Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK paraqiti më 18 maj konkluzionet përfundimtare ndaj nëntë të pandehurve për aferën korruptive në incineratorin e Elbasanit dhe kërkoi 38 vjet burg në total për të gjithë të akuzuarit. Mbrojtësit e të pandehurve kërkuan atëherë kohë për përgatitjen dhe paraqitjen e diskutimeve përfundimtare, megjithatë për shkak tyre janë shtyrë tre seanca radhazi, e fundit të enjten më 22 qershor. Vetëm përfaqësuesi ligjor i të pandehurës Jonida Zeqo ishte i gatshëm dhe paraqiti konkluzionet për të mbrojturën prej tij, ndërsa avokatët e tjerë nuk ishin i kishin përgatitur dhe kërkuan më shumë kohë.
Nga sa u relatua të enjten dhe nga kryesuesja e trupës gjykuese, gjyqtarja Elsa Ulliri, seancat e mëparshme të datave 1 dhe 8 qershor, janë shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve të të pandehurve.
Ajo sqaroi se pak ditë më parë, një prej avokatëve të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka kishte kërkuar që të merrte disa fashikuj me pretendimin se prokuroria nuk i kishte vendosur në dispozicion. Përfaqësuesi tjetër ligjor i Kokës, avokati Julian Mërtiri sqaroi se i kishin marrë kopjet e fashikujve nga gjykata dhe po i studionin. Ai kërkoi më shumë kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Ulliri bëri me dije se kishte parashtruar një kërkesë Raiffeisen Bank, e cila kërkonte të merrte pjesë në proces si palë e tretë. Kërkesën për t’u bërë palë në process, kjo bankë e argumentonte me faktin se ish-ministri Koka kishte marrë kredi dhe kishte vendosur si kolateral një prej pasurive në zotërim të këtij të pandehuri, për të cilat prokuroria kërkoi të konfiskohet.
I pyetur nga gjykata për qëndrim lidhur me këtë kërkesë, prokurori i çështjes Klodian Braho deklaroi se nuk kishte arsye që banka të ishte palë në këtë proces penal, ndërsa avokati i Kokës, Julian Mërti e la në çmim të gjykatës.
Gjyqtarja Ulliri konstatoi se ishte kërkesë e përsëritur dhe se gjykata e kishte rrëzuar më parë. Ajo shpjegoi se koncepti i ndërhyrjes si palë e tretë nuk njihet në procesin penal.
Në vijim, pas ftesës së gjyqtares drejtuar avokatëve për të paraqitur konkluzionet, avokati Saimir Visha parashtroi qëndrimin përfundimtar përtë mbrojturën prej tij, të pandehurën Jonida Zeqo. Ai u shpreh se kjo çështje ishte e gjykuar më parë në Elbasan dhe se ishte gjë e gjykuar. Ndërkohë, pretendoi se në veprimet e Zeqos nuk kishte elementë të veprës penale. Visha argumentoi se Zeqo vetëm sa kishte hartuar një draft duke mos sjellë asnjë pasojë. Sipas tij, drafti nuk mund të kishte efekt pa u legalizuar nga Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave. Ai kërkoi pushimin e çështjes ndaj Jonida Zeqos. Sipas Vizhës, në rast se do të gjendej fajtore, të konsiderohej si masë dënimi periudha që ajo ka qendruar në arrest shtëpie ose të konvertohet dënimi me shërbim prove.
Pasi avokatët e tjerë kërkuan më shumë kohë, gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 6 korrik, në orën 09:00.