Trupa gjyqësore e Kolegjit Zgjedhor rrëzoi të martën padinë e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për “pavlefshmërinë e zgjedhjeve” në bashkinë Elbasan, duke lënë në fuqi vendimmarrjen e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ.
Në Elbasan votimi për zgjedhjet vendore te 14 majit u bë për herë të parë në mënyrë elektronike, por u shoqërua me problemeve në disa qendra votimi me përdorimin e pajisjeve të identifikimit elektronik.
Koalicioni “BF” pretendoi se nga kqyrja e pamjeve filmike kishte konstatuar shkelje në procesin e votimit dhe ankimoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për kryetar dhe këshill bashkiak, duke kërkuar përsëritje zgjedhjesh me votim tradicional.
Gjatë seancës, pala paditëse paraqiti prova të reja duke dorëzuar një USB, që sipas avokatit Franc Nuri, “ka brenda shkeljet e konstatuara nga pamjet filmike, që kandidati dhe stafi kanë arritur të identifikojnë deri në ditën e gjyqit”.
Trupa Gjyqësore i pranoi provat e reja pavarësisht kundërshtimit të Partisë Socialiste, si palë e interesuar në proces, por në fund vendosi për rrëzimin e padisë.
Avokati Nuri pretendoi pas seancës se trupa gjyqësore pavarësisht se e pranoi provën e re nuk kishte arritur t’i shohë ato, për shkak të kohës së shkurtër që iu desh për të marrë vendimin.
Kontestimi i rezultateve për Elbasanin në KAS solli rinumërimin e 3 kutive të votimit, që përkonin me qendrat ku ishin raportuar problemetika në sistemin e identifikimit elektronik ditën e zgjedhjeve. Por, rinumërimi nuk solli ndryshim të rezultatit, pasi votat elektronike përputheshin me votave fizike në kuti.
Zgjedhjet në bashkinë e Elbasanit u fituan kandidati i Partia Socialiste Gledian Llatja, i cili mori 56.38 % të votave, duke mundur rivalin e tij Luçiano Boçi nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë”.
Kolegji Zgjedhor rrëzoi të hënën një tjetër padi të koalicionit “BF” për zgjedhjet në bashkinë Kamëz, ku gjithashtu u pilotua votimi dhe numërimi elektronik i votave.
Edhe në këte rast “BF” kërkoi prishjen e vendimmarrjes së organeve të KQZ-së dhe ripërsëritje zgjedhjesh me pretendimin për shkelje ligjore gjatë procesit të votimit elektronik.
Në një seancë tjetër të martën, Kolegji vendosi të pushojë padinë e bërë nga kandidati i “BF”-së Lefter Maliqi për bashkinë Kuçovë, ku kundërshtohej një vendim i ndërmjetëm i KAS që rrëzonte kërkesën për rinumërim të votave në këtë bashki.
Sipas Kolegjit Zgjedhor, pretendimet e ngritura në proces nga pala paditëse mund të shqyrtohen në gjykimin në themel të një tjetër padie të Maliqit për “pavlefshmëri të zgjedhjeve”.
Në procesin e ankimimeve për zgjedhjet vendore të 14 majit deri më tani koalicioni opozitar arriti të fitojë vetëm padinë për zgjedhjet në bashkinë Rrogozhinë, të cilat do të përsëriten sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor.
Në këtë bashki u kontestua një kuti votimi në Burgun e Rrogozhinës, e cila përmbysi rezultatin në favor të kandidatit të Partisë Socialiste, Edison Memolla.