June 13

Grerëza aziatike kërcënon me zhdukje pyjet e gështenjave në Tropojë

Pyjet e gështenjave me kurorat e tyre madhështore janë një markë e malësisë së Tropojës, por një insekt fare i vogël dhe tepër i rrezikshëm po i kërcënon ato me zhdukje – duke rrezikuar një katastrofë ekonomike dhe mjedisore për banorët e zonës.

“Dryocosmus Kuriphilus Yasumatsu” – e njohur gjerësisht si grerëza aziatike, është insekti më i dëmshëm i njohur deri më sot për pemët e gështenjës.

Grerëza aziatike ka invaduar deri më tani rreth 2 mijë hektarë me gështenja në Tropojë, ku shkalla e infeksionit sipas specialistëve është e mesme dhe e rëndë.

“Grerëza aziatike ka 5-6 vjet në plantacionet e gështenjës në Shkodër, ndërsa prej dy vitesh, por sidomos këtë vit është shfaqur edhe në Tropojë. Në Tropojë janë prekë rreth 2 mijë hektarë me gështenja,” tha për BIRN Rrok Kola, shefi rajonal i Mbrojtjes së Bimëve pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë e Mbrojtjes së Bimëve në Shkodër, DRVMB.

Sipas bashkisë së Tropojës, grerëza aziatike u shfaq fillimisht në vitin 2022 në masivin e gështenjës në Lekbibaj, por pushteti vendor nuk duket shumë i alarmuar për rreziqet.

Silvana Murataj, përgjegjëse e sektorit të pyjeve në bashki, thotë se nuk është vërejtur një humbje e madhe e frutit të gështenjës dhe se dëmi më i madh sipas saj është shkaktuar nga zjarret.

“Fakulteti i pyjeve në Universitetin Bujqësor po merret me studimin për të gjetur elementë që mund të luftojnë grerëzën aziatike,” tha Murataj.

“Dryocosmus Kuriphilus” është një insekt 2.5 deri në 3 milimetra i gjatë, me ngjyrë të zezë të shndritshme dhe gjymtyrë kafe. I zbuluar fillimisht në Kinë në mesin e shekullit të kaluar, ai u shpërnda masivisht në Azi dhe në Hemisferën Veriore. Prania e insektit në Europë u konstatua për herë të parë në vitin 2022 në Piemonte të Italisë, prej nga u shpërnda në shumë vende të tjera.

Ndryshe nga bashkia, ekspertët lokalë parashikojnë një ulje drastike të prodhimit dhe një katastofë mjedisore, pasi kanë vërejtur shpejtësinë e përhapjes së insektit nga pyjet e Lekbibajt drejt atyre të Bajram Currit dhe më pas në masivin më të madh të rajonit – atë të Markajve.

Shpend Nikoçi, specialist pyjesh dhe kryetar i shoqatës “Gështenja e Tropojës”, llogarit një humbje prej rreth 6.5 milionë euro vetëm këtë vit nga rënia e prodhimit të gështenjave dhe mjaltit nga fermerët e zonës.

“Ne e kemi ba problem vitin e kaluar për të marrë masat, në mënyrë që sivjet të ishim të përgatitur dhe me një insekt tjetër (parazitoidi) që ushqehet me grerëzën aziatike, por kjo nuk është arritë të bëhet,” tha Nikoçi.

Megjithatë, ai beson se do të gjendet një zgjidhje për të shpëtuar pyjet me gështenja, të cilat shërbejnë edhe si burim i vetëm jetese për qindra banorë të zonës.

“Kanë ardhë sivjet në Tropojë specialistë të Autoritetit të Mbrojtjes së Bimëve dhe zv/ministri i Bujqësisë. Janë të interesuar që me metodën biologjike të kontrollit të luftojmë insektin e gështenjës… Por kjo nuk mund të arrihet këtë vit pasi parazitoidi që do luftonte grerëzën aziatike duhej të hidhej në muajin prill, maksimumi deri në maj,” shtoi Nikoçi.

Mall pa zot

Eduard Pepnikaj, njëri nga 6 grumbulluesit e gështenjës thotë se alarmi ra fillimisht në vesh të shurdhër. Foto: Bashkim Shala,

Megjithëse treva e Tropojës ka masivin më të madh të gështenjave në rajon, kjo pemë është si mall pa zot dhe në informalitet të plotë. Pyjet e gështenjave shtrihen në 2860 hektarë, pronë e Ndërmarrjes Bujqësore deri në rënien e regjimit komunist në fillim të viteve ’90.

Pas viteve ’90, masivet e gështenjave u deklaruan të dëmtuara nga grupet e vlerësimit të pronave dhe u nxorrën nga fondi i burimeve natyrore. Por tre dekada më vonë, gështenjat vazhdojnë të prodhojë tonelata me fruta, duke u kthyer në burimin kryesor ekonomik për shumë banorë të zonës.

“Masivi i gështenjës sot për sot nuk është i regjistruar në regjistrat e pronave të shtetit shqiptar. Është pronë informale,” thotë Shpend Nikoçi. “Për pasojë, ky masiv aktualisht nuk ka asnjë lloj administrimi, me përjashtim të rasteve ku secili nga fermerët shkon me mbledhë prodhimin e frutave kur të piqen,” shtoi ai.

Pyjet e gështenjave janë ndarë me kashnjete [sipërfaqe pronësie] mes gati 3 mijë familjeve fermere të zonave ku ato ndodhen, por mungojnë specialistët dhe inxhinierët për mirëmbajtjen e tyre.

“Gështenja është burimi i vetëm natyror ku njerëzit e sigurojnë bukën, pasi i shesin gështenjat dhe me të ardhurat e sigurojnë bukën për një vit, blejnë veshëmbathje për fëmijët, paguajnë shkollat e bursat e fëmijëve si në shkollat e mesme, ashtu edhe të larta,” thotë Nikoçi.

Në Tropojë janë regjstruar 6 subjekte që grumbullojnë gështenjën. Eduard Pepnikaj drejton njërin nga gjashtë subjektet grumbulluese dhe ndër të parët që u ra këmbanave të alarmit për rrezikun nga grerëza aziatike. Pepnikaj thotë se në gjashtë pikat e grumbullimit mblidhen 1000-1500 ton gështenja në vit, por ai parashikon një ulje me 60% të prodhimit.

“Malësia e Gjakovës (Tropoja) të gjithë ushqimin e vitit e siguron me gështenjën. Janë 25-26 kultivues të gështenjës që e dorëzojnë te pika ime. Ne gështenjën e eksportojmë në Itali, Kosovë dhe në supermarketet e Shqipërisë,” tha Pepnikaj për BIRN.

“Sipas ekspertëve që kanë ardhë në Tropojë për të parë gjendjen në vend, grerëza do të ulë prodhimin në rreth 60%, ndërsa vitin tjetër parashikohet që të mos ketë prodhim fare. Kjo do jetë një katatrofë e vitit,” theksoi Pepnikaj, ndërsa shtoi se insekti po përparon me 7 kilometra çdo muaj.

Ramiz Metaliaj, pedagog në Departamentin e Pyjeve pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe “Doktor i Shkencave” në Patologjinë e Bimëve i tha BIRN se grerëza aziatike është identifikuar fillimisht në Reç të Shkodrës gati pesë vjet më parë dhe ka mbërritur aktualisht deri në Qafë-Morinë të Gjakovës.

“Për të arritur nga Reçi në Tropojë, insektit iu deshën 5 vite kohë. Kjo ka ndodhur për shkak të distancës gjeografike dhe mungesës së gështenjës në zonat ndërmjetëse nga Lugina e Shalës dhe ajo e Nikaj-Mërturit,” tha Metaliaj,

“Masivi i gështenjës së Tropojës vazhdon pa shkëputje deri në Junik e Deçan dhe është e sigurtë që ky insekt, brenda një apo dy vitesh, do të shkojë edhe atje,” paralajmëron ai.

Sipas Metaliajt, gështenja e Tropojës gjendet në vitin e parë të atakimit dhe dëmet më të mëdha pritet të ndodhin në të ardhmen.

“Në vitet në vijim, nisur nga ajo çka ndodhur në vendet fqinje, por edhe në Reç, Malësi të Madhe…pritet që prodhimi i frutave të gështenjës të zbresë me 70-80% dhe gjendja vegjetative e bimëve të perkeqësohet, si pasojë e reduktimit të siperfaqes së pergjithshme gjethore të tyre,” shtoi ai.

Luftë biologjike

Masivi i gështenjave në Markaj të Tropojës është më i madhi në Ballkan. Foto: Bashkim Shala.

Ekspertët e pyjeve dhe ata të bujqësisë i thanë BIRN se i vetmi shpëtim për pyjet e gështenjave në Tropojë është një luftë e kontrolluar biologjike, por ajo është shumë e kushtueshme, ndërsa vendit i mungojnë kapacitetet njerëzore të trajnuara.

Me luftë biologjike, ekspertët nënkuptojnë hedhjen e një parazitoidi të prodhuar në laborator, që ka si ushqim të preferuar grerëzën aziatike.

Rrok Kola, shefi rajonal i mbrojtjes së bimëve pranë DRVMB Shkodër, i tha BIRN se agjenti i biokontrolluar kundër grerëzës së gështenjave quhet Torymus Sinensis Kamijo – por ai e konsideroi këtë proces të vështirë dhe të kushtueshëm.

“Deri tani në Shqipëri është trajtuar me luftë biologjike një sipërfaqe e kufizuar në vartësi të buxhetit të ministrisë së Bujqësisë. Janë trajtuar biologjikisht rreth 560 hektarë me gështenjë në Shkodër,” tha Kola.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ndërhyrja në Shkodër ka qenë e suksesshme.

“Ende nuk mund të masim shkallën e invadimit, nëse ka ulje. Do ngrihet një grup ekspertësh që të monitorojë popullatën e parazitoidit nëse ka rritje,” shtoi ai.

I specializuar në Kinë për të luftuar grerëzën aziatike, Kola rendit një sërë vështirësish për aplikimin e luftës biologjike në Shqipëri, duke filluar që nga transporti i parazitodit nga Italia në Shqipëri e deri te buxhetet e kufizuara dhe mungesa e specialistëve.

“Ministria e Bujqësisë po bën hapa shumë të kujdesshëm, pasi siç e thashë më lart, lufta bilogjike është një proces i vështirë. Edhe kinezët me buxhet dhe specialistë të bollshëm e kishin problem luftën biologjike, pasi mund ta shtojë grerëzën nëse nuk trajtohet me kujdes,” shtoi Kola.

Por grumbulluesi Eduard Pepnikaj thotë se masat janë të vonuara dhe se alarmi i ngritur prej tyre vitin e shkuar ra në vesh të shurdhër.

“Ne e kemi ba problem qysh vjet, por autoritetet nuk e kanë marrë parasysh. As kultivuesit nuk e kanë marrë parasysh rrezikun, duke menduar se ne kemi interesa personale,” tha Pepnikaj.

“Tash që e kanë pa, e dinë se çfarë problemi është. Kanë premtuar që do na ndihmojnë, por për sivjet është shumë vonë, pasi pas muajit maj inskekti dëmtues piqet dhe parazitoidi nuk mund të depërtojë,” shtoi ai.

Edhe pedagogu i Universitetit Bujqësor, Ramiz Metaliaj thotë se lufta biologjike është e vetmja mënyrë për të shpëtuar gështenjat e Tropojës, por thekson se për ta aplikuar këtë në mënyrë të suksesshme nevojiten një seri analizash dhe verifikimesh.

“Fillimisht, italianët kanë aplikuar luftimin kimik të insektit, por kanë hequr dorë shumë shpejt nga kjo metodë, pasi nuk ka qenë efektive. Kontrolli biologjik në Tropojë duhet të fillojë në pranverën e ardhshme,” shtoi ai.

Ndërsa zyrtarët janë ende në dilemë, kultivuesit dhe grumbulluesit e gështenjave i frikësohen pasojave nëse nuk ndërhyhet edhe vitin e ardhshëm.

“Do të jetë një humbje katastrofike. Do jetë shumë problem edhe në aspektin mjedisor. Do jetë shumë problem edhe për ekonominë, pasi shumë familje në Malësinë e Gjakovës varen prej gështenjës, fitojnë bukën e vitit me to,” përfundoi Eduard Pepnikaj.

 


Tags

Bashkia e Tropojes, Drejtoria Rajonale e Veterinarisë e Mbrojtjes së Bimëve, Dryocosmus Kuriphilus Yasumatsu, Eduard Pepnikaj, Gështenja e Tropojës, Malesia e Gjakoves, Pyjet e gështenjave, Ramiz Metaliaj, Rrok Kola, Shpend Nikoçi, Silvana Murataj, Tropoje, Universiteti Bujqësor i Tiranësn


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350