Tropojë | Jonuz Vokshi ka udhëtuar nga Gjakova bashkë me familjen e tij të madhe për në luginën e Valbonës, vendi i tij i preferuar për të pushuar gjatë diteve të nxehta të verës.
“Më pelqen shumë natyra, klima, uji i kristaltë i Valbonës,” shprehet Jonuzi, i cili me krenari pohon se e ka vizituar luginën 30 herë bashkë me familjen. “Por kam vërejtje për mbeturinat dhe inertet që janë të hedhura gjithandej”, shtoi ai me keqardhje.
Motra e Jonuzit, Arbnora Morina jeton në shtetin Wisconsin në SHBA. Ajo vjen çdo vit për pushime në Gjakovë dhe gjatë pushimeve frekuenton disa herë Valbonën.
“Dora e Zotit ka rregulluar gjithçka përfekte, por mbeturinat janë problem,” tha ajo, ndërsa shtoi se ka parë që në kontenierët e mbeturinave ushqehen kuajt dhe ato i shperndajnë mbeturinat përreth.
“Ka ndërtime pa plan dhe inerte të hedhura gjithandej”, u ankua Arbnora.
Bashkëshortja e Jonuzit, Vjollca kujtoi se ndërtimi i dy HEC-eve në lumin Valbona gjithashtu ka ndikur në mënyrë negative rrjedhën tij.
“Shoh herë pas here që me ndërtimin e këtyre HEC-eve është pakësuar edhe uji në një pjesë të madhe të shtratit të lumit”, tha ajo.
Bashkia e Tropojës pranon se ekzistojnë problemet me ndotjen dhe mbetjet, por përfaqësues të qeverisjes vendore dhe prefekturës po punojnë për ta mbajtur mjedisin të pastër.
“Ka mbetje të hedhura edhe në lumenj të tjerë, por kemi disa projekte për t’i pastruar,” tha Aranit Ymeri, përgjegjës në sektorin e turizmit në bashkinë e Tropojës.
“E rëndësishme është që të mos prishet imazhi i turizmit,” theksoi ai, ndërsa shtoi se vitin e kaluar 75 mijë syresh e kanë vizituar Valbonën.
Ymeri theksoi se në zonat turistike të bashkisë Tropojë, veçanërisht në Valbonë, janë krijuar të gjitha kushtet për tërheqjen e mbetjeve urbane.
“Praktika jonë e punës është që të fillojmë pastrimin e territorit para se të fillojë sezoni turistik, si në qytet por edhe në rrugët që kanë destinacion turistik,” shpjegoi ai.
Ymeri shtoi se bashkia ka vendosur kontenierë në të gjitha pikat turistike dhe mbetjet i terheqim dy herë në javë. Ai e konsideron si me mjaft rëndësi përfundimin e impiantit të pastrimit të ujrave të zeza, megjithëse në këtë projekt nuk është e përfshirë e gjithë zona turistike.
“Tashmë këto ujra derdhen të pastruara në lumin Valbona”, theksoi Ymeri.
Operatorët turistikë në Valbonë shprehen të kënaqur me numrin e turistëve, kryesisht të huaj edhe këtë vit, por janë të pakënaqur me trajtimin e mbetjeve dhe inerteve që sipas tyre po dëmtojnë imazhin e turizmit në Valbonë.
Kelmend Selimaj, pronar i bujtinës Jezerca tha se duhet bërë më shumë përpjekje për trajtimin e mbetjeve në zonën turistike të Valbonës.
“Turistët e huaj janë shumë të ndjeshëm ndaj mbeturinave të cilat ekspozohen më shumë gjatë dimrit, pasi në periudhën e verës ambjenti është i veshur me gjelbërim duke i maskuar disi,” tha ai, ndërsa shtoi se duhet të pastrohen të gjitha vatrat e ndotura.
Sipas Selimajt një problem i madh janë edhe inertet e hedhura vend e pa vend si pasojë e ndërtimeve të vazhdueshme në Valbonë.
“Jemi shumë të vonuar në trajtimin e mbetjeve në zonat turistike,” tha ai. “Në këtë kohë duhet të ishim në fazën e seleksionimit të mbetjeve dhe jo të diskutonim nëse ato terhiqen ose jo”, theksoi Kelmendi.
Hysni Selimaj, një tjetër operator turistik, i tha BIRN se pastrimi i mbetjeve lë shumë për të dëshiruar dhe se situata e mbetjeve dhe inerteve është veçanërisht e papranueshme për turistët e huaj.
“Ka mungesë kontenierësh, ku edhe ato ekzistues janë të amortizuar dhe të prishur,” tha Hysniu, pronar i bujtinës Hysa në Valbonë.
“Behen punime në kulmin e sezonit turistik dhe nuk pastohen inertet”, u ankua ai.
Të njejtin shqetësim shpreh edhe vëllai i tij, Lis Selimaj njëherazi ortak në biznesin famlijar.
“Në të gjithë zonën nuk ka kosha të vegjël”, u ankua ai.
Vëllezërit Selimaj listojnë si shqetësim edhe mungesën e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike në Valbonë.
“Energjia elektrike mungon sidomos në fundjava atëherë ku ka më shumë turistë,” tha Hysniu.
“Është një ujësjellës që ka një kapacitet shumë të vogël, sa për të furnizuar fshatin e dikurshëm të para viteve 90-të, ndërkohë që aktualisht në Valbonë janë 1,800 shtretër të regjistruar, pa marrë parasysh turistët ditorë dhe ato që kampojnë me autokampingje”, përfundoi ai.