July 20

“Më gjykoni ashtu si kam gjykuar”: Gjyqtari Vladimir Skënderi jep shpjegime për mungesat financiare në vlera të mëdha

0  comments

Gjyqtari i Durrësit, Vladimir Skënderi u përball të enjten më 20 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjeigme më së shumti për bilancin negativ në vlerë të madhe, duke pretenduar se kishte dhënë shpjegime dhe prova të mjaftueshme. Ai i cilësoi të pabazuara informacionet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar lidhur me kriterin e figurës, si dhe dha shpjegime për gjetjet në kriterin profesional. 

Procesi i vetingut për gjyqtarin Skënderi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshim me relator Roland Ilian dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs. 

Vladimir Skënderi e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si gjyqtar në Gjykatën e Vlorës ku punoi deri në vitin 2010. Ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Durrësit prej më shumë se një dekade.

Në fillim të seancës të enjten, gjyqtari Skënderi deklaroi se ai kishte vendosur të përfaqësohej në procesin e tij të vetingut nga avokati Eduard Halimi. Ai sqaroi se avokati ishte larguar jashtë shtetit për arsye të tij personale dhe i kishte sygjeruar të kërkonte shtyrje të seancës. 

Megjithatë, ai u shpreh se do të vijonte dhe këkroi të përfaqësohej nga e bija, Oneda Skënderi me titull ‘juriste’, që u legjitimua prej Komisionit.  

Bilanci negativ

Skënderi ka deklaruar një truall me sipërfaqe 600 m2 në Kamëz, mbi të cilin gjendet një ndërtim për banim me sipërfaqe 103.9 m2 dhe ndërtim për aktivitet 79.4 m2, kryer në vitet 1996-2000. Si burim krijimi ka deklaruar krusimet nga pagat dhe të ardhurat e realizua prej tij dhe bashkëshortja gjatë periudhës 1983-2000. 

Lidhur me tokën ku është ndërtuar objekti, subjekti ka deklaruar se në vitin 1996 babai i tij ka blerë 7 dynymë tokë dhe se këtë pasuri i’ua ka ndarë djemve. Ai ka sqaruar se disa vjet më vonë, ndarja është formalizuar me kontratë dhurimi tek noteri.

Relatori Ilia deklaroi se pronësia e tokës ishte përfituar në vitin 1996 me kontratë noteriale, shumë kohë përpara se subjekti të fillonte detyrën si gjyqtar. Për rrjedhojë, Komisioni ka vendosur të mos hetojë më tej për mundësinë e krijimit të kësaj pasurie nga ana e babait të Skënderit. 

Ndërkohë, nga hetimi i kryer për ndërtimin e objektit ka rezultuar se subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë përsa i përket mënyrës, vlerës së ndërtimit të dy objekteve në Kamëz, si dhe të kohës së ndërtimit të tyre. 

Sipas Ilias, Skënderi nuk ka provuar me dokumentacion të kohës vitin e ndërtimit të objekteve ndërtimroe dhe nuk ka paraqitur preventiv apo fatura të kohës, për të vërtetuar shpenzimet. 

Bazuar në ortofotot, Komisioni konstaton se ndryshe nga sa ka përcaktuar subjekti se koha e investimit ishte 1996-2000, në atë periudhë nuk ka pasur objekte të ndërtuara dhe për rrjedhojë është konstatuar se ai ka kryer deklarim të pasaktë në deklaratën “veting”. Mospërputhje u konstatuan edhe lidhur me ato çfarë subjekti ka deklaruar në pyetësorët e dërguar prej Komisionit. 

Po ashtu, Skënderi është gjetur në pamundësi financiare për ndërtimin e dy objekteve në Kamëz. 

Ilia deklaroi se subjektit i janë kërkuar shpjegime dhe për një sipërfaqe toke dhe ndërtesë në Gjoricë të Epër Bulqizë, e përfituar sipas ligjit “Për tokën”, konkretisht për të treguar për gjendjen aktuale të shtëpisë, përdorimin e saj, si dhe shpenzimet e kryera. 

Komisioni konstaton pamundësi të subjektit për blerjen e një automjeti të llojit Renault, blerë në vitin 2011 për vlerën 15 mijë euro, me burim të deklaruar një kredi 10 mijë e 500 euro dhe kursimet e tij.

Në vijim, Ilia tha se subjektit i janë kërkuar shpjegime për pasaktësi në deklarimet e kryera lidhur me kursimet familjare dhe ndryshimet e tyre në vite. 

Skënderi ka deklaruar të ardhura nga prodhimet bujqësore e blegtorale në Kamëz dhe Gjoricë Dibër për periudhën 1997-2016 në vlerën totale rreth 8 milionë lekë. KPK vëren s subjekti nuk ka deklaruar të ardhura të tilla në vitet 2003, 2004 dhe 2005, ndërkohë që në vitin 2006, bashkëshortja i ka deklaruar për herë të parë. 

Nisur nga fakti se këto të ardhura nuk janë dokumentuar dhe nuk janë paguar detyrimet tatimore, ato nuk janë konsideruar në analizën financiare. 

Situatë të ngjashme KPK konstaton edhe për të ardhura të deklaruara si të përfituara nga dhënia me qira e lavazhit për periudhën 2004-2009 dhe një godine gjatë viteve 2010-2013. Sipas ILIas, këto të ardhura nuk janë vërtetuar se nuk janë deklaruar në organet tatimore, si dhe nuk janë shlyer detyrimet përkatëse. Për këtë arsye nuk janë përfshirë në analizën financiare. 

Në këtë rast, Komisioni vëren se ushtrimi i një aktiviteti apo lënia me qera e një objekti me qëllim fitimi, në mungesë të një kontrate dhe mospagimi i detyrimeve financiare pranë organeve tatimore, shihet si veprim i qëllimshëm dhe i kundraligjshëm që në dukje cënon figurën e magjistratit.

Një prej vajzave të subjektit ka deklaruar të ardhura nga punësimi si pedagoge që prej vitit 2013, si dhe gjendje cash në shumën 1.4 milionë lekë. Skënderi ka deklaruar se vajza është martuar në vitin 2011 dhe se është shkëputuar nga trungu familjar në vitin 2012. Nga analiza financiare e kryer në KPK, ka rezultuar pamundësi e saj për krijimin e gjendjes cash të deklaruar. 

Po ashtu, ka rezultuar me bilanc negativ për krijimin e gjendjes cash 10 mijë USD, edhe djali i subjektit, i cili ka deklaruar si burime të ardhurat nga puna e tij dhe një pjesë e një huaje të marrë prej vjehrrit. 

Sipas KPK, Skënderi ka dështuar të vërtetoj edhe ligjshmërinë e dhurimeve në dasmat e vajzës dhe djalit, përkatësisht në shumat 12 mijë euro dhe 1.5 milionë lekë. 

KPK e ka ndarë analizën financiare në dy pjesë, për periudhën 1994-2002 që është kryer në bllok pasi subjekti ka deklaruar për herë të parë në 2003-in dhe 2003-2016, e kryer vit pas viti, sipas deklarimeve periodike. Nga kjo analizë ka rezultuar bilanc negativ në vlerën totale 23.3 milionë lekë për të dyja periudhat. 

Gjyqtari Skënderi këmbënguli që për pasurinë të konsiderohet fakti se deri në vitin 2002 ishte krijuar pjesa më e madhe e pasurive të paluajtshme. Ai deklaroi se pej vitit 2003 e në vijim ishte ndërtuar vetëm çatia e objekteve në Kamëz, si dhe ishte ndërtuar një njësi shërbimi. “Kjo pasuri e shtuar justifikohet me të ardhurat e 20 viteve”, pohoi ai.

Skënderi pretendoi se punimet për objektet në Kamëz kishin filluar në vitin 1998. Ai vërejti se kishte filluar punë që prej vitit 1983 dhe se së bashku me bashkëshorten kishin pasur mundësi financiare për kryerjen e investimeve. 

Subjekti deklaroi se kishte shitur një apartament në Bluqizë, si dhe kishin pasur të ardhura nga aktiviteti bujqësor e blegtoral, nga qiradhënia si dhe lavazhoja.

I pyetur se sa të ardhura kishte fituar konkretisht nga bujqësia e blegoria, subjekti shpjhegoi se nuk i kishte shitur prodhimet, por i kishin përdorur për konsum. Ai kërkoi që vlera e pretenduar të zbritej nga konsumi ushqimor ndër vite. 

Skënderi kërkoi që të mos penalizohet për mospagimin e detyrimeve për të ardhurat nga lavazhi dhe të ardhurat e vajzës nga kursi i anglishtes, duke argumentuar se zona e Kamzës ka qenë gjithmonë informale dhe se kishte marrë dokumentacion nga organet përkatëse se nuk ka asnjë detyrim për të shlyer. 

Por, ai këmbënguli se aktivitet kanë egzistuar dhe kanë gjeneruar të ardhura. Në vijim, Skënderi pretendoi se mungesa e kontratave të qirasë nuk e cënojnë figurën e magjistratit, pasi Kodi Civil e parashikon një gjë të tillë. 

Ai kërkoi që të konsiderohen dhurimet në dasmat e vajzës dhe djalit, duke pretenduar se kishte pasur të ftuar kolegët e tij e të bashkëshortes, si dhe familjarët. 

Gjithashtu, kërkoi që vlera e investimit në objekte të konsiderohej sipas ekspertimit të kryer prej tij dhe jo sipas vlerës së përllogaritur nga KPK bazuar në referencat e Entit Kombëtar të Banesave. 

Në fund të seancës, për të trajtuar mosshlyrjen e detyrimeve nga të ardhurat prej lavazhit dhe qiradhënies, Jacobs paraqiti një shembull, duke e pyetur subjektin se si do të gjykonte nëse një person që kishte kryer vepër penale do të thoshte se nuk e dinte që po thyente ligjin, nëse do ta konsideronte të pranueshëm ose jo këtë pretendim. Skënderi u përgjigjsh se nuk mund të pranohej një pretendim i tillë dhe theksoi se nuk bëhej fjalë për të njëjtën situatë lidhur me mospagimin e detyrimeve nga ana e tij. 

Sipas subjektit, ka një ligj që detyron pagimin e taksave, por nga ana tjetër është institucioni tatimor që duhet të lëshojë faturën. Ai tha se e mirëkuptonte mentalitetin e një qytetari evropian, por se në këtë rast bëhej fjalë për Shqipërinë, aq më tepër për Kamëzën që njihet si zonë informale. 

Relatori Ilia konstatoi se subjekti ka deklaruar në vitin 2003 blerjen e një automjeti në vitin 2002, të regjistruar në emër të shitësit, ndërkohë që nga hetimi ka rezultuar se në vitin 2001 ka blerë dhe një tjetër mjet që nuk e ka deklaruar.

Sipas KPK, duket se Skënderi nuk ka bërë asnjë përpjekje për regjistrimin e këtyre 2 pasurive në emër të tij dhe nuk ka paguar as detyrimet në buxhetin e shtetit. 

Ilia sqaroi se subjekti i ka përdorur për disa vite këto automjete të paregjistruara dhe me targa e dokumentacione të rreme, si dhe nuk ka shlyer detyrimet financiare vjetore pranë institucioneve shtetërore. Madje, ka rezultuar se dhe kur është vënë në dijeni për situatën e mjeteve nuk ka vepruar t’i adresojë për zgjidhje në organet shtetërore; se nuk ka paraqitur asnjë kallëzim edhe pas vënies në dijeni të targave dhe dokumenteve false. 

Këto veprime dhe mosveprime të subjektit, sipas Komisionit dukemn të qëllimshme dhe kundërligjshme, që kompromentojnë figurën e tij si magjistrat.

Në vijim, Ilia evidentoi se Skënderi nuk ka deklaruar një automjet në përdorim të tij. 

Gjyqtari Skënderi pohoi se në fakt bëhej fjalë për të njëjtin automjet. Ai shpjegoi se kur kishte shkuar të kryente kolaudimin e mjetit, i kishin njoftuar se target nuk ishin të sakta. Por, sipas subjektit, nuk kishte arritur të gjente shitësin, pasi ai ishte larguar jashtë shtetit. “Tek servisi më premtuan dhe i gjetën target e sakta. “Ka qenë i njëjti automjet, por që mori më vonë target e sakta”, pohoi ai. 

Figura dhe profesionalizmi

Autoriteti Kombëtar për për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK ka konstatuar papaërshtatshmërinë e gjyqtarit Skënderi për vijimin e detyrës. Në raportin e përcjellë në KPK është konstatuar se seubjektit i është revokuar viza amerikane në të njëjtën ditë kur ka plotësuar deklaratën e kontrollit të figurës, për rrjedhojë se nuk ka qenë në dijeni në momentin e këtij deklarimi. Ndërkohë, është shënuar se disponohen të dhëna se, persona të ndryshëm me profesion avokat, kanë shfaqur predispozitën të ushtrojnë ndikim të paligjshëm ndaj tij, me qëllim favorizimin e të përfaqësuarve prej tyre. Sipas AKSIK-së, është marrë në konsideratë kohëzgjatja e veprimeve të kundërligjshme në më shumë se një rast dhe prandaj konstatuar paparshtatshmëria. 

Por nga hetimi i Komisionit informacionet e AKSIK për katër çështje gjyqësore që janë administruar nga KPK, janë trajtuar në aspektin profesional. Ilia nuk paraqiti në seancë ndonjë konstatim paraparak për figurën, por u shpreh se subjektit i janë kërkuar shpjegimet për këto çështje. 

Gjyqtari Skënderi u shpreh falënderues për Komisionin lidhur me hetimin e kryer për figurën. Ai tha se viza amerikane ishte refuzuar për një grup gjyqtarësh. Po ashtu, subjekti e falënderoi Komisionin edhe për verifikimin e kryer në aspektin profesional.

Ai kundërshtoi konstatimin për dënimin e një të pandehuri poshtë masës minimale të përcaktuar në Kodin Penal. Subjekti këmbënguli se kishte dhënë dënimin minimal, por jo më pak. Gjyqtari Skënderi sqaroi se kishte vendosur dëniminb minmal pasi ishte një rast fatkeq. Sipas tij, drejtuesi kamionit që ishte marrë i pandehur për aksidentin, nuk kishte pasur mundësi të shikonte viktimën pasi kabina e tij ishte shumë e lartë. Subjekti argumentoi se kamioni kishte qenë ndlauar dhe se I pandehuri e kishte ndezur e kishte filluar të ecte, kur viktima ishte gjendur pranë mjetit. “Ishte një rast fakteq dhe marrdhëniet mes palëve ishin normalizuar”, tha ai. 

Në vijim, Skënderi dha shpjegime për një gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM. Ilia sqaroi se vëzhguesi ndërkombëtar ka depozituar një gjetje pranë Komisionit për një çështje të gjykuar nga subjekti. Gjetja është bazuar në një denoncim të gjetur nga burime mediatike nga komuniteti musliman në lidhje me një çështje.

Nga sa u relatua në seancë, u mësua se Skënderi kishte gjykuar një ,cështje ku palë paditëse kishte qenë një gjyqtare. Jacobs ka vlerësuar se kjo situatë tregon gabim serioz të subjektit dhe duhet të çojë në shkarkimin e tij nga detyra. Sipas relatorit Ilia, në gjykimin e kësaj çështje janë paraqitur edhe mangësi të tjera. 

Gjyqtari Skënderi tha se kishte hequr dorë nga gjykimi në themel i çështjes, gjq që ishte pranuar dhe nga kryetari i gjykatës. Ai deklaroi se kur kishte dhënë vendimin, paditësja nuk ishte më gjyqtare pasi ishte shkarkuar nga vetingu. Sipas Subjektit, bëhej fjalë për kërkesë për sigurim padie që është e ngutshme dhe nuk mund të hiqej dorë nga çështja. 

Skënderi argumentoi bazuar në praktikën e Gjykatës së Lartë, që sipas tij shprehet se gjykata nuk mund të refuzojë një padi të tillë. Ai dorëzoi 17 vendime të kolegëve që kishin vepruar në të njëjtën mënyrë si ai në raste të ngjashme, duke mos e dhënë dorëheqjen. 

Por, Jacobs tha se kjo nuk ishte mbrojtje e mirë, pasi një pjesë e këtyre gjyqtarëve tashmë ishin të shkarkuar ose të dënuar penalisht. Skënderi u shpreh se ky nuk ishte argumenti kryesor përse e kishte mbajtur çështjen për ta gjykuar dhe shtoi se kishte paraqitur nëntë shkaqe. “Unë kam hequr dorë nga gjykimi në themel. Kam shqyrtuar vetëm sigurimin e padisë që e detyron ligji”, pohoi subjekti dhe u shpreh sërish se ishte i kënaqur me hetimin e kryer për aspektin profesional.

Ai deklaroi se do e mbyllte fjalën e tij me një shprehje nga Bibla. “Më gjykoni ashtu si kam gjykuar”, tha gjyqtari Vladimir Skënderi dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 24 korrik, në orën 09:50. 


Tags

Brunilda Bekteshi, Bulqizë, ILD, KPK, ONM, Pamela Qirko, Procesi i vetingut, Roland Ilia, THeo Jacobs, Vetingu, Vladimir Skënderi


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350