July 17

A mund të rishikohet kontrata e inceneratorit të Tiranës?

0  comments

Në një raport auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2022 vlerësohet se koncesioni për inceneratorin e Tiranës ka mungesa dhe paqartësi në lidhje me propozimin paraprak të projektit, kostot nuk janë përllogaritur saktë dhe nuk janë identifikuar qartë risqet, si dhe ka keqorientim të politikave për reduktimin e mbetjeve. Institucioni suprem i auditit të jashtëm në Republikën e Shqipërisë konfirmon se projekti është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit dhe jashtë tavaneve buxhetore.

Raporti vë në dukje se procedura konkurruese për dhënien e këtij projekti me koncesion nuk është kryer në përputhje me parimet e transparencës dhe përcaktimet ligjore, se në studimin e fizibilitetit parashikohet që pagesa totale për një kohëzgjatje të projektit prej 30 vjetësh të mbulohet përkatësisht nga: a) qeveria shqiptare në masën 130,8 milionë euro pa TVSH, b) ndërsa nga buxheti i bashkive në masën 91,7 milionë euro (pa TVSH).

Ai konstatonte se prej vitit 2018, Bashkisë së Tiranës i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve. Vetëm për periudhën 2018-2020, kjo bashki ka paguar rreth 3.2 miliardë lekë shtesë [26.5 milionë euro], krahas kostos së pastrimit prej 3.9 miliardë lekësh [32,3 milione Euro]. Këto shifra nuk përfshijnë pagesat e vitit 2022 dhe gjysmës së parë të vitit 2023.

Por më alarmant është konstatimi se prej vitit 2018, Bashkia e Tiranës ka paguar tarifën prej 29 euro/ton për incenerimin e mbetjeve urbane për një shërbim ende të pakryer, duke theksuar se “për shërbimin e depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve, vihet re se si pasojë e mos përfundimit të ndërtimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve, Koncensionari ende sot nuk ka trajtuar dhe asgjësuar asnjë sasi mbetjesh të marra në dorëzim. Pavarësisht moskryerjes së procesit të trajtimit të mbetjeve, Bashkia Tiranë ka vijuar të kryejë pagesat e plota të tarifës për këtë shërbim”.

Për më tepër, KLSH konfirmon se subjektet e përfshira në këtë kontratë nuk i kanë ofruar auditit asnjë evidencë për negocimin paraprak me operatorin ekonomik koncesionar të tarifës koncesionare të depozitimit te mbetjeve urbane prej 29 Euro/ ton mbetje urbane. Për fat të keq, kjo situatë është njëlloj, e pandryshuar, edhe mbas një viti e gjysmë nga koha e paraqitjes së këtij raporti zyrtar të KLSH.

KLSH vërente se fillimisht Ministria e Financave kishte theksuar në relacionet e saj se “vetë procedura koncesionare nuk do të ketë efekte shtesë në buxhetin e shtetit, pasi kemi të bëjmë terësisht me një investim privat”. Krahas kësaj, Ministria parashtronte edhe se investitori kishte kapitalet e mjaftueshme në llogaritë e veta për të mbuluar të gjithë investimin, megjithatë auditit nuk iu ofrua ndonjë dokument provues në lidhje me këtë.

E bëra këtë parashtrim për të thënë që kjo çështje është e njohur dhe e sqaruar jo vetëm nga KLSH, por edhe nga Komisioni  Hetimor Parlamentar “Tabaku” dhe besoj se formon indicie të mjaftueshme për dyshim të bazuar  edhe për SPAK-un për të hetuar edhe mbi këtë rast.

“Begatimi pa shkak” sipas legjislacionit shqiptar

Këto kohë kemi ndeshur trajtime të ndryshme në lidhje me mundësinë e rishikimit të kontrates përkatëse koncesionare për “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë, propozuar nga operatori ekonomik “Integrated Energy B.V shpk”. Në anën e mbështetësve, të ndërgjegjshëm ose jo të kësaj kontrate, sillen argumente të ndryshme, që nga ato populiste, naive e spekulative si “do na mbysin plehrat si vitin “xix” deri te “kemi një kontratë që nuk mund ta shkelim”, ndërsa kundërshtarët flasin për ndërprerje të menjëhershme të saj.

Personalisht mendoj se e vërteta është diku në mes, d.m.th duke besuar se çdo kontratë mund të prishet për shkaqe të përligjura, vërej se Tirana me vullnet dhe bashkitë e tjera me detyrim, me çmime pa garë dhe të detyruara nga qeveria qendrore, depozitojnë mbetjet urbane njëlloj si më parë, por me çmimin që përfshin edhe djegien e tyre.

Aktualisht për depozitimin e mbetjeve të tyre urbane në landfillin e inceneratorit të Fierit bashkitë e këtij qarkut nga 1 prilli i këtij viti paguajnë tarifë porte prej 12 eurosh për ton, edhe pse zyrtarisht thuhet qe ky incenerator ka përfunduar ndërtimin sipas kontratës dhe është funksional. Kjo tarifë ka qenë imponuar pa garë për gjashtë bashkitë në fjalë nëpërmjet një marrëveshje nga kompania e sekuestruar, “Integrated Technology ëaste Treatment Fier”, bashkë me kushtin që nuk do të lejoheshin që t’i depozitonin mbetjet në landfill.

Domethënë jashtë Tiranës, për të njëjtin shërbim – depozitim, me koso të fryre dhe pa garë, i njëjti shërbim ofrohet me 12 Euro/për ton mbetje urbane nga 29 Euro/ton në Tiranë. Diferenca prej 17 Euro/ton mund të cilësohet në çfarëdo mënyre, por në çdo rast duhet pranuar se është një pagesë publike për një shërbim të pakryer, që nuk merret nga institucionet shtetërore (në rastin konkret nga Bashkia/ qytetarët e Tiranës).

Po çfarë ndodh në raste të tilla, pra kur paguhet për shërbim që nuk merret? Gjëja e parë që të shkon ndërmend është cilësimi juridik i këtij rasti: “begatim pa shkak” (Neni 655) i Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, por nuk kam ndërmend të futem më thellë në aspektin juridik të problemit. Këtë e përmenda për të thënë se kuadri ynë ligjor, përtej parashikimeve specifike në kontratën e koncesionit në fjalë (që edhe ato meritojnë të analizohen nga specialistët, veçanërisht sa i takon respektimit të paritetit të palëve dhe mbrojtjes së interesit publik), ofron parashkime të posaçme që mund dhe duhet të shfrytëzohen për ta sjellë këtë kontratë në standardet e duhura.

Sipas mendimit tim, më shumë se parashikimet ligjore, apo fakti se pronarët e kësaj kompanie, për shkak të zotërimit edhe të dy koncesioneve të tjera në hetim e gjykim si të dyshuar për korrupsion janë në kërkim ndërkombëtar,  mungesa e veprimit të Autoritetit Kontraktor, Bashkisë së Tiranës, Avokatit të Shtetit dhe të vetë Qeverisë ngre pikëpyetje të mëdha jo vetëm mbi integritetin e këtyre institucioneve dhe kontrollin politik mbi ta, por edhe mbi pasojat juridiko-penale që po i shkaktojnë në vazhdimësi buxhetit të shtetit, duke kryer pagesa për shërbime publike që nuk merren. Prandaj do të ftoja publikisht institucionet në fjalë që të ushtrojnë detyrimet e veta ligjore në mbrojtje të interesit publik, d.m.th të ndërmarrin sa më shpejt që të jetë e mundur hapat e nevojshëm per rinegocimin e kontratës në fjalë, duke kërkuar uljen e tarifës për pjesën e incenerimit (djegies) të mbetjeve urbane, rikthimin në buxhetin e shtetit të shumave të paguara me tepër si dhe ndëshkimin ligjor të personave përgjegjës të përfshirë të të gjitha niveleve në cenimin e buxhetit të shtetit. Është rasti t’i kujtojmë organit të akuzës dhe veçanërisht SPAK-ut se çfarëdo vonese në ndërmarrjen e veprimeve përkatëse procedurale deri edhe në vendosjen e sekuestros provizore mbi kompaninë dhe marrjen e saj nën administrimin e shtetit deri në sqarimin e lidhjes së kësaj kontrate me dy të tjerat të ngjashme, si dhe të vendimmarrjes përfundimtare të gjykatës mbi pronarët e saj për proceset penale në zhvillim e sipër.

Për opinionin publik është ende e paqartë se si vazhdojnë pagesat rregullisht  nga Bashkia e Tiranës dhe se pse nuk ka asnjë tentativë zyrtare për të sjellë kontratën në standardet e ligjit për të mbrojtur interesin publik? Kjo situatë të shtyn të mendosh se mpleksja e interesave korruptive dhe shkalla e përfshirjes së zyrtarëve të lartë në një aferë të tillë është shumë më e madhe nga dy -tre “peshq të mëdhenj” që tashmë janë në dyert e drejtësisë.

Ndërkaq, referimi i detyrimeve kontraktuale të palës shtetërore për pagesat nga buxheti i shtetit të palidhura me koston për njësi të shërbimit, – tashmë të provuar se është hartuar nga pala përfituese, kompania koncesionare  – mendoj se duhet trajtuar si forma më e lartë e kapjes së shtetit nga interesat oligarkike, të korrupsionit dhe krimit të organizuar.  Nuk e teproj të them se ky fakt është një argument më shumë për të futur në sitën e drejtësisë të gjitha palët që kanë ideuar, vendosur, realizuar, dhe qe po mbrojnë “me zjarr” këtë “aferë të shekullit”.

“Marrëveshjet e ryshfetit” 

“Frikën” e shtirur të ndokujt, duke përfshirë edhe zyrtarët më të lartë të qeverisë,  se gjoja koncesionari mund ta dërgojë çështjen e rishikimit/prishjes së kontratës koncesionare në Arbitrazhin Ndërkombëtar, është rasti ta analizojmë pak më hollësisht në këtë çështje.

Përvojat dhe praktikat e Arbitrazhit Ndërkombëtar, nëse koncesionari refuzon rishikimin e kontratës për amendimin e saj duke e sjellë në standardet e duhura, tregojnë se kërkesa të tilla për gjykim mund të pezullohen sa herë që hetimet penale vendase në lidhje me akuzat për korrupsion janë ende në pritje.  Kontratat te tilla njihen si “marrëveshje të ryshfetit” si p.sh marrëveshjet e fshehta ndërmjet zyrtarëve shtetërorë dhe kontraktorëve privatë ose agjentëve të tyre, ose kur një kontratë qeveritare mund të jetë e mbiçmuar qëllimisht për t’i lejuar koncesionarit të përfitojë fonde shtesë për t’u paguar ryshfet zyrtarëve qeveritarë.  Këto kontrata nga Arbitrazhi Ndërkombëtar përgjithësisht shihen si të pavlefshme dhe të pazbatueshme, dhe ndalimi i “marrëveshjeve të ryshfetit” përbën një politikë publike transnacionale. Duke qenë se marrëveshjet e ryshfetit janë të pazbatueshme, parimi praktik në këto raste është se “paratë qëndrojnë aty ku janë”. Kjo është në përputhje me parimin e njohur dhe të pranuar gjerësisht të së drejtës romake “in pari turbitudiene melior est causa possidentis”. 

Duke e çmuar a priori se kontrata e koncesionit në fjalë është në kushte të tilla (siç dëshmojnë edhe hetimet për pronarët e saj dhe të zyrtarëve të përfshirë në “aferen e inceneratorëve” janë të paktën tre opsione të mundshme: së pari, kontrata kryesore, e lidhur me korrupsion të shpallet e pavlefshme; së dyti, i dëmtuari (shteti shqiptar) ka opsionin ndërmjet pavlefshmërisë së marrëveshjes ose vazhdimësisë së saj; dhe e treta, kontrata kryesore konsiderohet e detyrueshme dhe efektive, e cila kufizon të drejtat e palës së dëmtuar në mjete të tjera juridike, si dëmshpërblim ose ulje të çmimit/negocim. Fati i kontratës do të jetë në duart e palës së dëmtuar (shtetit shqiptar), duke iu nënshtruar kufizimeve të pasurimit të pabazë ose mjeteve të tjera të ngjashme për të mbrojtur të drejtat e koncesionarit për kthim ose kompensim të investimit të kryer, në atë masë që është realizuar.

 


Tags

Afera e inceneratoreve, Arben Ahmetaj, Avokatura e Shtetit, Bashkia e Tiranes, Erion Veliaj, Inceneratori i Tiranës, Keshilli i Ministrave, Klodian Zoto, Kontrolli i Larte i Shtetit, Ministria e Financave, Mirel Mertiri


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350