Përjashtimi i Aleks Nikollit nga sistemi i drejtësisë mori formë të prerë të premten pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që la në fuqi vendimin e Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të marrë thuajse 3 vjet më parë.
Nikolli, ish-gjyqtar i Gjykatës së Apelit Shkodër, u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash në 10 gusht 2020, nga trupa që kryesohej nga Brunilda Bekteshi me relator Olsi Komici dhe anëtar Lulzim Hamitaj. Bekteshi dhe Komici vendosën për shkarkimin, ndërsa Hamitaj e konsideroi hetimin vetëm në kriterin e pasurisë, të pamjaftueshëm.
Megjithatë ndryshe nga kërkesat ligjore për të zbardhur vendimin 30 ditë pas shpalljes së tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e vonoi zbardhjen e vendimit për Nikollin me 9 muaj. Vendimi u publikua vetëm në prill 2021, që automatikisht zgjati edhe afatet e shqyrtimit në KPA të rastit, ndërsa Nikolli vijoi të paguhej me 75 për qind të pagës.
Trupa e Kolegjit me kryesuese Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, gjeti po ashtu shkelje procedurale në vendimin e KPK-së. Pas gjetjes së shkeljeve gjatë shqyrtimit të ratsit në dhomë këshillimi, KPA njoftoi një seancë publike në të cilën i dha mundësi Nikollit të shpjegohej, kryesisht mbi një apartament dhe dy shtesa në Lezhë në pronësi të vëllait të subjektit dhe të përdorur në vijimësi nga ky i fundit me anë të një kontrate huapërdorje të ndërsjellë.
Gjatë seancës dëgjimore Nikolli akuzoi KPK dhe relatorin e çështjes së tij në Komision, Olsi Komici, se kishte marrë atributin e gjithë trupës duke mbajtur qëndrim të padrejtë e tendencioz. “Shkelja është flagrante dhe e padëgjuar më parë”, pohoi Nikolli dhe e cilësoi konkluzionin për këtë pasuri si qëndrim personal të relatorit të çështjes në KPK.
Por hetimet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nuk dolën me një rezultat të ndryshëm. KPA vuri në dukje në vendim se Nikolli kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe se veprimet e kryera prej tij përfshi transaksionet me atë që më pas do të bëhej bashkëshortja e tij kishin “patur qëllim ligjërimin e të ardhurave financiare të paidentifikuara”.
KPA po ashtu vuri në dukje se edhe gjetjet e KPK-së mbi apartamentin ishin të drejta, pavarësisht problemeve procedurale. Kolegji arsyetoi se ai ishte pasuri e fshehur e Nikollit. Kolegji vendosi që të lërë në fuqi vendimin e KPK dhe shkarkojë përfundimisht Nikollin nga detyra.