Ish-presidneti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton pritet të vizitojë Tiranën në datat 3 dhe 4 korrik, me ftesë të kryeministrit Edi Rama. Një zëdhënëse e qeverisë i tha BIRN se Klinton do të qëndronte në Shqipëri në datat 3 dhe 4 korrik, që përkon po ashtu me festimet e pavarësisë së SHBA.
Klinton sipas burime diplomatike do të pritet me ceremonial zyrtarë, ndërsa është planifikuar edhe një deklaratë për mediat.
Shqiptarët në Shqipëri dhe kryesisht në Kosovë e shohin Klintonin si një prej ndihmuesve kryesorë në pavarësinë e Kosovës, që erdhi edhe falë ndërhyrjes ushtarake të drejtuar nga SHBA kundër Serbisë.
Klinton shihet si një faktor vendimtar në fushatën 78-ditore të sulmeve ajrore kundër Serbisë në vitin 1999, që detyroi presidentin e atëhershëm të asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila përfshinte spastrime dhe vrasje masive etnike të civilë shqiptarë të Kosovës.
Vizita e Klinton vjen në një moment tensionesh në rajon, kryesisht në Veri të Kosovës, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes pakicës serbe dhe qeverisë së Kosovës.