Raporti vë në dukje se në vitin që shkoi AMA është përballur me 310 ankesa për probleme të përmbajtjes, që sipas Krasniqit tregon refleksion të kërkesave që ka publiku për një ofertë cilësore nga mediat audiovizive.
“Një prej detyrave më të rëndësishme është shqyrtimi tematik i përmbajtjeve”- tha ajo duke premtuar rishikimin e kodit të transmetimit nga ana e institucionit.
“Nga shqyrtimi i këtyre ankesave ka pasur shkelje të të drejtave të fëmijëve në masën 32 %, shkelje të të drejtave të njeriut dhe etikës së komunikimit në masën 38 %, të drejtën e përgjigjes në 2 %”- raportoi ajo.
Kryetarja e Komisionit Flutura Açka ngriti shqetësimin dhe kërkoi zgjidhje nga AMA se si mund të zgjidhej ligjërisht problematika e përmbajtjes të dhunshme, orientimi i programacioneve tek politika dhe lënia në periferi e kulturës apo sportit.
“Çfarë mund të bëjmë që televizionet kombëtare të mos merren vetëm me vrasje, apo vetëm me politikë dhe kulturën e lënë periferike”- pyeti ajo Krasniqin duke shtuar se “nuk është e shëndetshme ajo që i ofrojmë publikut”.
Krasniqi tha se si individ ndante të njëjtin shqetësim me të, por se nga ana tjetër ligji për lirinë e medias nuk i lejonte AMA-s të ndërhynte në atë që ajo e quajti “liria editoriale”.
“Me ligjin aktual ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në lirinë editoriale të asnjë media, parim i shenjtë”- tha ajo duke propozuar komisionet si zgjidhje konsultim publik me mediat dhe drejtorët e programacioneve apo informacioneve për këtë shqetësim.
Në lidhje me masat që merr AMA në rastet e shkeljes së etikës në media për gjuhën diskriminuese apo të drejtat e fëmijëve, ajo tha se institucioni kishte reaguar në shumë raste.
“Ne çojmë tërheqje vëmendje televizioneve kur konstatojmë material të papërshtatshëm dhe nëse situata përsëritet marrim masa me gjoba”- tha ajo, duke shtuar se priste që situata mund të përmirësohej me transpozimin e dispozitës europiane në ndryshimet ligjore dhe masat që do të merren nga platformat ku shpërndahen video me përmbajtje të papërshtatshme.
Në raportin e dorëzuar në Kuvend ishin cituar disa shembuj kur AMA kishtë dërguar tërheqje vëmendje për televizionet kombëtare për shkelje etike në emisionet e tyre.
Relatorja e opozitës për raportin, deputetja Ina Zhupa risolli në kujtesë zgjedhjen e Krasniqit në krye të AMA-s dhe e akuzoi atë për “preferenca politike në drejtimin e institucionit”.
Zhupa kërkoi të dinte sepse AMA nuk ishte më aktive në mbrojtjen e gazetarëve nga intimidimi dhe cënimi i integritetit moral e fizik i tyre në ushtrimin e profesionit.
“Në raportin e AMA-s përmendet vetem një rast ku AMA gjatë muajit mars 2022, përcolli me shqetësim rastin e keqtrajtimit me kanosje të një gazetareje dhe kameramanit që e shoqëronte, nga redaksia e emisionit “Fiks Fare”, nga dy punonjës të një stabilimenti shpendësh në Durrës. Nderkohe qe ne disa raporte nderkombetare theksohet kjo problematikë dhe AMA nuk reagon ndaj rasteve të tjera” – tha Zhupa.
Sipas Krasniqit AMA ka pasur rol proaktiv dhe ka shprehur publikisht qëndrimin e saj kundër kanosjes së gazetarëve në detyrë duke kërkuar respektimin e të drejtave të gazetarëve, duke marrë shkas nga rasti i përmendur në raport.
Relatorja e mazhorancës, Enslemvera Zake, u shpreh se “portale dhe faqe online që operojnë pa autorizim, pa u identifikuar pronësia dhe bëhen shënjestër për denigrimin e personave në fusha të ndryshme”
Ajo i kërkoi AMA-së që, -“të luajë një rol më të rëndësishëm për këtë çështje”.
Edhe deputetë të tjerë ngritën shqetësimin e anonimatit në internet dhe kontrollit të gjuhës denigruese në mediat online, por Krasniqi u kujtoi se kontrolli i portaleve nuk ishte detyrim ligjor i institucionit që ajo drejtonte.