June 6

Katër gjyqtare në garë për tre vende të Gjykatës së Posaçme

0  comments

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ vendosi të martën më 6 qershor të miratojë projekt-aktet për verifikimin e plotësimit të kritereve formale të kandidimit për katër gjyqtare që kanë aplikuar për tre vende vakante në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Po ashtu, u vendos vijimi i procedurës për kriteret e tjera ligjore të kandidatëve, gjyqtareve Alma Kodraliu, Alma Kolgjoka, Nurjeta Pogaçe dhe Oltjona Goxha. Kodraliu dhe Pogaçe kanë kandiduar për të tre pozicionet e lira të shpallura me vendim të datës 21 nëntor 2022 të KLGJ-së, ndërsa Kolgjoka dhe Goxha vetëm për nga një vakancë. Kjo e fundit ka aplikuar edhe për një pozicion të lirë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, në fushën e të drejtës penale.

Pas një maratone të gjatë në veting, kryetarja e Gjykatës së Krujës, Alma Kolgjoka mbrojti në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit për konfirmimin e saj në detyrë, që u ankimua nga institucioni Komisionerëve Publikë. Kolegji e mori vendimin me shumicë votash. Gjyqtaret Nurjeta Pogaçe e Gjykatës së Durrësit dhe Oltjona Goxha e Gjykatës së Tiranës janë kofirmuar në detyrë me vendim të formës së prerë, pasi nuk u ushtrua ankim për vendimarrjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për këto subjekte rivlerësimi. Ndërsa gjyqtarja tjetër e Tiranës, Alma Kodraliu nuk është përballur ende me vetingun.

Këshilli miratoi të martën edhe vendimet për përfundimin e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Tiranës për kandidatët, gjyqtarët Adelajda Gjuzi dhe Edvan Veçani, për shkak të tërheqjes së tyre nga kandidimi për këtë pozicion.

Po ashtu, u vendos miratimi i vlerësimit etik profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të gradimit për gjyqtarët Aurel Arapi dhe Rexhep Bekteshi, të dy të konfirmuar në detyrë me vendim të formës së prerë, pasi vendimarrjet KPK nuk u ankimuan. Arapi u vlerësua shumë mirë ndërsa Bekteshi mirë. Bekteshi e kundërshtoi si të pabazuar vlerësimin e kryer ndaj tij.

Në mbledhjen plenare të 30 majit, KLGJ vendosi të kualifikojë si kandidatë për tre pozicione të lira në fushën e të drejtës penale pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm gjyqtarët Niko Rapi, Paulin Çera dhe Artan Çupi. Po ashtu, u vendos verifikimi i kandidatit Laurent Fuçia lidhur me plotësimin e kritereve ligjore të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe për një pozicion të lirë në fushën penale në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

 


Tags

Adelajda Gjuzi, Alma Kodraliu, Alma Kolgjoka, Edvan Veçani, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Nurjeta Pogace, Oltjona Goxha


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350