June 6

KAS e quan të ligjshëm votimin e të burgosurve në Rrogozhinë

0  comments

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të martën që të njohë si të vlefshëm votimin e të burgosurve në burgun e Rrogozhinës, pavarësisht pretendimeve dhe provave që solli koalicioni “Bashkë Fitojmë” për paligjshmërinë e ngritjes së Komisionit të Qendrës së Votimit dhe listës së votuesve në këtë QV.

Relatori i çështjes, Ledio Braho shpalli vendimin për “rrëzimin e kërkesës për mospërfshirjen në tabelën e rezultateve për bashkinë Rrogozhinë të rezultatit të zgjedhjeve për Qendrën e votimit  2224/1 të IEVP Rrogozhinë”.

Po të martën, KAS vendosi ndryshimin e tabelës së rezultateve për bashkinë Rrogozhinë pas rinumërimit të votave për 55 qendra votimi, duke ngushtuar rezultatin mes dy kandidatëve me vetëm 21 vota më tepër për kandidatin e Partisë Socialiste, Edison Memolla.

Sipas tabelës së re të rezultateve, për këtë bashki janë 10237 vota të vlefshme, 273 vota të pavlefshme, 5129 vota për kandidatin Edison Memolla dhe 5108 vota për Shkëlqim Hoxhën e “BF”-së.

Ivi Kaso, përfaqësues ligjor i koalicionit Bashkë Fitojmë tha se vendimi i KAS-it do të apelohej në Kolegjin Zgjedhor, pasi provat dhe faktet tregonin për një paligjshmëri të procesit me efekt të dukshëm në ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve.

“Është një proces që ka filluar pa një qendër të ngritur sipas ligjit, pa një listë të miratuar sipas ligjit, ku kanë votuar shtetas të cilët ligji i ndalon në mënyrë kategorike që të votojnë në këto lloj zgjedhjesh në atë qendër të posaçme,” tha Kaso.

Gjatë seancave të shqyrtimit, avokatët e koalicionit BF argumentuan se Komisioni i Qendrës së Votimit në këtë burg ishte ngritur pa vendimmarrje të KQZ-së dhe se shumica e të burgosurve që kishin votuar nuk kishin të drejtë të votonin bazuar në kriteret ligjore, për shkak të vendbanimit dhe mospasjes së emrit në listën e zgjedhësve.

Sipas Kasos, kriteri numerik që parashikon ligji është 15 zgjedhës me të drejtë vote që të kenë vendbanimin në atë zonë me kod unik banese, ndërkohë që vetëm 2 prej tyre kanë vendbanim në Rrogozhinë. Ai iu referua të dhënave për votuesit e kësaj QV të dorëzuara nga Drejtoria e Burgjeve.

“Nuk mund të privilegjohen dhe as të diskriminohen,” tha Kaso, duke shtuar se asnjë shtetasi tjetër nuk u lejohet të ndryshojnë qendrën e votimit pas shpalljes së listës së zgjedhësve.

BF kërkoi pavfleshmëri të veprimeve administrative dhe përsëritje zgjedhjesh në këtë bashki.

Por përfaqësuesi ligjo i PS-së, Eridian Salianji  kundërshtoi pretendimet e opozitës, duke e lidhur kontestimin e tyre me rezultatin e ngushtë.

“Të burgosurit nuk janë skllevër, nuk u privohet liria e votës,” tha ai, duke shtuar se pala tjetër nuk kishte pasur asnjë ankesë për këtë QV në proceset e mëparshme zgjedhore.

Kutia e burgut, e cila u numërua e fundit,  ishte ajo që i dha fitoren kandidatit të PS-së në Rrogozhinë, pasi nga 92 vota në total 80 ishin në favor të tij.

Koalicioni Bashkë Fitojmë ka pretendime të ngjashme dhe në rastin e bashkisë Belsh, duke kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve të zhvilluara në QV nr. 2565/01 IEVP Burgu Kosovë, që i përket zonës zgjedhore të kësaj bashkie.

 

 


Tags

Bashke Fitojme, Burgu i Rrogozhinës, Edison Memolla, Eridian Salianji, Ivi Kaso, Kodi Zgjedhor, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, Partia Socialiste


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350