June 1

Apeli lë në fuqi arrestin për Alfred Belerin, ndërsa liron bashkëpunëtorin e tij

0  comments

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të enjten më 1 qershor të lërë në fuqi masën e sigurimit “arrest në burg” të caktuar nga shkalla e parë për Alfred Belerin, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për Bashkinë e Himarës, i akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Ndërsa i akuzuari si bashkëpunëtor i tij në blerjen e votave, Pandeli Kokoveshi, arriti të sigurojë lirinë pas vendimarrjes së Apelit për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg”, në “detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”. Vendimi u mor nga gjyqtari Florjan Kalaja.

E pyetur për shkaqet e lehtësimit të masës së sigurisë për Kokoveshin, koordinatorja për të drejtën e informimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit, Enida Demiraj sqaroi se në seancën e të enjtes është njoftuar vetëm dispozitivi i vendimit, ndërsa arsyetimi ku janë të pasqyruara dhe argumentet për ndryshimin e masës së sigurimit personal, do t’u njoftohet palëve në ditët në vijim.

Avokati i Kokoveshit, Marsel Zhupa pohoi për BIRN gjatë një komunikimi telefonik se shkak i ndryshimit të masës së sigurimit për të përfaqësuarin prej tij, kishte qenë gjendja e rënduar shëndetësore.

Masa e sigurisë për Pandeli Kokoveshin në shkallën e parë, u caktua të zhvillohej në një dhomë spitali në Tiranë, pasi ai shfaqi shqetësime shëndetësore.

Sipas prokurorisë Beleri dhe bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokoveshi janë filmuar dhe përgjuar duke i ofruar një bashkëpunëtori të drejtësisë para në këmbim të votave. Një burim në dijeni të hetimeve i tha më parë BIRN se Beleri ishte dakordsuar me bashkëpunëtorin për pagesën dhe paratë ai i ka marrë nga Kokoveshi.

Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan në minutat e para të 12 majit, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Dhionisios Alfred Petro Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, që garoi për mandatin e tij të katërt. Megjithëse i arrestuar, ai u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën.

I njohur shkurtimisht si Fredi Beleri, ai ka garuar për PBDNJ-në në zgjedhjet e vitit 2015 dhe fitoi 27% të votave.

Beleri sipas policisë është i dënuar më herët me tre vjet burg për “nxitje të urrejtjes nacionale”. Ai është akuzuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste si i përfshirë në atë që njihet si “Masakra e Peshkëpisë” në vitin 1994, kur një grup i armatosur sulmoi një postë kufiri të Shqipërisë duke vrarë dy ushtarakë shqiptarë dhe plagosur tre të tjerë. Beleri i ka mohuar akuzat dhe ka ngritur padi për shpifje ndaj Taulant Ballës për këtë akuzë.


Tags

Bashke Fitojme, Bashkia Himarë, Dhionisios Alfred Petro Beleri, Enida Demiraj, Florjan Kalaja, Fredi Beleri, Himara, Jorgo Goro, Marsel Zhupa, Masakra e Peshkëpisë, Pandeli Kokoveshi, Partia Socialiste, PBDNJ, PS, Taulant Balla


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350