June 30

Mbyllja e vetingut për kreun e KLP-së ankimohet në Kolegj

0  comments

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të premten më 30 qershor vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për përfundimin e vetingut pa një vendim përfundimtar dhe pa sanksion ndaj kreut aktual të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla.

Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të ushtrimit të detyrës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri më 31 korrik të vitit 2017.

Ballhysa e cilëson vendimarrjen e shumicës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese dhe kërkon ndryshimin, ku veç ndërprerjes së vetingut, kërkoi që ndaj Ballës të caktohet edhe sanksioni që i ndalon emërimin në disa pozicione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, përfshi dhe funksionin që ai mban aktualisht.

Përmes një reagimi të shpërndarë me Ëhatsapp, kreu i KLP-së, Alfred Balla tha se ankimi i komisionerit “e kishte habitur”, pasi sipas tij ishte ndjekur një praktikë tjetër për rastet analoge.

Balla shtoi se nuk ishte larguar me dorëheqje nga detyra si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, por ishte liruar. Sipas tij, procedura e e vetingut si këshilltar duhej të ishte pushuar pa vendim përfundimtar para 5 viteve.

I pyetur nga BIRN nëse kjo situatë ndikonte në ushtrimin e funksionit të tij si anëtar dhe kryetar i KLP-së, Balla tha se “s’ka lidhje”.

Kreu i KLP-së, Alfred Balla ishte sipas legjislacionit në fuqi subjekt i vetingut për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017 dhe duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit.

Por, dy prej anëtareve në shumicë, kryesuesja Xhensila Pine dhe relatorja Alma Faskaj, vlerësuan se Balla nuk ishte më subjekt rivlerësimi dhe se procesi i tij duhej mbyllur pa vendim përfundimtar. Pine dhe Faskaj arsyetuan se Balla nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe se statusin e kishte humbur për shkak se ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017.

Në pakicë, komisionerja Valbona Sanxhaktari paraqiti mendim paralel. Ajo vlerësoi të rëndësishëm statusin ligjor në të cilin është gjendur subjekti në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për vetingun e magjistratëve, si dhe vullneti apo qëndrimi i Ballës në raport me ecurinë e procesit të rivlerësimit. Sipas saj, Balla ose duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose duhej t’i nënshtrohej dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vetingut me sanksionim 15-vjeçar.

Argumentet e ankimit

Komisioneri Ballhysa e cilëson të pabazuar në situatën faktike vendimarrjen e shumicës së Komisionit. Ai sjell në vëmendje qëllimin e përcaktuar në Kushtetutë për procesin e vetingut, atë të funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe rikthimit të besimit të publikut tek drejtësia. Po ashtu, në arsyetimin e tij bazohet në jurispudencën e Kolegjit dhe në gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar të paraqitura në KPK në qershor të vitit 2022.

Ballhysa konstaton se vëzhguesi ndërkombëtar është shprehur se Balla ishte subjekt rivlerësimi në kohën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese që rregullonin procesin e rivlerësimit. Në ankim evidentohet fakti se Balla ka ndërmarrë një betejë ligjore me Gjykatën e Lartë lidhur me lirimin e tij nga detyra, që e ka fituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, ndërsa në Apel ka pretenduar njohjen e statusit si këshilltar ligjor jomagjistrat, duke pranuar se e ka statusin e subjektit edhe pasi është liruar nga detyra nga kryetari i Gjykatës së Lartë.

Gjykata ka vendosur gjithashtu se Balla e ka humbur statusin e këshilltarit ligjor vetëm kur u zgjodh si anëtar i KLP-së në vitin 2018, si dhe i është dhënë e drejta të përfitojë pagesën si këshilltar ligjor deri në atë moment.

“Në një situatë ku z. Balla nuk do ishte liruar (jo ligjërisht) nga detyra e tij, ai do ushtronte shërbimin në sistemin e drejtësisë. Fillimisht, në Gjykatën e lartë (si Këshilltar ligjor jo magjistrat) dhe më pas në Këshillin e Lartë të Prokurorisë si magjistrat. Por në të dyja rastet, ai do mbante statusin si subjekt rivlerësimi dhe do ishte nënshtruar procesit të rivlerësimit”, pasqyrohet në ankim mendimi i ONM.

Bazuar në opininion e ONM-së, trupa e KPK-së ka vazhduar procedurën e vetingut për Ballën duke e konsideruar subjekt rivlerësimi, si dhe ka i dërguar atij dy pyetësorë në drejtim të vlerësimit të pasurisë, procedurë e cila ka zgjatur deri më datë 30 maj të vitit 2023, kur Komisioni i ka dërguar subjektit rezultatet e hetimit, duke konkluduar me përfundimin e procesit të rivlerësimit pa vendim përfundimtar.

Referuar akteve në fashikullin e Komisionit, Ballhysa vlerëson se që prej momentit kur vëzhguesi ndërkombëtar ka paraqitur mendimin e tij dhe kur trupa e KPK ka vendosur ta vijojë procesin, e deri në paraqitjen e rezultateve të hetimit afro një vit më vonë, nuk ka ndryshuar ndonjë rrethanë që të mund të dilej me një përfundim të ndryshëm, duke konstatuar se Balla nuk e gëzonte më cilësinë e subjektit të rivlerësimit.

Ai shton se sipas praktikës së konsoliduar të Kolegjit, në momentin kur fillonte procedura e rivlerësimit, jo domosdoshmërisht subjektet e rivlerësimit mbanin të njëjtën detyrë funksionale për të cilën ex officio, Kushtetuta dhe ligji i kishte parashikuar si të tillë.

Komisioneri Publik vlerëson se Alfred Balla e ka fituar statusin ligjor të subjektit të rivlerësimit, që në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese e, për pasojë, do të duhej t’i nënshtrohej ex officio procesit të rivlerësimit kalimtar, në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi, i cili rregullon këtë proces.

“Arsyetimi i Komisionit se subjekti i rivlerësimit, z. Alfred Balla: … ka humbur statusin e subjektit të rivlerësimit, jo si pasojë e përfundimit të procesit të rivlerësimit, apo e dorëheqjes së tij, por si pasojë e një akti që ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës së tij, bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin dhe nuk përputhet as me përmbajtjen e akteve në fashikull,” arsyeton Ballhysa dhe shton se kur subjektet vendosin të mos i nënshtrohen procesit të vetingut, atëherë përjashtohen nga mundësia e emërimit në disa prej organeve të drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Ballhysa sjell në vëmendje të Kolegjit edhe faktin se Balla, teksa nga njëra anë kërkonte ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, nga ana tjetër ka bërë objekt gjykimi urdhërin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë për lirimin nga detyra, duke iu drejtuar juridiksionit gjyqësor në vitin 2020 ku ndër të tjera është shprehur se kishte pritur të krijohej Këshilli i Lartë Gjyqësor e të rishikonte aktet në kapërcim të kompetencave të ish-Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

“…Subjekti i rivlerësimit i është drejtuar me kërkesë me shkrim Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke i kërkuar njohjen/pasjen e statusit të këshilltarit ligjor pranë Gjykatës së Lartë,” vëren Ballhysa dhe sqaron se KLGJ në vitin 2020 e ka pezulluar shqyrtimin e kërkesës me argumentin se kjo çështje ishte duke u trajtuar në gjykatë.

Në ankim pasqyrohet dhe fakti se, kur nga ana e trupës së KPK është vijuar me dërgimin e pyetësorëve, në shkurt të 2023-it, Balla ka depozituar pranë Gjykatës Afministrative të Apelit kërkesë për heqje dorë tërësisht nga e drejta e padisë, pasi mendonte se statusi aktual pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk përputhet me atë të ndihmësit ligjor që kishte gëzuar deri në 2017-ën.

Në vijim, Balla i është drejtuar edhe KLGJ-së, me kërkesë për heqje dorë nga kërkimi i mëparshëm për deklarimin e pasjes së statusit të këshilltarit ligjor jomagjistrat në Gjykatën e Lartë, duke arsyetuar se gjykimi kishte përfunduar në të dy shkallët dhe se pozicioni aktual në KLP nuk pajtohet me statusin e ndihmësit ligjor.

KLGJ ka vendosur në muajin maj 2023 të shfuqizojë pezullimin e shqyrtimit të kërkesës dhe përfundimin pa vendim përfundimtar të shqyrtimit të saj, për shkak të heqjes dorë nga Balla.

“…Të gjitha veprimet e kryera prej tij lidhur me procesin e rivlerësimit, përfshirë edhe vetë heqjen dorë nga e drejta e padisë së paraqitur për gjykim nga subjekti i rivlerësimit, z. Alfred Balla, përpara juridiksionit gjyqësor administrativ, si dhe heqjen dorë nga kërkesa për njohjen/pasjen e statusit të Këshilltarit/Ndihmësit ligjor pranë Gjykatës së Lartë paraqitur në KLGJ, depozitimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ për prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe rrëzimin e padisë, si dhe ai i KLGJ-së për heqjen dorë nga kërkesa, si aktet ku subjekti i rivlerësimit bazonte kërkesën e tij për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit nga ana e Komisionit, janë shprehje e qartë dhe e lirë e vullnetit të tij për t’iu shmangur kryerjes së procesit të rivlerësimit”, citohet në ankim.

Komisioneri Publik nënvizon se çdo interpretim i kundërt që do të bënte të mundur, sikundër ka lejuar Komisioni në rastin konkret që Balla, megjithëse ka shfaqur qartësisht vullnetin t’i shmanget procesit të vetingut, të vijojë ushtrimin e një prej funksioneve të parashikuara nga neni G i Aneksit të Kushtëtutës, si të ndaluara për t’u gëzuar për 15 vjet.

“…Subjekti i rivlerësimit ka ushtruar të drejtat e tij, duke bërë një zgjedhje personale, duke shprehur vullnetin e pavesur për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, duke zgjedhur ispo jure të ketë dhe ndalimin që parashikon neni G i aneksit të Kushtetutës”, përfundon arsyetimin Ballhysa dhe i kërkon Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisonit për Alfred Ballën dhe që ndëprerja e procesit të vetingut ndaj tij të shoqërohet me sanksionin që i ndalon emërimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

 


Tags

Alfred Balla, Alma Faskaj, Florian Ballhysa, Gjykata e Larte, Keshilli i Larte i Prokurorise, Këshilltar ligjor, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisioneri Publik, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350