po të martën nga policia gjyqësore.