June 6

Karriera tepër e suksesshme politike e Vangjush Dakos

0  comments

Në vitin 2007, 41 vjeçari Vangjush Dako hyri në politikë, pasi kishte punuar nën qeveritë socialiste 2001-2005 si drejtor i Policisë Ndërtimore dhe zyrës vendore të Hipotekave në Durrës, dy institucione me historik të pasur në një qytet që u bë sinomim i ndërtimeve abuzive në vend. Nuk është çudi që pesëmbëdhjetë vjet më vonë, një rast lejeje ndërtimi e pazbardhur siç duhet nga Dako, solli arrestimin e tij nën akuzën e abuzimit me detyrën krahas zyrtarëve të tjerë.

Gjithsesi, para karrierës së tij politikisht shumë të suksesshme, duket se në vitin 2007, Dako, i cili ka një pasuri të deklaruar prej gati 1 milionë eurosh, garoi për postin e kryetarit të Bashkisë Durrës nga një pozicion i dizavantazhuar. Partia Socialiste ishte në opozitë dhe maxhoranca e djathtë ishte në revansh. Dako i fitoi zgjedhjet për bashkinë e qytetit Durrës kundrejt kandidatit të maxhorancës Armand Teliti me një diferencë prej vetëm 308 votash në një bashki ku kishte gati 140 mijë votues të rregjistruar dhe ku pjesëmarrja, në ato zgjedhje, ishte vetëm 28%. Durrësi u bë në këtë mënyrë simbol i mospjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, ndonëse historikisht ka qenë një qytet dhe një qark i rëndësishëm, vendimi i qytetarëve të së cilës, ndikon në mënyrë domethënëse në maxhorancën kombëtare. Në ato zgjedhje, pushteti vendor në shumicë i kaloi Partisë Demokratike në qeveri, kryesisht komunat, por socialistët arritën të ruajnë kontrollin në qytetet më të rëndësishme në vend.

Ndërsa suksesi elektoral i Dakos ishte i vështirë, qeverisja, përballë një maxhorance kundërshtare dhe në kushtet e centralizimit thuajse të plotë të financave publike, dukshëm ishte edhe më i vështirë.

Në Shqipëri përgjatë tre dekadave të fundit, është njohur fenomeni i persekutimit të votuesve të opozitës, përmes mohimit të fondeve shtetërore për njësitë e pushtetit vendor të kontrolluara nga opozita. Rasti i Shkodrës gjatë viteve 1997-2005 dhe i qyteteve të mëdha si Durrësi, Elbasani, Berati, Fieri e Vlora në vitet 2005-2013, kur pushteti qendror i përkiste njërës pakë dhe pushteti vendor, palës tjetër, janë tashmë famëkeqe.

Për më tepër, persekutimi i opozitës ndaj aksesit në fondet e taksave publike, të cilat në shumicë dërrmuese mblidhen dhe shpërndahen nga qeveria qëndrore, është tashmë një sekret i njohur nga të gjithë. Kryeministri aktual Edi Rama kërcënoi votuesit në zgjedhjet e fundit se nuk do t’u jepte fonde nëse nuk votonin kandidatët e tij.

Në këtë kontekst, pyetja shtrohet se si, Vangjush Dako, kryebashkiak i opozitës në bashkinë e dytë më të madhe në vend, pa burime financiare për të bërë shërbimet bazë bashkiake si ujësjellës, kanalizime apo heqje të mbeturinave, jo vetëm që nuk u dobësua, por përkundrazi, ai u forcua.

Në vitin 2011, Dako, jo vetëm që arriti të fitojë zgjedhjet përballë kandidatit të maxhorancës Ferdinant Xhaferraj, por arriti të fitojë me gati 3600 vota diferencë. Dako u bë figurë e rëndësishme për socialistët në zgjedhjet vendore të vitit 2013. Në Qarkun Durrës, ku përfshihen edhe bashkitë Shijak dhe Krujë, socialistët fituan 44% të votave, pasi kishin fituar vetëm 39% më 2009. Dhe më 2017, ata arritën të fitojnë 51% të votave. Durrësi u bë në këtë mënyrë qarku që ndikoi shumë në fitoren kombëtare të demokratëve më 2005 dhe në atë të socialistëve më 2013 e 2017 dhe aktori kyç i këtij suksesi dukej se ishte pikërisht Vangjush Dako.

“Biri i kurvës”

Suksesi elektoral i Dakos filloi të qelbë, për shkaqe që nuk vareshin tërësisht prej tij. Në vitin 2018, një hetim i nisur nga autoritetet gjermane mbi një organizatë të madhe kriminale që vepronte në fushën e trafikut të drogës, zbuloi, jo vetëm rrjetin kriminal në disa qytete në Shqipëri, por edhe mënyrën e çlirët me të cilën, politikanët në Shqipëri bisedojnë dhe marrin favore nga eksponentët e krimit. Operacioni i titulluar VOL-VO4 solli arrestimin e jo vetëm dhjetëra personave të dyshuar për trafik droge, por edhe të dy ish-deputetëve kontroversë të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko. Emrat e tyre dolën në mënyrë rastësore në hetimin për drogë. Çuko për transferim të paligjshëm të një të burgosuri, (ai doli më pas i pafajshëm në gjykatë), ndërsa Ndoka u arrestua për tjetërsim pronash. Emrat e tyre dolën pasi prokuroria po përgjonte të dyshuarit për trafikantë.

Përgjimet vunë në dukje gjithashtu se trafikantët e drogës, jo vetëm që merren me trafik, por kanë fuqinë të mobilizojnë vota, të blejnë vota dhe, së paku në një rast, të katapultojnë të preferuarin e tyre në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste.

Dosja në fjalë quhet 339. Fragmente bisedash të përgjuara nga prokuroria treguan se si, Vangjush Dako, kryebashkiaku, kishte marrëdhënie të shpeshta me anëtarët e grupit të trafikantëve. Njëri prej trafikantëve, Astrit Avdylaj, kreu i grupit, përgjohet duke thënë se do t’i propozojë Edi Ramës një njeri të tijin për kandidat për deputet dhe se në shkëmbim të kësaj, rezultati i socialistëve në Shijak do të ishte i tillë që do të surprizonte edhe vetë Ramën.

I vënë në vështirësi nga përgjimet, Vangjush Dako deklaroi se “nuk kishte bir kurve” që fliste më shumë se sa ai me elektoratin.

Dako ia hodhi paq nga kjo histori para drejtësisë dhe nuk u akuzua kurrë për asgjë. Por në vitin 2019, socialistët nuk e rikandiduan më atë për kryetar bashkie ndërsa pak muaj pas largimit si kryetar, Departamenti i Shtetit shpalli emërtimin e tij si person i përfshirë në korrupsion madhor dhe sanksionoi ndalimin e tij dhe të familjes nga hyrja në SHBA.

Ekspozimi i lidhjeve të krimit në Shijak me Partinë Socialiste dhe me Dakon vuri në pah edhe atë që u bë më vonë i njohur si makineria elektorale e socialistëve, e cila akuzohet se ka përvetësuar të dhënat personale që qytetarët kanë depozituar nëpër institucione të ndryshme publike dhe i shfrytëzon këto të dhëna, herë për të bërë fushatë, e me raste, për të blerë vota e për të shantazhuar votuesit.

Dako, zyrtarisht pa pushtet politik, vijoi të akuzohet në mënyrë të përsëritur nga opozita se kontrollon Durrësin nga prapaskena, gjë që ai e mohoi në një prononcim për BIRN para zgjedhjeve të fundit për pushtetin vendor.

Përdorimi i termit “bir kurve” është bërë njëfarë sinonimi i deklaratës së politikanëve në vështirësi në Shqipëri. Përdorimi i parë është nga Edi Rama, shumë vite më parë, kur u akuzua publikisht nga një ndërtues se merrte para për lejet e ndërtimit që jepte për pallate në Tiranë, në kohën kur ishte kryetar bashkie. Rama deklaroi në atë kohë se “nuk kishte bir nëne dhe as këlysh kurve” që të mund të gjente paratë e veta në xhepin e tij.

Në vitin 2017, ndërsa akuzohej për trafik ndërkombëtar droge dhe me një këmbë në burg, ish-ministri socialist Saimir Tahiri deklaroi se “nuk mund të kishte bir kurve” që do ta ndalonte atë nga kërkimi i drejtësisë. Deklaratat e Tahirit dhe të Dakos më vonë, u interpretuan gjerësisht si një lloj mesazhi kërcënues. Tahiri arriti t’i qëndrojë larg burgut për disa vite pas kësaj deklarate ndërsa Dako, mbijetoi edhe më gjatë, deri të martën më 6 qershor, ku u arrestua nën dy akuza, njëra, për një leje të parregullt ndërtimi për një pallat shumëkatësh dhe tjetra, për një tender.


Tags

Bashkia Durrës, Edi Rama, Korrupsion, Partia Socialiste, SPAK, Vangjush Dako


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350