Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten më 7 korrik të shtyjë për për të pestën herë seancën lidhur me procesin penal në ngarkim të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Shtyrja u krye pasi avokati Dorjan Matlija nuk u legjitimua nga gjykata si avokat i 109 të dëmtuarve apo trashgimarëve ligjorë të viktimave në tragjedinë e Gërdecit, për të cilët kishte paraqitur prokura të posaçme përfaqësimi të nënshkruara vite më parë.
Në seancën parardhëse më 22 qershor, gjyqtarja Irena Gjoka pranoi përfaqësimin nga avokati Matlija të tre familjarëve të viktimave, ndërsa e shtyu seancën për verifikimin e prokurave për 106 të tjerë.
I pyetur nga gjykata të premten, prokurori i pranishëm, Klodian Braho u shpreh se vetëm një prej 109 personave që kanë lëshuar prokurë nuk rezultonte të kishte pasur dëme apo të ishte trashëgimtar ligjor i ndonjë prej viktimave të Gërdecit. Lidhur me këtë rast, avokati Matlija shpjegoi se zonja e cila ka lëshuar prokurën, atëherë ka qenë shtatëzënë dhe ka humbur fëmijën.
Fatmir Mediu nuk ishte i pranishëm në seancë. Ndërkohë, përfaqësuesit e tij ligjorë, avokatët Henrik Ligori dhe Ardian Visha ngritën pretendime ndaj vlefshmërisë së prokurave. Sipas Vishës, prokurat janë lëshuar shumë vite më parë dhe se disa prej tyre janë përpiluar për fëmijë të mitur nën kujdestarinë e prindërve, ose në raste të tjera janë nënshkruar nga individë në moshë të madhe që duhet verifikuar nëse jetojnë ende.
Avokati Matlija vërejti se proceset gjyqësore zgjasin me vite dhe se në këtë rast çështja në fjalë vijon prej 15 vitesh, ndërsa prokurat nuk kanë më shumë se 10 vjet. Sipas tij, nuk ka kuptim që të ripërsëriten dhe duhet të konsiderohen, pavarësisht datës kur janë lëshuar.
Pasi u tërhoq për verifikim të prokurave, gjykata konstatoi të meta dhe ftoi avokatin që të kryejë korrigjimet përkatëse.
Në këtë moment, Matlija deklaroi revokimin e kërkesës së tij për përfaqësimin e personave që kanë lëshuar prokurë, por që nuk janë të pranishëm. Ai tha se për procesin është e mjaftueshme përfaqësimi i familjarëe të viktimave që janë në sallë dhe kërkoi që të vijojë gjykimi.
Edhe prokurori Klodian Braho kërkoi legjitimimin e mbrojtësit të familjarëve të viktimave dhe të të dëmtuarve
Në vijim, avokati i Mediut, Ardian Visha kërkoi që të njoftohen të dëmtuarit dhe familjarët e viktimave për revokimin e avokatit të tyre. Matlija theksoi se kërkesa për revokim ishte kryer vetëm për shkak se nuk donte shtyrje të procesit.
Pasi u tërhoq, gjyqtarja Gjoka konstatoi se prokurat janë lëshuar në kohë të hershme, se një pjesë e tyre ishin lëshuar për përfaqësime në procese civile, ndërkohë që disa prej autorizuesve kishin qenë të mitur. Bazuar në këto rrethana, ajo vendosi të mos e legjitimojë avokatin Matlija si përfaqësues të të dëmtuarve apo trashëgimtarëve ligjorë ku janë konstatuar të metat, si dhe të bëhet njoftim me anë të shpalljes publike për të lajmëruar të interesuarit për këtë fakt.
Në vijim, Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të shtyjë seancën për më datë 18 korrik, në orën 14:00.