July 5

Rritja e kostove nuk e zgjidhi mbledhjen e plehrave në plazhet e Durrësit dhe Kavajës

Në plazhin e sektorit “Rinia”, rreth 12 kilometra larg qendrës së Durrësit, Acelin dhe familja e saj nga Gjermania kanë gjetur një oaz të qetë për makinën e tyre të kampingut, me të cilën udhëtojnë në kërkim të vendeve të paprekura nga turizmi masiv.

Buzë detit gjen vetëm bare verore të sajuara me dru e llamarinë, ndërsa në krahun tjetër është laguna e pasur me jetë të egër dhe gjelbërim. Por përtej qetësisë, plazhit i mungojnë shërbimet elementare, përfshi kazanët për të grumbulluar mbetjet.

“Është kaq bukur. Pas plazhit që bëmë gjithë ditën, e vendosëm rulotën tek pishat, por nuk hëngrëm dot jashtë se kishte plehra ngado,” thotë gruaja e keqardhur që planet për një darkë në natyrë i kishin dështuar.

Së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijë të vegjël, Acelin  shihet t’i mbledhë vetë mbetjet pas plazhit dhe i fut në mjetin lëvizës.

“Këtu nuk po shoh asnjë kosh. Një që është i mbushur dhe i djegur.  Po i mbaj me vete derisa ta gjej”, thotë ajo duke qeshur.

Durrësi e ka nisur me vrull sezonin turistik dhe parashikimet e operatorëve janë që për këtë sezon të tejkalohet shifra e një milion turistëve që e vizituan zonën vitin e kaluar. Por fluksi i turistëve nuk duket se është shoqëruar me masa të plota për të menaxhuar mbetjet urbane që krijohen. Ndërsa po afrohet mezi i sezonit, problematikat mjedisore janë të dukshme me sy të lirë sidomos në pjesën rurale të bregdetit.

Megjithatë, Bashkia e Durrësit i mohoi problemet dhe i tha BIRN se i kishte kapacitetet për të menaxhuar situatën. “Nga parashikmet e bëra duke marrë parasysh rritjen e numrit të turistëve, gjykojmë se kapaciteti i mjeteve dhe i burimeve njerëzore është i mjaftueshëm për përballimin e sezonit turistik veror 2023,” tha Bashkia në një përgjigje me shkrim.

Problemi i grumbullimit

Në sektorin “Rinia” në Durrës mungojnë kontejnerët dhe mbetjet hidhen rrugëve. Foto: Eriola Azizolli/ BIRN.

Bashkia e Durrësit evadon çdo ditë rreth 206 ton mbetje të kategorive të ndryshme dhe prej mbylljes së venddepozitimit në Porto Romano në vitin 2019, mbetjet depozitohen në landfillin e Sharrës në Tiranë.

Por kontrata e nënshkruar mes Bashkisë së Durrësit dhe koncesionarit  i rriti disafish kostot e menaxhimit të mbetjeve të qytetit duke i bërë të papërballuehsme për buxhetin e bashkisë.

Për të përballuar kostot shtesë me kërkesë të bashkisë, qeveria i dha bashkisë së Durrësit në gusht 2021 30 milion euro subvencion për 10 vitet e ardhshme. Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako tha atëherë se vetë bashkia do të paguante fillimisht vetëm 10 për qind të kostove për transferimin e mbetjeve në Sharrë.

Por kjo rritje shpenzimesh shkon për të mbuluar kostot e transferimit në Tiranë dhe paguar Integrated Energy B.V SPV, koncesionarin që është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e aferës së inceneratorëve.

Në krahun tjetër, zonat rurale të bashkisë dhe plazhet periferike nuk kanë kosha dhe shërbimi i evadimit është shpesh i vonuar.

Gazetari Mentor Kikia që drejton prej vitesh “Korpusin shqiptar të vullnetarëve” dhe organizon çdo vit aksione pastrimi në plazhet e Durrësit, thotë se situata është e vështirë.

“Situata në zonat turistike që janë jashtë qytetit, si Gjiri i Lalëzit, Hamallaj, Sektor Rinia, ku menaxhimi i mbetjeve nuk është në nivelin e duhur,” tha Kikia për BIRN.

Problematike në këto plazhe nuk është vetëm grumbullimi i mbetjeve, por dhe se ku hidhen mbetjet pas pastrimit.

“Sa i takon pastërtisë në këto zona, plazhet pastrohen në pjesën më të madhe nga ata që i kanë marrë me qira, por ata që i pastrojnë, mbetjet i hedhin ose nëpër parqe, ose tek pikat e grumbullimit, por që  tërhiqen jorregullisht duke krijuar grumbullime masive,” shtoi Kikia.

Në plazhin mjaft të frekuentuar të Porto Romanos, mbetjet janë hedhur në anë të rrugës dhe kanë mbetur aty. Leshteriku i pastruar nga deti është hedhur po ashtu në anë të rrugës, duke krijuar një masë të madhe. Koshat ndërkohë numërohen me gishta.

“Të menaxhosh një qytet si Durrësi me një shtrirje shumë të madhe dhe me popullsi që në verë disafishohet, nuk është e lehtë,” vlerësoi Kikia.

Të njëjtat halle edhe në Golem

Në një plazh publik në Golem, pushuesit qëndrojnë mes mbetjeve. Foto: Eriola Azizolli/BIRN.

Njësoj si Durrësi, edhe Bashkia e Kavajës i transferon mbetjet në Tiranë, por kostot e shtuara për këtë transferim nuk kanë sjellë përmirësim të situatës së qytezës turistike.

Mes dhjetra plazheve private në zonën e Golemit ndodhen edhe hapësirat e plazheve publike. Qytetarë të moshave të ndryshme, kryesisht  të moshuar, vendosin çadrat e tyre në këto plazhe, ku nuk mungojnë as plehrat.

“Po këtu po pushojmë. Të marrim pak rreze dielli, ku të shkojnë tjetër, privati e ka shtatë mijë lekë çadrën, ndaj e vendosa timen këtu, po e shikon vetë që ka plehra, por mos na bëjë foto”, lutet një pushues në një nga plazhet e Golemit.

Kontejnerë të tejmbushur dhe mbetje në tokë shikon dhe në rrugën që ndan zonën e pyllëzuar me pisha dhe resortet turistike të zonës.

Për ekspeten e mjedisit, Ermelinda Mahmutaj, që drejton Qendrën Mjedisore “Eden”, sistemi i grumbullimit të mbetjeve ende ka shumë problematika, ndaj situata është kjo që shohim në terren.

“Nevojitet sistem efikas dhe i shpejtë i grumbullimit të mbetjeve, shoqëruar kjo me fushata edukimi dhe monitorime, gjobitje të qytetarëve që nuk zbatojnë rregullat,” tha Mahmutaj.

Bashkia e Kavajës nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi kërkesës për koment të bërë nga BIRN në lidhje me situatën dhe masat e marra për këtë sezon turistik.

Ndërkohë në këtë zonë, veç mbetjeve gjenden edhe kanale të hapura të ujërave të zeza.

“Ka disa ditë që ka pasur derdhje ujërash në det. Kam frikë se mes ujrave të përrorit që derdhen poshtë urës janë bashkuar dhe ujëra të zeza, se era të mbyt”, tha Aqif Luka një pushues nga Shijaku, që kishte qëndruar pranë një plazhi të tillë.

Së bashku me familjen e vajzës, pensionisti e frekuenton çdo fundjavë Golemin dhe përtej shqetësimeve se çdo hapësirë është betonizuar dhe vendet për plazhe publike sa vijnë dhe tkurren, e shqetëson mjedisi.

“Nuk e kam parë këtë gjë javën që shkoi. Sot nuk i lashë nipërit të lahen në det, më shqetëson aroma e derdhjes së ujërave që përfundojnë në det,” tha Luka për BIRN.

Në një pjesë të plazhit BIRN gjeti tuba të mëdhenj që derdhin ujërat e zeza në det, përmes një  kanali të krijuar në mes të rërës. Era që përhapet është mbytëse, ndërsa mbi sipërfaqen e ujit është krijuar një ndotje me ngjyrë të gjelbër.

Ermelinda Mahmutaj, i tha BIRN se shkarkuesit duhej të gjobiteshin dhe se autoritetet duhej të ishin më vigjilentë për këto situata.  Përfaqësuesja e “Qendrës Mjedisore Eden” thotë se Durrësi dhe Kavaja kanë ende shumë për të bërë përsa i përket çështjeve të mjedisit.

Një kanal i hapur derdh ujërat në plazhin e Golemit. Sipas pushuesve, era e kanalit “të mbyt”. Foto: Eriola Azizolli/BIRN.

Tags

Emiriana Sako, Ermelinda Mahmutaj, Integrated Energy BV SPV, Landfilli i Sharrës, Menaxhimi i mbetjeve, Mentor Kikia, Mjedisi, Plazhi i Durresit, Plazhi i Golemit, Plazhi i Kavajës, Porto Romano, Sektori Rinia, Turizmi


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350