July 5

KLSH evidentoi 138 miliardë lekë dëm ekonomik gjatë vitit 2022

0  comments

Shifra totale e ndarë sipas shkeljeve u prezantua të mërkurën nga kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku trajtoheshin gjetjet dhe problematikat e identifikuara nga KLSH gjatë auditimeve të kryera në institucionet publike.

Raporti i KLSH-së u bazua mbi 177 auditime në 205 subjekte dhe klasifikoi shkeljet sipas dëm ekonomik, parregullsi/paligjshmëri me efekte negative financiare në financat publike.

Nga auditimi i KLSH-së u konstatua; 1.5 miliardë lekë dëm ekonomik  për parregullsi dhe shkelje financiare; 88.5 miliadë lekë për paligjshmëri ligjore me ndikim në performancë; 10.5 miliardë lekë dëm për mangësi në zbatimin e legjislacionit tatimor për qeverisjen lokale; 12.7 miliardë për shkeljet e disiplinës buxhetore në realizimin e investimeve; 18.3 miliardë lekë dëm në keqadministrim dhe mangësi në monitorim të qerasë 1 euro të tokave bujqësore dhe 107.5 miliardë lekë dëm për mangësi në aktivitetin kontrollues me ndikim në të ardhurat tatimore e doganore.

Në total janë gjetur 5 420 shkelje dhe janë dhënë mbi 5 mijë masa për përmirësimin e punës dhe efikasitetin e këtyre institucioneve.

KLSH ka gjetur gjithashtu shkelje në zbatimin e kontratave koncesionare/PPP, që sipas raportit, “rezulton se janë kryer pagesa për vitet e kaluara në vlerën prej 15 292,593 mijë lekë ose 2.5 % e shpenzimeve gjithsej për to, të cilat përbëjnë risk të shtuar për krijimin e detyrimeve të prapambetura”.

Duke përmbledhur shkeljet e gjetura, Shehu u tha deputetëve se: “kemi evidentuar raste të përdorimit të fondeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit publik, shkelje të disiplinës buxhetore në programimin dhe realizimin e shpenzimeve publike me pasojë krijimin e detyrimeve të prapambetura, parregullsi dhe shkelje në administrimin e të ardhurave tatimore si dhe në keqadministrimin e pronës publike dhe mjedisit”.

Në këtë kuadër ai sugjeroi se është e nevojshme të rishikohet kuadri ligjor si dhe orientimi i ndërhyrjes së qeverisë në, atë që ai e quajti, “raportin kosto-përfitim për çdo projekt me financim të buxhetit të shtetit”.

Ai bëri të ditur se në bazë të këtyre gjetjeve, KLSH ka referuar në organet kompetente 4 kallëzime penale pranë Prokurorive të rretheve gjyqësore për 16 zyrtarë të niveleve të ndryshme.

Në të paktën 7 raste, shtoi Shehu, vendimet e tij për trajtim tekniko-juridik për vlerësim të elementëve penalë janë referuar pranë organit të prokurorisë dhe më pas i janë dërguar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Deputetët vunë në dukje shifrën e lartë të dëmit në krahasim me vitet e tjera, por zyrtarët e KLSH-së e lidhën këtë shifër dhe me institucionet e monitoruara, duke iu referuar monitorimit të drejtorisë tatimore dhe të doganave të Tiranës apo Durrësit, që mbajnë peshën më të lartë në raport me gjithë sektorin.

Relatorja e komisionit, Enslemvera Zake vlerësoi se KLSH kishte përmbushur përgjegjësitë ligjore, duke u bazuar në monitorimin e Kuvendit, dhe se kishte zbatuar rekomandimet e lëna një vit më parë.

Ajo vuri në dukje se ka rënë numri i kallëzimeve penale, por Shehu tha se është në komunikim të vazhdueshëm me prokurorinë dhe punohet në mënyrë paralele për konstatimet e shkeljeve të ligjit penal.

 

 


Tags

Arben Shehu, Deme financiare, Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Tatimeve, Enslemvera Zake, Keqmenaxhimi i fondeve publike, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, Kontrolli i Larte i Shtetit, Kuvendi i Shqiperise


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350