July 5

KFOR mohon kontrabandimin e armëve me ambulanca në veri të Kosovës

0  comments

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha të mërkurën se nuk ka prova se armët po kontrabandohen nga Serbia në Kishat Ortodokse në Kosovë në autoambulanca, ndryshe nga pretendimet e deputetes së Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

“Nuk ka asnjë provë as në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer me autoambulanca përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, njoftoi KFOR-i të mërkurën.

KFOR tha se Kearns ka të ngjarë t’i referohej një rasti të vitit 2022 “kur Batalioni Mbretëror Fusilier ishte në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it”.

“Prezenca e supozuar e armëve ilegale u raportua në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për konfirmimin e kësaj, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar”, thuhet në komunikatën për media.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se do të takohet me përfaqësues të NATO-s dhe KFOR-it dhe të organeve të sigurisë së Kosovës për këtë çështje.

“Pas takimeve do të mund të themi fjalën përfundimtare. Aktualisht jemi duke mbledhur informacione. Brenda kësaj jave do të merret vesh”, tha Kurti.

Kearns i tha parlamentit britanik të martën se, “për një kohë të gjatë nuk kemi arritur të kritikojmë milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës”.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusiliers që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që po kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në Kishat Ortodokse me ambulanca”, tha Kearns.

Ajo shtoi: “Kur trupat tona e mësojnë këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Në momentin që ka leje, një autoambulancë ka shkuar në kishë dhe i ka marrë përsëri të gjitha armët.”

BIRN kontaktoi Kearns për koment pas përgjigjes së KFOR-it, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit.

Më 29 maj, protestuesit serbë në veri të Kosovës u përleshën dhunshëm me ushtarët e KFOR-it dhe 30 ushtarë dhe rreth 50 protestues u plagosën. Ndërkaq, rreth 30 sulme ndaj gazetarëve janë regjistruar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që nga fillimi i protestave në veri më 26 maj.

Më 29 qershor, Kosova shpalli dy grupe që vepronin në veriun e Kosovës me shumicë serbe, Civilna Zastita (Mbrojtja Civile) dhe Brigada Sever (Brigada e Veriut) si organizata terroriste. Kurti tha se formacionet kanë “rekrutuar dhe trajnuar anëtarë për të përdorur armë dhe metoda luftarake në bazat ushtarake në Serbi me qëllim kryerjen e sulmeve kundër institucioneve vendore dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë”.

Më 24 qershor, Policia e Kosovës tregoi municione, uniforma dhe simbole të cilat i kishte sekuestruar një ditë më parë nga një veturë me targa të Beogradit, e parkuar rreth 100 metra larg ndërtesës së komunës në komunën me shumicë serbe në Zveçan.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se shumica e municioneve ishin prodhuar në Serbi dhe disa nga eksplozivët dukeshin të ngjashëm me ato të përdorura në përleshjet mes protestuesve dhe KFOR-it në fund të majit në Zveçan.

Më 19 qershor, qindra serbë të Kosovës në veri të Kosovës, të udhëhequr nga punonjës mjekësorë, marshuan nga Mitrovica e Veriut në Zveçan, ku iu bashkuan punëtorët nga miniera e Trepçës, duke demonstruar kundër arrestimeve të fundit të serbëve të dyshuar për sulme ndaj gazetarëve të Kosovës gjatë protestave. Deri më tani, pesë serbë të Kosovës janë arrestuar për përleshje të dhunshme me KFOR-in dhe sulme kundër gazetarëve.

BE-ja ka vendosur masa kundër Kosovës për ta bindur atë të marrë masa për të zbutur tensionet në Kosovën veriore me shumicë serbe.

Brukseli kërkon që Prishtina të pezullojë operacionet e policisë pranë ndërtesave komunale në veri, të cilat kanë qenë në qendër të trazirave pasi policia ndihmoi kryetarët shqiptarë etnikë të zgjedhur në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët të merrnin detyrën.

BE-ja dëshiron që kryetarët e komunave t’i kryejnë detyrat e tyre në godina të ndryshme nga ndërtesat komunale dhe që zgjedhjet e reja të mbahen me pjesëmarrjen e plotë të serbëve.


Tags

KFOR, Kisha Ortodokse Serbe, kontrabande armesh, Kosovë, NATO, Serbi, trazira, Zveçan


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350