Për gjashtëmujorin e parë të vitit, qeveria e Kroacisë përshëndeti rezultatet “rekord” për industrinë vendimtare të turizmit të vendit, duke theksuar se qëndrimet me fjetje ishin rritur me katër për qind krahasuar në nivelet para pandemisë edhe para fillimit të sezonit të pikut.
Në vitin 2019, turizmi përbënte një të pestën e PBB-së kroate. Këtë vit, hotelet, restorantet dhe pronarët e apartamenteve private me qira po mbështeteshin në miratimin e euros nga Kroacia dhe hyrjen në zonën Shengen pa pasaporta më 1 janar për ta rritur edhe më shumë këtë shifër.
“Rezultatet e shkëlqyera të trafikut turistik, të cilat janë mbi nivelin e së njëjtës periudhë të vitit 2019, shoqërohen me tregues financiarë rekord”, tha ministrja e Turizmit dhe Sporteve, Nikolina Brnjaç, për agjencinë shtetërore të lajmeve, HINA, duke cituar të dhënat e bankës qendrore që tregojnë se të ardhurat nga turistët e huaj në tremujorin e parë u rritën me 38 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ekspertët e industrisë, megjithatë, thonë se me fillimin e sezonit të pikut, tashmë ka shenja të një rënieje. Ata tregojnë për rritje marramendëse të çmimeve, recesionin në Gjermani, disbalanca të rrezikshme në sektorin e turizmit dhe fokusin në sasi mbi cilësinë si shenja të cenueshmërisë afatgjatë, duke kërcënuar të ardhurat buxhetore dhe kthimet që investitorët privatë kishin llogaritur.
“Informacionet që vijnë tek unë tregojnë se këtë vit kemi rreth 30 për qind më pak të ardhura se vitin e kaluar në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut, në të gjitha pjesët e bregdetit, dhe kjo është një surprizë për shumë njerëz”, tha konsulenti i turizmit Edvin Jurin, i cili gjithashtu pretendoi se mbërritjet janë ulur 15 për qind. Këto shifra nuk qe e mundur të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur.
“Kemi pasur një mungesë të vazhdueshme të turistëve nga Italia prej vitesh për shkak të vështirësive të tyre ekonomike”, tha Jurin për BIRN. “Nëse e njëjta gjë ndodh me Gjermaninë, nuk do të jetë mirë.”
Rritje “e frikshme” e çmimeve
Një pjesë e problemit janë çmimet.
Kostoja e jetesës është rritur në të gjithë Evropën, por në Kroaci kjo rrezikon të mbajë larg turistët.
Me ardhjen e verës, çmimet përgjatë bregut të Adriatikut të Kroacisë rriten ndjeshëm.
Një kafe, njësia tradicionale me të cilën maten çmimet në Ballkan, kushton afërsisht 1.3 euro në Osijek, në Kroacinë lindore, madje edhe në disa kafene të Zagrebit, por në bregdet atë mund ta gjesh me tre euro, madje edhe katër euro në tragetet që shëtisin ishujt e shumtë të Adriatikut të Kroacisë. Një picë në Sllavoni, në kufi me Serbinë në lindje, rrallë kushton më shumë se shtatë euro. Në Dubrovnik, një nga pjesët më turistike të vendit, kjo picë do të kushtojë 14 euro.
Dhe po flasim vetëm për kafe dhe pica. Në mars dhe prill, banorët e ishullit shpesh grumbullojnë gjëra bazike si orizi, mielli, sheqeri dhe makaronat për të shmangur rritjen e çmimeve që do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme në qershor.
Edhe qeveria e ka ndjerë rrezikun.
“Kur dëgjon se sa shumë po rriten këto çmime, është diçka që është e papranueshme në çdo rast, dhe më duhet të pranoj se në një farë mënyre më frikëson”, u raportua të thoshte në fund të qershorit ministri i Financave Marko Primoraç. “Kam frikë nga efektet afatgjata të rritjeve të tilla të çmimeve.”
Një efekt mund të jetë frenimi i turistëve nga Gjermania, e cila është në recesion.
Jurin tha se, ndërsa inflacioni shpjegon një pjesë të rritjes së çmimeve, pjesa tjetër nxitet nga “lakmia”.
Duke cituar raportet e garazheve që po shndërrohen në apartamente me qira në zonat urbane të Splitit dhe ishullit Hvar, Jurin tha se kroatët “gllabërojnë” hapësirën në kërkim të fitimeve.
“Lakmia për para krijoi lakminë për hapësirën që ne gllabërojmë”, tha ai për BIRN. “Kjo krijon dëshira joreale që kthehen në çmime joreale.”
Jurin tha se një grua holandeze i kishte thënë se do ta shkurtonte qëndrimin e saj në një resort bregdetar Glamping sepse ishte “paturpësisht shumë shtrenjtë”.
“Askush nuk bën asgjë në mënyrë sistematike”, tha ai. “Ne thjesht numërojmë numrin e turistëve që vijnë dhe në vend dhe qëndrimet me fjetje.”
Mangësi sistematike
Kroacia krenohet me strategji të hartuara mirë për zhvillimin e ofertës së saj turistike dhe një Ligj të ri për Turizmin që, sipas Brnjaç, “do të sigurojë mjetet për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe konkurrues për të gjitha destinacionet” në Kroaci.
Por ekspertët vënë në dyshim nëse strategji të tilla po zbatohen në praktikë.
Sektori i turizmit mbetet i fokusuar në masë të madhe në bregdet, në dëm të rajoneve të tjera, është shumë i përqendruar në muajt e verës, është i dëmshëm për mjedisin dhe ka mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Rreth 84 për qind e trafikut turistik ndodh gjatë muajve të verës, 95 për qind e tij në bregdet.
Kjo vendos një tendosje masive mbi qytetet bregdetare dhe mbi njerëzit që jetojnë atje.
Sipas portalit në Mbretërinë e Bashkuar Holidu.co.uk, Dubrovniku është më i ngarkuari në botë, me qytetin e vjetër dhe zonën më të gjerë të qytetit prej 40,000 banorësh, që mbytet çdo vit – kryesisht gjatë verës – nga afërsisht 1.4 milionë turistë. I bie 36 turistë për çdo banor; Venecia vjen e dyta, me 21 turistë për frymë.
Marko Miloslaviç, një këshilltar komunal në komunën Zupa Dobrovacka, pjesë e qarkut Dubrovnik-Neretva, tha se problemet janë të njëjta çdo vit.
“Lexova planet e vitit 1985, të cilat janë të njëjta si sot”, tha ai. “Ata flisnin për nevojën e autostradës Dubrovnik-Aeroport dhe përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit dhe ujë dhe asaj të kullimit. Të njëjtat probleme janë edhe sot, sepse Zupa Dubrovacka është pikë tranziti midis aeroportit dhe Dubrovnikut. Komuna është e vogël dhe nuk mund të ndërmarrë vetë projekte të tilla të mëdha infrastrukturore, aq më tepër që terreni është jashtëzakonisht kërkues dhe do të ishte një sipërmarrje shumë e shtrenjtë.”
Dubrovniku është një shembull ekstrem, por shumë qytete ndajnë probleme të ngjashme me infrastrukturën, duke përfshirë presionin e ujit, ujërat e zeza, rrugët dhe parkimin.
Jurin tha se vendi duhet të ndryshojë mënyrën se si e shikon turizmin dhe të kujtojë arsyen se përse kanë ardhur këta turistë.
“Kemi humbur ngrohtësinë, ndjeshmërinë dhe emocionin”, tha ai. “E kemi humbur këtë qasje; kemi humbur energjinë që krijon ndjenja dhe përvoja që duhet të jenë të besueshme. Kjo është arsyeja pse njerëzit erdhën këtu, për shkak të përvojës.”
“Çështja është nëse ne menaxhojmë turizmin apo turizmi menaxhon realitetin tonë.”