Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të mërkurën më 21 qershor vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Albano Çepele. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPA e kryesuar nga gjyqtarja Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Mimoza Tasi e Sokol Çomo, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Çepeles ndaj vendimit të Komisonit të Pavarur të Kualifikimit, KPK.
Albano Çepele u shkarkua nga detyra më 20 nëntor 2020 pasi KPK konstatoi probleme në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit.
Albano Çepele mori titullin Jurist nga Universiteti i Tiranës në qershor të vitit 1997 dhe në janar të 98-ës u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, ku e ushtroi funksionin deri në tetor vitit 2003. Më vonë ai u transferuaa në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër ku shërbeu deri në shkarkimin e tij nga detyra.