Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një fundjave në mes të majti ndau plot krenari në Facebook një postim, duke informuar ndjekësit e tij se numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë, jo vetëm gjatë verës, por gjatë gjithë vitit, është rritur. Sipas tij, kjo tregon se sezoni turistik i kësaj vere do të jetë “fantastik”.
“Rritja e pandalshme e turistëve që po e zgjedhin vendin tonë jo veç për sezonin veror buzë detit, por tanimë përgjatë gjithë vitit, nga Tirana e gjithandej, prej veriut në jug, konfirmohet edhe me një të dhënë spektakolare të Organizatës Botërore të Turizmit, e cila për tre muajt e parë të këtij viti e rendit Shqipërinë të tretën në botë dhe në vend të parë në Europë sa i takon rritjes turistike krahasuar me periudhën përpara pandemisë, duke paralajmëruar kështu edhe një sezon fantastik veror”, shkroi Rama në Facebook.
Ndërsa Rama ndante lajmin e mirë, nga ana tjetër operatorët turistikë jepnin intervista në media duke theksuar se mungesa e stafit ishte alarmante dhe se bizneset e tyre mezi po gjejnë punëtorë.
Kliton Gerxhani, një sipërmarrës turistik, tha për televizionin A2CNN se nuk mund ta konsideronte këtë sezon turistik “të qëndrueshëm” dhe i kërkoi qeverisë të ulet me përfaqësuesit e turizmit dhe të gjejë zgjidhje për sfidat me të cilat përballet sektori.
Shumë ekspertë të turizmit po i bien kambanave të alarmit edhe për problemet e shumta me të cilat përballet sektori, veçanërisht në sezonin aktual, duke përfshirë mungesën e punëtorëve, mungesën e një plazhi të vetëm të certifikuar me “flamur blu” – një vërtetim që standardet mjedisore dhe të sigurisë po plotësohen – mungesë të mbështetjes shtetërore për turizmin e qëndrueshëm dhe nevojë për infrastrukturë më të mirë për të parandaluar aksidentet, veçanërisht në zonat malore.
Pas efekteve të pandemisë së COVID-19, sektori i turizmit në Shqipëri u rimëkëmb, me më shumë njerëz që vizituan vendin. Por sipas disa ekspertëve, kjo është vetëm një pikënisje dhe jo një garanci për sukses të qëndrueshëm.
Eksperti i turizmit Zak Topuzi tha për BIRN se sektori përballet me sfida të mëdha këtë vit, duke theksuar mungesën e punëtorëve dhe politikat e hartuara për të inkurajuar turizmin e qëndrueshëm.
“Problemi kryesor për sezonin 2023 është mungesa e fuqisë punëtore dhe nuk ka të bëjë vetëm me punëtorët e kualifikuar, por edhe me punëtorët e pakualifikuar – ata që bëjnë pastrimin, mirëmbajtjen apo shërbime të tjera”, tha Topuzi për BIRN.
“Kjo ka krijuar një hendek të madh. Turizmi është një industri me sezonalitet të ulët; kjo e bën edhe më të vështirë gjetjen e punonjësve që do të punojnë për një periudhë prej tre deri në pesë muaj dhe më pas do të gjejnë një punë tjetër”. Ai shtoi se turizmi është një sektor konkurrues në rajon dhe vende të tjera si Greqia dhe Mali i Zi kanë politika më të mira mbështetëse.
BIRN dërgoi një kërkesë për të drejtë informimi në Agjencinë Kombëtare të Punësimit për të dhënat për punëtorët e huaj në pesë vitet e fundit në Shqipëri, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit.
Por shumë biznese argumentojnë se importimi i më shumë stafi të huaj nuk do të zgjidhë problemet gjithsesi, pasi ata e shohin më së shumti Shqipërinë si një vend tranzit dhe jo si një destinacion përfundimtar.
Shumë plazhe, por asnjë me “flamur blu”
BIRN pyeti Ministrinë e Turizmit nëse kishte një strategji të veçantë turistike për këtë sezon. Ajo u përgjigj se disa nisma të planifikuara për këtë vit përfshinin “pastrim shtesë në gjashtë bashki bregdetare, promovim ndërkombëtar dhe rritje të sipërfaqes minimale të plazheve publike nga 20 në 30 për qind”.
Shqipëria ka rreth 400 kilometra vijë bregdetare shpesh me diell dhe ekonomia e saj mbështetet gjithnjë e më shumë te turizmi. Megjithatë, është i vetmi vend në Europë që nuk ka asnjë plazh të certifikuar me një “flamur blu”, të dhënë nga Fondacioni për Edukimin Mjedisor dhe që dëshmon se një operator turistik i qëndrueshëm në plazh, marinë ose shëtitje me varkë përmbush standardet e tij.
Janë 33 standarde që duhen përmbushur. Kryesisht, ato lidhen me cilësinë e ujit, pastërtinë e plazheve, zbatimin e sigurisë publike dhe mungesën e shkarkimeve të ujërave të zeza në zonat e plazhit.
Durrësi, një nga destinacionet më të njohura të plazhit në vend, prej vitesh vuan nga të gjitha këto probleme. Organizata “Durrësi Aktiv” prej pesë vitesh i drejtohet bashkisë dhe institucioneve qendrore për çështje mjedisore.
Livia Kreko, nga kjo organizatë, tha për BIRN se bashkia po merr masa për mbylljen e kanaleve që shkarkojnë ujërat e zeza nga shtëpitë dhe bizneset, por nuk ka një gropë septike për të pastruar këtë ujë të ndotur dhe për të ndarë lëndën organike që shkarkohet.
Vetëm kjo mund të sjellë një përfitim të rëndësishëm ekonomik në menaxhimin e ujërave dhe në uljen e ndotjes mjedisore të plazheve, pa përmendur ndikimin në florë dhe faunë që shkakton kjo ndotje.
“Shkarkimi i ujërave të zeza në zonat turistike, siç përmendet në zonat e Vollgës dhe Porto Romanos, ndikon në cilësinë e plazheve. Për turistët, një plazh me ujë të ndotur dhe të pistë nuk është tërheqës dhe nuk ofron një eksperiencë pozitive pushimesh”, tha Kreko për BIRN.
Ajo shtoi se derdhja e ujërave të zeza në det ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekosistemet detare. “Përmbajtja e lartë e nitrateve dhe fosfateve, si dhe e hidrokarbureve dhe kimikateve që janë të pranishme në ujë, mund të shkaktojnë ndotje të ujit detar”, tha ajo për BIRN.
Edhe Zak Topuzi e pranon këtë si një problem nga i cili vuajnë plazhet shqiptare.
“Infrastruktura turistike është shumë e rëndësishme: uji, energjia, kanalizimet, diversifikimi i produkteve, turizmi blu, rivitalizimi i zonave, të gjitha këto janë të rëndësishme. Ne vazhdojmë të derdhim ujërat e zeza në det, pavarësisht se kemi investuar miliona euro nga veriu në jug”, tha Topuzi.
Grumbuj mbeturinash në fshatrat malore
Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, INSTAT, viti 2022 ishte viti më i mirë turistik ndonjëherë në aspektin ekonomik, duke i sjellë vendit 1 miliard euro të ardhura.
Sipas INSTAT, numri i të huajve që kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2022 ka shkuar në 7.5 milionë dhe ky numër pritet të jetë edhe më i lartë këtë vit.
Thethi dhe Valbona në veri të Shqipërisë janë tashmë zona turistike malore shumë të njohura, por rritja e numrit të vizitorëve dhe njësive akomoduese atje nuk është shoqëruar me infrastrukturë publike për të menaxhuar flukset.
Zonës ende i mungon furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike. Edhe kur është e pranishme, energjia elektrike është e dobët dhe shpesh e pamjaftueshme edhe për të karikuar një celular.
Një problem tjetër në zonë vjen sërish nga ndotja dhe nevoja për të investuar në infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave.
Për shkak të fluksit të madh të vizitorëve, ka ditë që ata që hyjnë në një fshat turistik ndeshen me grumbuj mbeturinash, edhe pse bashkia vendase këmbëngul që një kompani pastrimi shkon dy herë në javë në Theth në sezonin turistik dhe se ka një plan për të përmirësuar koshat e mbeturinave në mënyrë që ata të mos jenë aq të aksesueshme për kafshët që më pas ndotin ambientin duke shpërndarë mbeturinat.
Krahas problemeve në infrastrukturë, ka pasur disa aksidente, sidomos në zonat malore, por edhe në plazhe, ku nuk ka mjaftueshëm shpëtimtarë; 1,300 rojet e shpëtimit të certifikuar të vendit duhet të mbulojnë 2,990 stacione plazhi, sipas Federatës Shqiptare të Vrojtuesve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”.
Edhe muajt e fundit janë raportuar disa aksidente në male. Për shumë prej tyre është fajësuar infrastruktura e dobët dhe reagimin e dobët nga autoritetet për të trajtuar urgjencat në kohë. BIRN kërkoi nga policia të dhëna për incidente dhe vdekje të tilla, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit.