June 9

KPK konfirmoi gjyqtare Fahrije Stringa, pasi i cilësoi gjetjet ndaj saj si “pasaktësi të veçuara”

0  comments

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 13 prill të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Tiranës, Fahrije Stringa Budo pasi konkludoi se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurën, si dhe nivel kualifikues në aspektin profesional. Bilanci negativ në vlerën totale 1 milion e 595 mijë lekë i shtrirë në vite nuk u konsiderua penalizues, pasi u vlerësua se rridhte si pasojë e deklarimeve të pasakta që nuk kishin pasur qëllime të caktuara për justifikimin e pasurive.

Vendimi për konfirmimin e Fahrije Strigna Budos u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin.

Fahrije Stringa e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në përfundim të hetimit paraprak, KPK konstatoi se subjekti nuk ka deklaruar kursime cash nga të ardhurat e siguruara prej dhënies me qira të pronave të bashkëshortit, nga për rrjedhojë janë konstatuar balancat negative në krijimin e disa depozitave bankare.

Ndërkohë, Komisioni ka çmuar të përfshijë në analizën financiare shuma tërhequra nga depozitat, të krijuara me burim nga dhurimet e prindërve që rrjedhin nga pensionet dhe shpërblimet e tyre si ish-të persekutuar politikë.

Pasi KPK ka reflektuar në analizë shpjegimet e subjektit që i ka konsideruar bindëse dhe dokumentacionin ligjor justifikues të dorëzuar prej saj, është konkluduar përfundimisht bilanc ngativ i fondeve në vlerën 1 milion e 595 mijë lekë – për një periudhë 23 vjeçare që i është nënshtruar verifikimit.

Në vendimin e arsyetuar thuhet se të pasaktësisë në deklarimet periodike vjetore që janë analizuar një nga një, vlerësohet se nuk janë kryer për ndonjë shkak të caktuar apo të kenë pasur qëllim akumulim të shumave monetare për krijimin e pasurive. “[…]Të shoqëruara me faktin provues të ekzistencës së burimeve financiare që kënaqin kërkesat e nenit D të Aneksit të Kushtetutës, krijuan bindjen e plotë se ato janë pasaktësi që mbeten të veçuara e që nuk mund e nuk duhet të shoqërohen me aplikim penalizues për subjektin e rivlerësimit”, arsyeton trupa e KPK.

Trupa vëren se nga një analizë e përgjithshme rezulton se mjetet monetare të disponuara nga subjekti dhe bashkëshorti ndër vite, janë në një vlerë më të madhe se pasuritë e krijuara si likuiditete në bankë nga ata.

Në këtë vlerësim, trupa e KPK mban në konsideratë edhe faktin se gjyqtarja Budo dhe bashkëshorti nuk kanë krijuar pasuri të paluajtshme apo shpenzime, të cilat nuk kanë mundur t’i përballojnë dot. Sipas Komisionit, rezulton se ata bëjnë një jetë modeste dhe se nuk ndodhen përpara ndonjërit prej shkaqeve prej nga mund të ngriheshin dyshime të arsyeshme se pasaktësia në deklarim ka qenë e qëllimshme.

Po ashtu, Komisioni konstaton se në asnjë rast pasaktësitë nuk kanë ndikuar në cënimin e burimit të krijimit të pasurive të subjektit të rivlerësimit.

“Nga analiza financiare e kryer në Komision rezulton se subjekti ka pasur burime të ligjshme të të ardhurave, si dhe tepricë të mjeteve monetare, që mundësonin kursime të konsiderueshme ndër vite”, shprehet KPK.

Po ashtu, është konkluduar se nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk është përpjekur të fshehë apo të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, zotërim ose në përdorim të saj.

Bazuar në këto konkluzione, trupa e KPK vëren se nga vlerësimi proporcional dhe objektiv, nuk janë vërejtur shkaqe penalizuese.

“Trupi gjykues u bazua në bindjen e brendshme, pas vlerësimit objektiv të të gjitha pasurive dhe mjeteve monetare të krijuara nga subjektit i rivlerësimit në harkun kohor prej 23 vitesh në funksionin e gjyqtares, ekzistencën e mjeteve financiare në dispozicion, të cilat përmbushin plotësisht kërkesat e nenit D të Aneksit të Kushtetutës dhe rrethanave specifike të rezultuara nga hetimi administrativ për subjektin Fahrije Stringa (Budo)”, argumenton Komisioni dhe çmon se në rastin e Budos nuk është cenuar figura e gjyqtarit dhe as besimi i publikut te drejtësia.

Budo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërsa për kriterin profesional, megjithëse janë konstatuar në disa raste probleme në aspektin organizativ, është vlerësuar se ato nuk mund të ngrihen në nivelin e një shkaku shkarkues.


Tags

Fahrije Strigna Budo, Genta Tafa Bungo, Gjykata e Rrethit Gjyqesor Tiranë, Gjyqtare, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, lulzim hamitaj, Tiranë, Valbona Sanxhaktari, Veting


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350