July 2

Gjykata cakton masë sigurimi me burg ndaj 35 të akuzuarve për shpërndarje narkotikësh në Elbasan

0  comments

Gjykata e Elbasanit konfirmoi 35  masa arresti me burg për të arrestuarit e operacionit “Rrjeti” të organizuar nga policia e Elbasanit në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit. Ndërkohë 7 të arrestuar morën masën detyrim paraqitje dhe 3 u lanë me masë sigurimi arrest shtëpie deri në përfundim të hetimeve dhe verifikimit të provave të grumbulluara nga policia dhe prokuroria nëpërmjet agjentëve të infiltruar dhe kontrolleve në banesë.

Masat u caktuan në një seancë maratonë të zhvilluar të shtunën dhe të dielën gjatë gjithë ditës, nga gjyqtarja e gatshme Idush Maliqi, që i cilësoi të vlefshme arrestimet dhe caktoi masë sigurimi për të gjithë grupin e të arrestuarve mëngjesin e të  enjtes në 30 qershor.

Për shkak të numrit të madh të të arrestuarve, masa e sigurisë u shoqërua me prani të lartë të policisë, ndërsa rreth gjykatës së Elbasanit u grumbulluan prindër e familjarë, të cilët ngritën pretendimet për arrestimin dhe kontrollet e kryera.

“Djali im nuk dilte nga shtëpia, ishte në depression. Si mund të shpërndante drogë?”, thotë një grua e moshuar, që thotë se ka ardhur të shoh të birin, i cili ka mbërritur në gjykatë bashkë me 44 persona të tjerë. Motra e një prej të arrestuarve tregon se familja nuk ka asnjë informacion se pse është arrestuar i vëllai.  “Nuk na treguan asnjë dokument. Thjesht hynë në shtëpi në 5 të mëngjesit dhe morën vëllain, na tromaksën se ishin afërsisht tek 20 veta”, tha ajo duke iu referuar aksionit të policisë.

Mes të arrestuarve janë edhe dy gra, të cilat dyshohet se kanë shërbyer si korriere droge në në një rrjet të gjerë shpërndarje. Gjykata ka vlerësuar qëndrimin e tyre në arrest shtëpie deri në përfundimin e hetimeve.

Këtë herë policia në bashkëpunim me prokurorinë Elbasan përdorën metoda speciale hetimi duke infiltruar agjentë dhe duke blerë sasi të konsiderueshme droge. Policia ka po ashtu përgjime ambientale, por edhe telefonike.

Pas aksionit policia njoftoi se një pjesë e mirë e të arrestuarve janë persona me precedentë të mëparshëm penalë, me dënime apo akuza të ngritura më herët ndaj tyre.

Mësohet se operacioni i policisë dhe prokurorisë është në vazhdim dhe priten arrestime të tjera në ditët në vazhdim, pasi 7 persona mbeten ende në kërkim. Ndërkohë pritet të vërtetohen në laborator lëndët narkotike të bllokuara.

Ky është operacioni më i gjerë antidrogë i zhvilluar ndonjëherë në qytetin e Elbasanit me kaq shumë shpërndarës të arrestuar.


Tags

elbasan, Gjykata e Elbasanit, Idush Maliqi, Masa, Narkotik, operacioni, Policia e Elbasanit, Prokuroria


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350