Ish-kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit Fran Tuci u arrestua të enjten me vendim të Gjykatës së Posaçme pasi akuzohet nga SPAK për “shpërdorim të detyrës” dhe “shkatërrim të pronës”. Në një njoftim për shtyp SPAK thotë se kallëzimi për Tucin ka ardhur nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, që gjeti se ai kishte lejuar ndërtimin e një rruge të re që ka shkatërruar një fond pyjorë me vlerë 234 milion lekë.
“Në kundërshtim me të gjithë kuadrin ligjor në fuqi, është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor”, thuhet në njoftimin e SPAK.
BIRN mësoi se ndërhyrja ishte kryer në vitin 2021, në një rrugë që lidh fshatin Iballë me fshatin Shopel. Rruga e re ishte një devijim nga rruga ekzistuese që shkurtonte distancën mes dy fshatrave, por hetimet gjetën se punimet, që pretendohet se janë financuar vullnetarisht nga banorët, janë kryer pa leje, pa plan, pa projekt.
IKMT gjeti ndërkohë se për të ndërtuar këtë shkurtim rruge ishte shkatërruar një masiv pyjorë, me vlerë 234 milion lekë.
“Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz”, thuhet në njoftimin e SPAK.
SPAK bëri me dije se veç Tucit nën hetim me masë sigurimi arrest në shtëpi është edhe ish Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku dhe me masë sigurimi detyrim paraqitje drejtues i kompanisë që ka kryer punimet. Prokuroria thotë se Tuci “me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin”, ka lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente duke shkaktuar dëm të rëndë.
Fran Tuci ka qenë kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit nga viti 2015 deri në zgjedhjet e majit 2023 kur humbi në garën për mandatin e tretë përballë kandidatit të opozitës Hilë Curri.