Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i saj, Albin Kurti, konfirmuan se janë të hapur për zgjedhje të reja për kryetar komunash në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, në përputhje me kërkesën e zyrtarëve perëndimorë.
Kurti tha të enjten, pas bisedës me tre senatorë amerikanë, se “largimi i turmave të dhunshme para ndërtesave të komunave dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit është rruga drejt de-përshkallëzimit deri në zgjedhje të reja”.
Ai konfirmoi se foli gjithashtu me Zëvendës Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jon Finer, për masat e de-përshkallëzimit.
Kurti ka vazhduar t’i quajë protestuesit serbë në veri “një turmë” dhe “një milici fashiste” që nga shpërthimi i përleshjeve të dhunshme të hënën.
Ndërkohë, të premten në mëngjes protestuesit janë mbledhur sërish para ndërtesës së komunës në Zveçan. Disa mbanin parulla duke thënë: “Ne nuk jemi kriminelë, duam vetëm liri”, dhe: “Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”.
Katër ditë pasi shpërthimit të dhunës në tre nga komunat veriore kundër kryetarëve të komunave të sapozgjedhur, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe BE-ja kërkuan zgjedhje të reja.
Gjatë samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau, presidentja e Kosovës Osmani u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç nën patronazhin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme Josep Borrell dhe me Macron dhe Scholz të pranishëm.
Pas takimit, Borrell tha: “Ne kemi tre kërkesa të qarta: zgjedhje të reja lokale tani, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.
“Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet tona”, shtoi Borrell në Tëitter.
Osmani më herët tha për mediat në Kishinau se procedurat ligjore mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve.
“I informova liderët europianë se legjislacioni ynë e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë në bazë të kodit zgjedhor të Kosovës”, tha Osmani.
Macron njoftoi më parë se Gjermania dhe Franca i kishin kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të mbështesin zgjedhjet e reja në veri të Kosovës “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se Macron tha se ai dhe Scholz i kishin dhënë Kosovës dhe Serbisë një javë kohë për t’iu përgjigjur propozimeve të tyre.
Serbët vendas mohojnë legjitimitetin e zgjedhjeve të fundit që ata i bojkotuan masivisht dhe në të cilat votuan vetëm 3.47 për qind e njerëzve.
Protestat nisën të premten e kaluar, e cila ishte dita e parë e punës për kryetarët e sapozgjedhur të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, ku u lënduan dhjetëra qytetarë dhe policë.