June 9

Ambasadorët e emëruar marrin kritika për anësinë politike për mungesë të karrierës diplomatike

0  comments

Komisioni i Politikës së Jashtme në Kuvend nisi të premten seancat dëgjimore me kandidatët për ambasadorë të propozuar nga qeveria, ku spikasin emrat e ish-deputetëve të partisë socialiste dhe kandidatë pa karrierë diplomatike.

Sipas propozimeve të dërguara në parlament nga ministrja e jashtme Olta Xhaçka, komisioni dëgjoi fillimisht Meri Kumben, aktualisht zëvendësministre e Kulturës, kandidate për ambasadore në Izrael, juristja Zhaklina Peto për kandidate për në Malin e Zi, ish-deputetët socialistë, Ervin Bushati, për ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Vasilika Hysi për drejtimin e zyrës diplomatike pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë.

Përzgjedhja e emrave u prit me kritika nga opozita, por veçanërisht dy kandidatët që vini  nga radhët e PS-së, për shkak të politizimit të tyre dhe mungesës së përvojës në fushën e diplomacisë.

“Do të doja kandidatë që vijnë nga administrata e Ministrisë së Jashtme, që kanë ndërtuar një karrierë në diplomaci”- tha Dritan Shehi.

Ndërsa, Tomorr Alizoti vuri në dyshim paanshmërinë politike në kryerjen e detyrës së përfaqësuesit diplomatik dhe i cilësoi “qoka” politike të kryeministrit Rama emërimet e reja. “Politika e jashtme nuk i përket PS-së”- iu drejtua ai Bushatit.

Nënkryetari i komisionit, Agron Gjekmarkaj, vuri në dyshim dhe integritetin e emërimeve të reja. “Në diplomaci pa hequr ndonjë emër cilësor, ka shumë mediokritet”- tha ai duke in kujtuar Bushatit se ai kishte qenë publikisht aktiv në mbrojtje të qeverisë dhe nuk ofronte garanci për paanshmëri politike si ambasador.

Bushati u përgjigj se detyrën e ambasadorit e shikonte si një mision patriotik. “Kam mësuar që çështjet patriotike kryesore të Shqipërisë, jashtë dyerve të politikës na bëjnë gjithmonë bashkë”- tha ai.

Gjatë seancës me Vasilika Hysin, deputetët e opozitës vlerësuan karrierën e saj jashtë politikës si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, që sipas tyre ishte më e dobishme për vendin se sa emërimi si ambasadore.

“Meqë kur ka qenë PD në pushtet keni kërkuar të drejtat e njeriut do t’u bënte dhe më të moralshme tani që është PS në pushtet, të vini në detyrë të drejtat e njeriut”- i tha Alizoti.

Hysi tha se emërimi si ambasadore nuk do ta zbehë rolin e saj për forcimin e të drejtave të njeriut, pasi puna që do të bëjë lidhet me organizatat dhe misionet ndërkombëtare që vëzhgojnë zbatimin e të drejtave të njeriut.

Në listën e kandidatëve të rinj është dhe Fatmir Velaj, ish-deputet dhe këshilltar i kryeministrit Rama, për të drejtuar misionin diplomatik në Austri, gazetari Mustafa Nano, si dhe lëvizje paralele të konsujve apo ambasadorëve aktualë në përfaqësi të tjera diplomatike.


Tags

Agron Gjekmarkaj, Austria, Edi Rama, Ervin Bushati, Fatmir Velaj, Gjenevë, Meri Kumbe, Mustafa Nano, Olta Xhaçka, Organizata e Kombeve te Bashkuara, Partisë Socialiste, SHBA, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Tomorr Alizoti, Vasilika Hysi, Zhaklina Peto


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350