Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të enjten, 6 korrik, parashtrimet të reja të palëve në çështjen ndaj gjyqtares së Apelit të Përgjithshëm, Irena Brahimi, konfirmimi i të cilës në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik 2020 është ankimuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa.
Fillimisht Komisioneri Publik Florian Ballhysa tha se pasi ishte njohur me dosjet nga Gjykata e Lartë, ku ndodhet për shqyrtim çështje në lidhje me një aksident me tre viktima të vitit 2016, ai konsideronte se denoncimi publik ndaj gjyqtares në këtë rast nuk përfshihej në procesin e rivlerësimit.
Denoncimi publik bazohet jn një video në të cilën një makinë me drejtues H.D, futet në krah të kundërt dhe përplaset me një makinë që drejtohej nga një shofer nga Kosova. Tre persona humbën jetën në përplasje. Siç doli në seancën e kaluar gjyqtarja në Apel i kishte dhënë pafajsi shoferit me iniciale H.D., ndërsa denoncimi pretendonte se një video tregonte qartë se ky i fundit kishte qenë fajtor në përplasje.
Brahimi pretendoi në seancë se një video që kishte filmuar përplasjen e dy makinave ishte e paqartë për shkaktarin determinant të aksidentit. Ajo tha se fajësia e H.D nuk provohej tej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe se video nuk tregonte momentin e përplasjes, pasi e pengonte një ndërtesë.
Pas tërheqjes së dosjes nga Gjykata e Lartë që po shqyrton rastin Ballhysa tha se në gjykatën e Apelit trupa kishte kryer një proces normal dhe ishte pyetur ekspertë. Ballhysa vuri në dukje se denoncimi kishte të bënte me themelin e çështjes dhe për këtë nuk mund të jepte përgjigje Kolegji, por do të shprehej Gjykata e Lartë.
Ndërkohë një denoncim i ri që kishte ardhur sëfundmi në KPA, i cili siç relatoi vetë gjyqtarja ankohej për vonesë zbardhje vendimi, u rrëzua nga trupa. Gjyqtarja tha se i kërkonte ndjese denoncuesit për vonesës, por shpjegoi se veç çështjeve në gjykate ajo kishte edhe procesin e rivlerësimit. Ajo po ashtu tha se denoncuesi duhet të mbante edhe në konsideratë “pasojat që djali i saj 30 e ca vjeç i kishte shkaktuar një 13 vjeçari”.
Në pjesën tjetër të seancës Brahimi relatoi mbi gjetje të Komisionerit sa i përket pasurisë, duke referuar me detaje historikun financiar të vjehrrit dhe vjehrrës. Ajo kërkoi pranimin e disa akteve shtesë.
Pasi u tërhoq trupa që kryesohej nga gjyqtarja Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomo dhe anëtarë Ina Rama, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, vendosi pranimin e provave dhe shtyu seancën për në 19 korrik për të dëgjuar konkluzionet e palëve.