Qendra Ndërkombëtare për Gjykimin e Krimit të Agresionit kundër Ukrainës, ICPA, një organ i ri ligjor që do të hetojë krimet e kryera gjatë pushtimit rus të Ukrainës, u hap të hënën në Hagë.
ICPA, e krijuar me mbështetjen e Komisionit Evropian, përbëhet nga prokurorë nga shtetet anëtare të BE-së, të cilët janë pjesë e Ekipit të Përbashkët Hetimor që po heton krimet e rënda të kryera gjatë luftës në vazhdim, së bashku me prokurorë nga Ukraina dhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
ICPA do të përgatisë rastet për gjykimet e ardhshme para gjykatave kombëtare ose ndërkombëtare në lidhje me krimin e agresionit kundër Ukrainës dhe po shihet si një hap drejt krijimit të një gjykate speciale që mund të ndjekë penalisht presidentin Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë të përfshirë në pushtim.
Ladislav Harman, presidenti i EuroJust, Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësi Penale, tha se “kurrë në histori nuk kemi pasur më shumë prova për krimin e agresionit siç kemi sot”.
“Po flasim për video të ndryshme, fotografi nga ajri, GPS, komunikime të përgjuara, të dhëna në telefonat celularë e kështu me radhë”, tha Harman për mediat në prezantim.
Por Harman vuri në dukje se kur bëhet fjalë për të vërtetuar krimin e agresionit, provat e bombave apo incidente të ngjashme nuk janë të mjaftueshme.
“Ne gjithashtu duhet t’i lidhim të gjitha këto sulme me njerëz të caktuar që janë në pozita udhëheqëse, qoftë në lidershipin politik apo atë ushtarak, dhe kjo do të jetë një sfidë tjetër e madhe përpara nesh, sepse duhet të sigurohemi para së gjithash, se kemi prova të pranueshme”, shpjegoi ai.
Harman shtoi se hapi përfundimtar për prokurorët do të jetë “vlerësimi i të gjitha provave, përkthimi i atyre pjesëve të provave në dy gjuhë dhe përgatitja e një dosjeje të vërtetë ndërkombëtare qoftë për gjykatat vendase qoftë për gjykatat ndërkombëtare, qofshin ato të tanishme apo të ardhshme”.
Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës Andriy Kostin tha se gjyqësori i Kievit kishte “identifikuar tashmë më shumë se 600 persona të cilët janë njoftuar për dyshimin në mungesë të krimit të agresionit kundër Ukrainës”.
“Ne kemi tashmë aktakuza kundër 312 prej tyre dhe kemi tashmë 20 persona të dënuar, por ideja e një gjykate është që të arrijë lidershipin më të lartë ushtarak dhe politik të Rusisë”, tha Kostin.
Ai shtoi se Ukraina do të vazhdojë të mbledhë prova dhe t’i ndajë ato në një nivel ndërkombëtar “për të përgatitur një gjykatë të ardhshme të cilës do t’i shërbehet informacioni fillestar”.
Në mars 2022, Lituania, Polonia dhe Ukraina krijuan Ekipin e Përbashkët të Hetimit, një partneritet ndërkombëtar hetimor i mbështetur nga Eurojust.
Gjykata Ndërkombëtare Penale iu bashkua ekipit të përbashkët hetimor në prill 2022, më pas Estonia, Letonia dhe Sllovakia në maj dhe Rumania në tetor.
Menjëherë pasi filloi pushtimi në shkallë të gjerë, Gjykata Penale Ndërkombëtare njoftoi fillimin e një hetimi, ndërsa përfaqësues të vendeve të ndryshme evropiane dhe organizatave ndërkombëtare udhëtuan gjithashtu në Ukrainë për të mbledhur prova për krimet e kryera.
Ukraina nuk është një vend anëtar i GJPN-së, por ajo iu drejtua gjykatës me bazë në Hagë në prill 2014 pas aneksimit të Krimesë, duke thënë se do të njihte juridiksionin e gjykatës “me qëllim të identifikimit, ndjekjes penale dhe gjykimit të autorëve dhe bashkëpunëtorëve në aktet e kryera në territorin e Ukrainës”. Rusia gjithashtu nuk është anëtare e GJPNJ-së.