Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të hënës më 3 korrik ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, Gentiana Xhelili dhe rikthimin e saj në sistemin e drejtësisë. Vendimi për konfirmimin e Xhelilit u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Albana Shtylla, Natasha Mulaj e Sokol Çomo, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Xhelilit.
KPK vendosi më 21 prill 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtaren Gentiana Xhelili pasi konkludoi probleme shkarkuese për pasurinë si dhe mangësi profesionale, që në vlerësimin tërësor të çështjes u konsideruan në cënim të besimit të publikut tek sistemi i direjtësisë – përfundime që nuk janë gjetur të drejta nga shumica e trupit gjykues të Kolegjit. Ndërkohë, gjyqtarja Xhelili u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës në shkallën e parë të vetingut.
Gentiana Xhelili përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Sarandë. Prej vitit 2014 ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën Administrative të Vlorës, ku dhe do të rikthehet pas vendimarrjes së Kolegjit.