Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani nënshkroi të enjten më 29 qershor një marrëveshje pune me drejtuesen e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, znj. Laura Codruta Kövesi. Në njoftimin e shpërndarë nga SPAK për mediet, thuhet se marrëveshja konsiston në vendosjen e urave të bashkëpunimit në hetimin financiar për veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë publikë.
Mes përfaqësuesve të dy institucioneve është diskutuar gjithashtu mundësia e bashkëpunimit edhe në kuadrin e rritjes së kapaciteteve njerëzore, kryesisht në trajnimet që ekspertët e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian mund të ofrojnë për Seksionin e Hetimit Financiar në Prokurorinë e Posaçme, si dhe shkëmbimin e eksperiencave të mira në hetimin e keqpërdorimit të fondeve publike.
Në të kaluarën, SPAK ka qenë pjesë e operacioneve ndërkombëtare ndaj organizatave kriminale, të koordinuara nga EUROJUST, një institucion i Bashkimit Evropian, BE me qendër në Hagë të Hollandës, që ka në fokus bashkëpunimin për çështjet penale. Po ashtu, ka pasur bashkëpunime me EUROPOL, që koordinon autoritetet policore dhe doganore të vendeve të BE-së.