Qytetarët e Rrogozhinës i drejtohen të dielën kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë, pasi Kolegji Zgjedhor vendosi të shpallë të pavlefshme zgjedhjet vendore të 14 majit dhe urdhëroi përsëritjen e tyre.
Vendimi u mor pas padisë së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, që kontestonte rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për njohjen e tyre.
Koalicioni opozitar dhe kandidati Shkëlqim Hoxha kontestuan një kuti votimi në Burgun e Rrogozhinës, e cila përmbysi rezultatin në favor të kandidatit të Partisë Socialiste në pushtet, Edison Memolla.
Në kutinë e burgut, e cila u numërua e fundit, nga 92 vota, 80 ishin në favor të Memollës.
Kolegji, ndryshe nga KAS, konkludoi se qendra e votimit e ngritur në burg ishte e paligjshme dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk bëri verifikimet nëse ajo plotësonte kushtet ligjore.
Pretendimet e opozitës se në këtë qendër ishin lejuar të votonin të burgosur që nuk e kishin të drejtën ligjore për ta bërë këtë, pasi ishin transferuar në këtë burg pasi ishte shpallur lista e zgjedhësve, i gjetën të mbështetura në prova.
Bashkia e Rrogozhinës numëron 33 mijë qytetarë me të drejtë vote, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, numëroi vetëm 11 mijë votues ose 35%, një nga pjesëmarrjet më të ulëta në rang kombëtar. Partia Socialiste arriti të fitojë 52% të votave.
Socialistët kanë kontrolluar pushtetin vendor në këtë bashki që nga viti 2015, fillimisht me Nuredinin e më pas me Edison Memollën, i cili u zgjodh në zgjedhjet pa garë të vitit 2019.