Kuvendi i Shqipërisë votoi të premten pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministër dhe ministër në disa pozicione kyçe të qeverisë socialiste nga 2013 deri 2022, ndërkohë që Ahmetaj i është shmangur përballjes me drejtësinë dhe ndodhet jashtë Shqipërisë.
Nga 120 deputetë të pranishëm, 117 votuan pro, mes tyre dhe kryeministri Edi Rama, dhe vetëm tre deputetë abstenuan gjatë votimit që i jep përfundimisht autorizimin e parlamentit për arrestim dhe kontroll banese.
Hetimi i prokurorisë kundër ish numrit dy të qeverisë “Rama” ka zbuluar prona dhe investime të padeklaruara të tij në dy dekada si dhe pagesa të tërthorta të marra nga biznesmenët e inceneratorëve me vlerë 491 mijë euro si dhe një vilë në Hamallaj.
Ahmetaj, i cili sipas avokatëve të tij ndodhet në Angli, iu drejtua me një letër publike Kuvendit, ku mohonte akuzat dhe pretendonte se dikush e donte në burg, por pa dhënë emra në aludimet e tij.
Opozita paraqiti e para raportin e saj duke kërkuar përgjigje nga kryeministri Edi Rama për të gjithë akuzat që ngrihen ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, akuzoi kryeministrin si kokën e aferës së inceneratorëve duke nënshtruar gjithë kabinetin qeveritar në shërbim të biznesmendëve që qëndrojnë pas aferës korruptive të inceneratorëve.
“Pjesë e këtij hetimi do të duhet të jetë koka e aferës së inceneratorëve. Ai nuk është Arben Ahmetaj, ai është kryeministri i vendit, është Edi Rama. Pa ndihmën e Edi Ramës, as Arben Ahmetaj dhe asnjë prej ministrave të tjerë të kësaj qeverie, nuk mund të miratonte 17 vendime brenda ditës,” tha Bardhi.
Duke iu referuar dosjes hetimore ai shtoi se 17 vendimet ishin shkruar në kompjuterin e Klodian Zotos.
Bardhi tha se kjo dosje tregonte çfarë ishte kapja e shtetit, ku qeveria dhe mazhoranca parlamentare nënshtrohen duke votuar ligje me porosi dhe kontrata konçensionare miliona euroshe pa menduar për interesin publik.
PD bëri disa padi në SPAK për aferën e inceneratorëve dhe kërkoi e drejtoi një komision hetimor parlamentar, ku u thirrën si dëshmitarë, kryeministri, ministra e zyrtarë të lidhur me tre konçensionet e inceneratorëve.
Në emër të grupit parlamentar socialist raporti u paraqit nga Arben Pëllumbi, i cili akuzoi opozitën se po e përdorte rastin për favor politik dhe se ka nxjerrë sekretet hetimore të dosjes së SPAK-ut.
Fjalimi i tij iu referua reformës në drejtësi si sukses dhe mbështetje ndaj organeve të drejtësisë për një “luftë pa kompromis, pavarësisht rangut të zyrtarëve që kryejnë vepra kriminale”.
Ai tha se, nuk i takonte Kuvendit të merrte në shqyrtim besueshmërinë e provave dhe fakteve të sjella nga SPAK, por të bënte “vlerësimin e kushteve dhe rrethanave për të krijuar bindjen se ekzistojnë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara që deputeti ka kryer vepra penale”.
Mbi Ahmetajn rëndojnë akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me skandalin e incineratorëve, tre kontrata famëkeqe të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilat kanë dërguar sakaq pas hekurave edhe ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako krahas shumë zyrtarëve të tjerë.