June 20

ONM rekomandon ankimin e konfirmimit të Besnik Hoxhës

0  comments

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM paraqiti të martën më 20 qershor pranë Komisionerëve Publikë rekomandim për ankimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës, Besnik Hoxha.

Hoxha u konfirmua në detyrë më 18 maj me shumicë votash, pas një seance dëgjimore ku u evidentuan barra prove për pasurinë, figurën dhe profesionalizmin. Përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Antoneta Sevdari iu përgjigj pyetjeve të Komisionit që lidheshin me mosdeklarimin e një adrese banimi në Tiranë për një kohë të gjatë si dhe për pretendimin se kishte jetuar në Shkodër për një periudhë kohe.

Po ashtu, u dhanë shpjegime për një kontratë përdorimi të apartamentit, të dhënave për një huadhënës dhe për pamundësitë financiare në ndërtimin e një shtëpie 3-katëshe në Shkodër. KPK i kishte kaluar barrë prove Hoxhës edhe në lidhje me vendimarrjen e për një çështje për vrasje, ku ai kishte qenë pjesë e trupit gjykues.

Besnik Hoxha e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë e gjysmë si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Prej vitit 2010, Hoxha e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.

ONM vlerëson në rekomandim se disa çështje, veçanërisht ato të lidhura me asetet dhe aftësitë profesionale, nuk janë adresuar siç duhet nga KPK.

“Kjo e bën vendimin të paqartë, jo të bazuar në provat e disponueshme dhe duke u shmangur nga standardet e vendosura dhe të ndjekura nga KPK, në praktikën e saj aktuale dhe nga parimet dhe udhëzimet e vendosura nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit,” citohet në rekomandim.

Sipas ONM-së, subjekti nuk arriti të kundërshtonte barrën e provës mbi disa gjetje thelbësore mbi rezultatet e hetimit dhe se ai u përpoq vazhdimisht të shpërqendronte Komisionin në hetimin e tij.

“Pavarësisht kësaj, KPK pranoi të gjitha shpjegimet e pabazuara të dhëna me shkrim nga ana e subjektit të rivlerësimit,” konstaton ONM dhe sjell në vëmendje faktin se Hoxha u konfirmua në detyrë me shumicë votash.

Për një godinë banimi trekatëshe në Shkodër, Komisioni konstatoi gjatë hetimit paraprak se dukej se kishte mospërputhje mes deklarimeve të subjektit sa i përket periudhës së ndërtimit të banesës; se nuk ka deklaruar investimet e kryera përgjatë viteve 2003 – 2007 dhe se kishte mungesë burimeve të ligjshme në masën 3.4 milionë lekë për kryerjen e punimeve. Edhe nëse periudha e investimeve do të konsiderohej sipas shënimeve të subjektit në deklaratën “veting”, 2003-2013, sërish do të rezultonte pamundësi në shumën 3.2 milionë lekë. Po ashtu, është konsideruar jo bindës pretendimi se mobilimi i banesës trekatëshe ka kushtuar vetëm 300 mijë lekë.

Pas rikryerjes së analizës financiare bazuar në shpjegimet dhe provat përfundimtare të dorëzuara nga subjekti, bilanci negativ është reduktuar. Shumica e trupës së KPK e përbërë nga kryesuesja Valbona Sanxhaktari dhe relatori Lulzim Hamitaj, ka arritur në konkluzionin si sipas të dy varianteve të analizës financiare, balancat negative do të rezultonin në vlerat 1.1 milionë lekë ose 1.4 milionë lekë. “…Duke mbajtur në vëmendje që kjo pamundësi do të zvogëlohej nëse do të përllogariteshin të ardhurat e përfituara nga puna e subjektit si OPGJ, përgjatë periudhës 1991 – 1997, si dhe kryesisht duke u bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit – çmon se kjo pamjaftueshmëri financiare nuk përbën shkak për marrjen e masës disiplinore ndaj subjektit,” citohet në vendimin e shumicës.

Anëtarja në pakicë, Genta Tafa Bungo konstaton se mungesa e një deklarimi të saktë të sipërfaqes ndër vite, e shoqëruar me mungesë deklarimi, si dhe mungesë të dokumentacionit për shpenzimet e ndërtimit, krijojnë pengesa në përllogaritjen totale të shpenzimeve të kryera nga subjekti për ndërtimin e kësaj pasurie.

“Kjo e vendos Komisionin në vështirësi për përllogaritjen dhe kryerjen e një analize financiare për subjektin, ndërsa subjektin në kushtet e një mungese të bashkëpunimit të plotë,” shprehet ajo dhe vlerëson se Hoxha ka mungesë burimesh financiare në shumën 2,7 milionë lekë për krijimin e kësaj pasurie dhe se ka kryer deklarim të pasaktë ndër vite me qëllim fshehjen, qoftë edhe në mënyrë të pjesshme të pasurisë.

ONM konstaton se KPK vendosi të pranonte të gjitha pretendimet e subjektit, edhe pse pa asnjë provë mbështetëse dhe rrëzoi analizën financiare që i ishte njoftuar paraprakisht.

Në vijim, ONM analizon edhe konkluzionin e shumicës së KPK-së për aplikimin e parimeve të objektivitetit dhe proporcionalitetit.

“Është një praktikë e mirëpërcaktuar tashmë që parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit zbatohen për zgjidhjen e të gjithë çështjes dhe jo për gjetjet specifike në arsyetimin e vendimit,” vlerëson ONM dhe shton se këto parime nuk duhet tek merren si të veçanta për mbuluar pasaktësitë dhe pamjaftueshmëritë e subjekteve të rivlerësimit.

ONM ndan qëndrim të njëjtë me pakicën edhe për një apartament në Tiranë të përdorur nga subjekti. Hoxha ka pasqyruar në deklaratën “veting” përdorimin e këtij apartamenti, bazuar në dy marrëveshje bashkëpunimi të viteve 2010 dhe 2016, me shtetasen P.M.

Bungo konstaton se gjatë hetimit, në lidhje me këtë pasuri ka rezultuar se subjekti ka dhënë vendim në vitin 2010, me palë shtetasen P.M.. Sipas vendimit të Hoxhës për këtë banesë, ka rezultuar se në mars të 2010-ës ka ndërruar jetë shtetasi A.M. dhe 20 ditë më vonë subjekti ka lëshuar dëshminë e trashëgimisë për të ndjerin. Në muajin gusht, gjyqtari Hoxha ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me bashkëshorten e të ndjerit, shtetasen P.M., për t’i lënë asaj në përdorim banesën trekatëshe në Shkodër në këmbim të përdorimit nga ana e tij të banesës në kryeqytet.

Hyrja në marrëdhënie kontraktuale në mënyrë të përsëritur me palën që ka përfituar nga një dëshmi trashëgimie e lëshuar prej tij në një kohë shumë të shkurtër, vlerësohet nga Bungo në cënim të etikës e sjelljes së një magjistrati. “…Duket sikur ky subjekt përdor informacionin që merr për shkak të detyrës, për interesa personale,” shprehet ajo.

Bazuar në të dhënat e hetimit administrativ, Bungo konstaton se subjekti ka jetuar në apartamentin e shtetases M. deri në vitin 2016, kur kjo e fundit ka blerë një tjetër banesë në Tiranë, ku dhe është zhvendosur gjyqtari Hoxha dhe familja e tij. Ndërkohë, ka rezultuar se në vitin 2011 subjekti ka porositur tek një shoqëri ndërtuese një apartament në vlerën 225 mijë euro, fakt që Hoxha nuk e ka deklaruar as në 2011-ën dhe as në deklaratën “veting”.

Si burim për porosinë e këtij apartamenti subjekti ka pretenduar një hua të marrë nga shtetasi Ç.T., i cili ka rezultuar me bilanc negativ në shumën 595 mijë lekë.

“Nga ana tjetër, fakti që pasi u tërhoq nga blerja e këtij apartamenti subjekti, huadhënësi e blen këtë apartament, në vlerësimin tim, e gjithë procedura e huamarrjes dhe pastaj tërheqja nga blerja nga ana e z. T janë veprime fiktive me qëllim fshehjen e së vërtetës,” vlerëson Bungo dhe shton se në vitin 2016, subjekti ka lidhur marrëveshje të re bashkëpunimi me znj. M. për përdorimin e apartamentit të ri të saj.

“Në përfundim, duke analizuar të gjitha këto veprime që lidhen me apartamentin e deklaruar në përdorim nga subjekti, unë çmoj se kemi të bëjmë me veprime fiktive, lëvizje të paarsyeshme dokumentare, të cilat kanë si qëllim fshehjen e gjurmëve të pronësisë reale të kësaj pasurie. Unë vlerësoj se ky apartament është pronësi e fshehur e subjektit”, çmon Bungo.

Bazuar në provat dhe faktet e administruara gjatë hetimit administrativ, edhe ONM vlerëson se subjekti i vlerësimit ka ndërmarrë hapa për të fshehur këtë pasuri në kundërshtim me ligjin. Sipas ONM, Hoxha nuk arriti dot të kundërshtonte barrën e provës ashtu si ka vlerësuar shumica dhe se bazuar në këto rrethana prezumohet masa displinore e shkarkimit nga detyra.

Në vijim, ONM vlerëson se se Hoxha nuk ka pasur mundësi për kryerjen e një pagese në shumën 107 mijë euro në vitin 2011 për blerjen e një apartamenti; si dhe nuk ka deklaruar makinat në përdorim në kundërshtim me ligjin.

ONM kundërshton edhe analizën financiare të Komisionit, i cili ka konkluduar një bilanc negativ total në vlerën 1.2 milionë lekë. Në rekomandim thuhet se bazuar në të dy versionet, balanca negative është mbi 20 milionë lekë.

Po ashtu, ONM sjell në vëmendje se hetimi administrativ identifikoi pesë raste të mundshme konflikti interesi dhe vlerëson se subjekti gjatë hetimit administrativ u përpoq ta bënte konfuz Komisionin, duke paraqitur të dhëna false.

Sipas ONM-së, konsiderimi i gjithë elementëve të konstatuar gjatë hetimit administrativ mund të sjellë shkarkimin e Hoxhës. Në përfundim, vëzhguesit ndërkombëtarë i kërkojnë institucionit të Komisionerëve Publikë që të kryejnë ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.


Tags

Antoneta Sevdari, Besnik Hoxha, Genta Tafa Bungo, Gjykata e Rrethit Tiranë, Gjyqtare, Komisioneri Publik, lulzim hamitaj, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, Valbona Sanxhaktari


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350