June 29

KPK: Gjyqtari Petraq Çuri cënoi besimin e publikut tek drejtësia

0  comments

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 12 maj 2023 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Durrësit, Petraq Çuri, pasi konkludoi se ai kishte kryer deklaruar deklarim të paplotë e të pamjaftueshëm për pasurinë, si dhe se kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia me qëndrimin e tij gjatë hetimit administrativ.

Qëndrimi jo bashkëpunues dhe dorëzimi të dhënave të pavërteta për të përmirësuar situatën financiare pas konstatimit të balancave negative në vlera të mëdha për periudhat para dhe gjatë ushtrimit të detyrës, u vlerësuan si sjellje që cënojnë besimin e publikut të një funksionari të drejtësisë.

Rivlerësimi i Çurit u përfundua vetëm për kriterin e pasurisë dhe vendimi për shkarkimin e tij u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Suela Zhegu.

Petraq Çuri e ka nisur karrierën si avokat në vitin 1993 dhe ka punuar në këtë profesion deri në 2010-ën, kur u emërua gjyqtar. Prej vitit 2010 e deri në shkarkimin e tij nga detyra, Çuri e ushtroi funksionin e gjyqtarit në Durrës.

Zvarritja e procesit

Komisioni vlerëson se gjyqtari Petraq Çuri nuk ka qenë bashkëpunues në procesin e rivlerësimit të kryer ndaj tij, pasi ai nuk është përgjigjur në kohë gjatë gjithë procedurës së hetimit administrativ, duke kërkuar vazhdimisht shtyrjen e afatit për kthimin e përgjigjes së pyetësorit të dërguar në fund të janarit 2023.

Në vendim thuhet se, pasi KPK e ka shtyrë tre herë afatin, sërish Çuri nuk ka dhënë përgjigje të plota, si dhe nuk ka depozituar dokumentacionin e kërkuar nga Komisioni. Ai ka vijuar të mbajë të njëjtin qëndrim edhe pas dërgimit të rezultateve të hetimit në fund të muajt mars, duke kërkuar sërish kohë shtesë tre muaj dhe më pas deri më datë 3 maj. Pas pranimit të kërkesës së fundit, ka kërkuar sërish dhe një muaj afat.

Ndërkohë, Çuri ka revokuar në muajin prill prokurorën e posaçme të përfaqësimit për një avokat, pasi Komisioni i ka vënë në dukje se ai e kishte një përfaqësues ligjor që mund të kryente mbrojtjen e tij dhe se kërkesa për shtyrjen e afatit nuk ishte e mbështetur.

“Të gjitha afatet e kërkuara nga subjekti përfundonin në qershor të këtij viti, muaj i cili përkon me mbushjen e moshës për të dalë në pension, pasi subjekti është i datëlindjes 13.6.1956. Trupi gjykues krijoi bindjen se subjekti ka pasur për qëllim që procesi i kontrollit të verifikimit të pasurisë të shtyhet deri në datën e mbushjes së moshës për të dalë në pension, me qëllim shmangien e tij nga ky proces, duke prodhuar një rezultat në favor të tij”, vlerëson KPK dhe shton se kjo mungesë bashkëpunimi e ka vendosur Komisionin në kushtet e pamundësisë për kryerjen e plotë e të detajuar të procesit të rivlerësimit të pasurive të subjektit dhe personave të lidhur me të.

Pasuria  

Gjatë seancës dëgjimore më 10 maj, Çuri dha shpjegime për balancat negative në vlera të mëdha para fillimit të detyrës kur ai ushtronte detyrën e avokatit, si dhe gjatë periudhës kur ka ushtruar funksionin e gjyqtarit. Nga verifikimi dokumentacionit të dorëzuar nga subjekti, Komisioni ka konstatuar se ka pasur raste kur deklaratat noteriale nuk përmbanin të dhëna të vërteta.

“Subjekti, më shumë se një herë, ka paraqitur dokumente që nuk përmbajnë të dhëna të vërteta me qëllim arritjen e një rezultati pozitiv të procesit të tij të rivlerësimit”, citohet në vendim.

Në vijim KPK vlerëson se Çuri ka kryer deklarim të rremë në lidhje me të ardhurat nga dhënia me qira e dhomave për fjetje gjatë periudhës së verës. Po ashtu, konkludohet se subjekti ka tentuar për të fshehur apo paraqitur në mënyrë të pasaktë llogaritë bankare, si dhe shpenzimet e shkollimit, akomodimit dhe jetesës së vajzës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, po me qëllimin që procesi i kontrollit e verifikimit të pasurisë, të prodhonte një rezultat në favor të tij.

KPK arsyeton dhe mbi faktin e kryerjes së analizës për pasuritë e krijuara përpara fillimit të detyrës. Bazuar në jurisprudencën e KPA, trupa e Komisionit vlerëson se institucionet e rivlerësimit kontrollojnë burimin në të shkuarën për të cilin është krijuar pasuria e pasqyruar në deklaratën “veting”, në funksion të integritetit, për të përcaktuar përshtatshmërinë e subjektit për funksione publike.

Në përfundim të hetimit administrativ, KPK konkludoi se Çuri dhe personat e lidhur me të kanë pasur mungesë të burimeve të ligjshme në vlerën 42.6 milionë lekë për të justifikuar krijimin e pasurive përpara detyrës, të cilat janë pasqyruar në deklaratën “veting”.

Trupa shprehet se për të qenë sa më ezaurues me subjektin, është kryer një analizë hipotetike duke u bazuar dhe në pretendimet e tij, por sërish ka rezultuar bilanc negativ në shumën 15.2 milionë lekë. Komisioni shtoi, se edhe sikur në këtë analizë të hiqeshin shpenzimet jetike të vajzës së subjektit në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe një godinë të konsiderohej në vlerën 15 milionë lekë dhe jo 20 milionë lekë sa pasqyrohej në dokumentacionin e kolaudimit, sërish do të kishte një rezultat negativ të konsiderueshëm.

Gjyqtari Petraq Çuri ka rezultuar me balancë negative në vlera të mëdha edhe gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës. Nga analiza financiare e kryer në KPK për këto vite, është konkluduar pamundësi financiare në shumën 26.4 milionë lekë.

Edhe në këtë rast Komisioni ka kryer një analizë hipotetike duke u bazuar në pretendimet e subjektit, por sërish ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën 6.1 milionë lekë.

“Edhe sikur të mos përfshihen shpenzimet jetike të vajzës së tij, sërish pamundësia financiare është në një vlerë të konsiderueshme, e cila e kombinuar me pamundësinë financiare përpara detyrës, me mungesën e bashkëpunimit të subjektit, si dhe me përdorimin nga ana e tij të deklaratave që nuk përmbajnë të dhëna të vërteta, e bëjnë të pamundur zbatimin e parimit të proporcionalitetit”, citohet në vendim.

Në përfundim të vlerësimit të kriterit të pasurisë, KPK konkludon se gjyqtari Çuri ka kryer deklarim të pasaktë të pasurive dhe burimeve të ligjshme të tyre; se ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e tyre; si dhe se ai është përpjekur të fshehë ose t’i paraqesë në mënyrë të pasaktë ato.

Cënimi besimit të publikut

Në vlerësimin tërësor të pasurisë, Komisioni shprehet se rezultojnë disa rrethana, të cilat, të analizuara së bashku e të para në harmoni me njëra-tjetrën, tregojnë për një sjellje të papranueshme të subjektit për të pasur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe te roli i tij si një funksionar i denjë i këtij sistemi.

KPK rendit në vjim rrethanat ku e bazon këtë vlerësim, si qëndrimin jobashkëpunues gjatë procesit të rivlerësimit; paraqitjen prej tij të deklaratave apo dokumenteve që nuk përmbajnë të dhëna të vërteta; zvarritjen e procesit; si dhe tentativat për të fshehur apo paraqitur në mënyrë të pasaktë disa llogari bankare, si dhe një pjesë të shpenzimeve, me qëllim që të arrihej një rezultat në favor të tij.

“[…]Subjekti, përveçse nuk është treguar bashkëpunues për dhënien e informacionit të kërkuar nga Komisioni, në kuadër të hetimit, duke u përgjigjur në disa raste se nuk mban mend apo nuk disponon dokumentacion, por nuk ka treguar një sjellje korrekte gjatë procesit të rivlerësimit,” shprehet KPK.

Sipas Komisionit veprimet e tij të krijojnë bindjen se nuk kanë pasur për qëllim zhvillimin e një procesi të rregullt, por zvarritjen e këtij procesi rivlerësimi, deri në pamundësimin e tij, gjë që konstatohet dukshëm me kërkesat e vazhdueshme, të përsëritura dhe haptazi të pabazuara, para dhe pas dërgimit të rezultateve të hetimit.

“Subjekti gjatë gjithë procesit është përpjekur për ta shtyrë atë deri në qershor të vitit 2023, kohë në të cilën mbushte moshën për të dalë në pension, me qëllim shmangien e procesit të rivlerësimit”, theksoi KPK, ndërsa shtoi se Çuri, qoftë edhe vetëm me këtë mënyrë sjelljeje, ka cënuar besimin e publikut te një funksionar i drejtësisë, duke e bërë këtë situate si shkak autonom për shkarkimin nga detyra.


Tags

Genta Tafa Bungo, Gjykata e Rrethit Durrës, gjyqtar, Gjyqtare, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisioni i Pavarur Kualifikimit, KPK, Petraq Çuri, Suela Zhegu


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350