June 26

Gjykata i refuzon Fredi Belerit lejen për t’u betuar

0  comments

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi të hënën një kërkesë të avokatëve të Fredi Belerit për autorizim të veçantë, që ai të kishte mundësinë të merrte pjesë fizikisht në konstituimin e Këshillit Bashkiak të Himarës, i planifikuar për t’u zhvilluar të martën.

Çështja Beleri është një rast i paprecedentë në politikën shqiptare; ai u arrestua më 12 maj për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, por i fitoi zgjedhjet e 14 majit përballë kandidatit socialist, Jorgo Goro, që kandidonte për mandatin e katërt.

Në kushtet kur nuk ka mundësinë që të betohet, situata ligjore e Fredi Belerit si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës është e paqartë.

Ligji për vetëqeverisjen vendore parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë ndërpritet kur “nuk pranon të bëjë betimin” dhe ai shkarkohet në rastet kur; dënohet penalisht, kryen shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve, apo kur nuk paraqitet në detyrë më shumë se 3 muaj pandërprerë.

Opozita akuzon mazhorancën në pushtet se po përpiqet të mbajë në mënyrë të paligjshme në krye të bashkisë, Jorgo Goron. Përfaqësuesi ligjor i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ivi Kaso i tha BIRN se “ky është qëllimi dhe është e dukshme”.

Kaso tha megjithatë se Beleri nuk rrezikon të humbë mandatin e tij si kryetar bashkie edhe pse nuk do të bëjë betimin.

“Ligji parashikon shkarkimin në rast se kryebashkiaku ‘refuzon’ të bëjë betimin dhe jo kur e ka të pamundur një gjë të tillë,” tha Kaso.

Edhe prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, i cili do të udhëheqë procedurën e mbledhjes së parë të Këshillit Bashkiak të Himarës, mendon se Beleri nuk e humbet mandatin nëse nuk paraqitet për t’u betuar.

“Nuk jap dot mendim për klauzolat juridike,” tha Mamaj, por shtoi se besonte se Belerit “nuk i prezumohet e drejta e betimit për aq kohë sa nuk ka një vendim penal ndaj tij”.

Gjithsesi, ligji është i qartë për faktin se kryebashkiaku i vjetër vijon detyrën deri në betimin e kryebashkiakut të ri, duke i dhënë mundësinë Goros të vijojë të drejtojë bashkinë Himarë deri në qartësimin e fatit ligjor të Belerit.

Goro e drejton këtë bashki si përfaqësues i Partisë Socialiste prej vitit 2011.

 


Tags

Bashkia Himarë, Flamur Mamaj, Fredi Beleri, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Ivi Kaso, Korrupsion në zgjedhje, Ligji për vetëqeverisjen vendore, Prefekti i Vlores


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350