Mirjana Miocinoviç, tani 88 vjeçe, është pjesë e historisë kulturore jugosllave, në krijimin e së cilës ajo mori pjesë shumë.
E lindur në vitin 1935, ajo studioi në Beograd dhe Sorbonë. Për arritjet e saj në fushën e studimeve teatrore, ajo mori disa çmime.
Në vitet 1950, Mirjana u interesua për punën artistike të njerëzve si Uros Toskoviç, Leonid Sejka dhe më vonë poetja dhe shoqja e saj, Marija Cudina.
Mirjana mori pjesë edhe në punën e ish-bashkëshortit të saj, Danilo Kis. Në vitet në vijim, interesimi i saj për artin u kthye në thirrjen e saj profesionale, dhe ajo u bë profesoreshë në Akademinë për Teatër, Film, Radio dhe Televizion, më vonë në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd, FDU.
“Ajo ishte dinjitoze, e guximshme, shumë e arsimuar, strikte, por shumë e drejtë. Akademia priti një teoriciene të shkëlqyer intelektuale dhe mendjehollë të dramës dhe teatrit, e cila vendosi standarde dhe paradigma të reja. Dhe jo vetëm në teatër, por edhe në kulturë në kuptimin e gjerë të fjalës. Profesoresha Miocinoviç ishte dhe mbetet një person me integritet të madh personal që shërbeu si shembull për të gjithë ne”, tha për BIRN ish-studenti i saj, drejtori i teatrit Naum Panovski.
Naumi shtoi se puna e saj la gjurmë të thella në fushën e teorisë së dramës dhe teatrit jo vetëm në Serbi, por edhe në hapësirën më të gjerë të ish-Jugosllavisë.
“Mira ishte padyshim shumë përgjegjëse për reputacionin e madh të asaj shkolle të mrekullueshme dhe cilësia e saj do të vazhdojë të përcaktojë faktin që studentët e saj përsërisin: ‘Këtu ka dhënë mësim Mirjana Miocinoviç.”Dhe kur filloi lufta në vitin 1991, në shenjë proteste, ajo dha dorëheqjen”, përfundoi Naumi.
Sapo ndërpreu mësimin në fakultet, ajo filloi angazhimi i saj kundër luftës. Të gjitha intervistat dhe tekstet e Mirjanës që nga viti 1991 janë mbledhur në një libër, “The Impotence of the Obvious”. Në një bisedë joformale me BIRN, ajo theksoi se nuk jep më intervista formale dhe se gjithçka është thënë në tre dekadat e fundit në këtë libër.
Kujdestare e besuar e trashëgimisë së Danilo Kis
Miocinoviç dhe Kis u takuan në studimet e sapothemeluara për letërsinë botërore ku ata ishin gjenerata e parë. Kështu filloi dashuria e tyre që u shndërrua në një martesë që zgjati rreth dy dekada.
Në një video-ese kushtuar Mirjanës, shkrimtari Filip David theksoi se Daniloja i besonte asaj për të rishikuar dorëshkrimet e tij.
“Çdo dorëshkrim i tij kalonte në duart e saj dhe ai besim nuk u thye as pas divorcit të tyre, Mirjana mbeti e përkushtuar ndaj figurës dhe veprës së Danilo Kisit dhe meriton merita që ka bërë shumë edhe pas vdekjes së Danilos për të gjetur disa prej dorëshkrimeve të tij të harruara dhe për afirmimin e përgjithshëm të veprës letrare të Danilos”, shtoi Davidi.
Kisi vdiq në vitin 1989 dhe me testament i besoi Miocinoviçit kujdesin për trashëgiminë e tij letrare në territorin e Jugosllavisë. Që atëherë, Mirjana është kujdesur për punën e tij dhe lufton kundër abuzimeve të tyre politike.
Pas vdekjes së Kisit, Mirjana redaktoi të gjitha botimet e librave të tij, përfshirë tekstet që ishin të pabotuara gjatë jetës së shkrimtarit.
Falë përpjekjeve të saj, libri From Correspondence u botua në vitin 2022, i përbërë nga letrat e Danilos me miq dhe njerëz të ndryshëm të shquar, duke ofruar një pasqyrë më të afërt për jetën dhe veprën e tij.
Çifti u divorcua zyrtarisht në 1981.
Një vit më vonë, një tregim i shkurtër “Encyclopedia of the Dead (A Ëhole Life)” u botua në The Neë Yorker.
Emri i librit që përbëhet nga nëntë tregime, përfshirë të lartpërmendurin, është gjithashtu Encyclopedia of the Dead.
“Më kushtohet mua dhe flet për jetën e babait tim, i cili vdiq në fund të vitit 1979. … Kaq mund të them për një histori që shumë e konsiderojnë si një nga më të bukurat në historinë e letërsisë botërore”, tha Mirjana në të vetmen intervistë në të cilën foli për veten, në vitin 2007.
Në tregim, protagonistja është një eksperte teatri dhe përdoret informacioni biografik i babait të Mirjanës, Djura. Krahas titullit të veprës ka një dedikim “Për M”.
Ndaloi mësimdhënien në shenjë proteste kundër luftës
Në vitin 1991, Mirjana ndërpreu mësimet në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd në shenjë proteste kundër shkatërrimit të vendit. Në një letër drejtuar dekanit, ajo tha se në ato rrethana nuk mund dhe nuk donte të mbante mësime “në një fakultet që nuk gjeti mënyrën për t’i kundërshtuar të gjitha këto”. Më vonë ajo dha dorëheqjen.
E fundit që ndikoi ishte edhe vdekja e mikut të saj, poetit Milan Milisiç, gjatë bombardimeve të Ushtrisë Jugosllave të Dubrovnikut.
“Më mbetet vetëm t’i kërkoj ndjesë mikut tim”, tha ajo në 1991.
“Ajo besonte se ishte e pamoralshme, e papranueshme, të ndiqte profesionin e saj si profesoreshë ndërsa nacionalizmi, intoleranca dhe gjuha e urrejtjes po rriten në Serbi. Ai gjest i saj mbahet mend si një shprehje e një personi me shumë moral, një procedurë që meriton respekt dhe vlerësim, si një qëndrim i jashtëzakonshëm për admirim dhe respekt”, tha Davidi për BIRN.
Përfshirja e saj kundër luftës vazhdoi; ajo ishte e vetmja grua në mesin e themeluesve të një grupi intelektualësh që u mblodhën kundër luftës, të quajtur Rrethi i Beogradit.
“Miocinoviç ishte dhe mbetet një nga themeluesit dhe anëtarët e respektuar të Rrethit të Beogradit, një shoqatë intelektualësh të pavarur që kundërshtuan politikën luftarake të Sllobodan Millosheviçit, manipulimet dhe abuzimet që komprometuan politikën serbe dhe e kthyen Serbinë shumë vite pas”, kujton Davidi, i cili ishte edhe një nga themeluesit e kësaj shoqate.
Ajo shkroi dhe u shfaq publikisht në vitet 1990 duke dënuar rrethimin e Sarajevës, gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë, bombardimin e Dubrovnikut dhe spastrimin etnik në Kosovë.
“Ky aksident është kapital potencial për abuzime politike në të ardhmen” dhe “të qenit jashtë atyre koalicioneve, të qenit në margjinat e shoqërisë, është i vetmi pozicion moralisht i drejtë,” tha ajo në 1995.
Mirjana theksoi se ajo kujton trazirat në Kosovë dhe shtypjen e shqiptarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në fillim të viteve 1980. Në atë kohë nxënësit e saj etnikë shqiptarë po largoheshin nga Beogradi dhe në një klasë ajo i kërkoi falje për këtë Ulis Fehmiut, djalit të Bekim Fehmiut dhe Branka Petriçit.
Ajo kritikoi gjithashtu rolin e Kishës Ortodokse Serbe në kohë lufte.
“Të shtiresh si i shenjtë dhe të bësh gabime pa turp në lidhje me të vërtetën, është një çështje e pafalshme dhe klerikët tanë do të duhet të lajnë hesapet me Zotin në lidhje me të drejtën për të gënjyer”, tha ajo.
Mirjana deklaroi se paranoja që pushtoi njerëzit ishte vepër e “shërbëtorëve të Zotit” po aq sa edhe e Millosheviçit.
“Dhe si është në të vërtetë qytetërimi i krishterë, cilat janë vlerat e tij, kur mjetet e tij të ‘mbrojtjes’ janë kaq monstruoze dhe të frymëzuara nga motive të tilla të ulëta?” pyeti ajo.
Mirjana besonte se elita intelektuale ndihmoi në përkrahjen e nacionalizmit dhe kritikoi rolin e intelektualëve në kohë lufte, si Dobrica Cosiç dhe Matija Beckoviç.
“Në dekadën e fundit, ai institucion është forcuar nga një ekip i tërë fanatikësh kombëtarë nga radhët e poetëve”, tha ajo për Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve.
Kritikoi rolin e teatrit në luftë
Mirjana kritikoi edhe rolin e teatrit gjatë luftërave të viteve nëntëdhjetë.
“Teatri, duhet thënë menjëherë, ka ndjekur, i mbështetur, të gjitha fazat e ngritjes politike të Millosheviçit, duke luajtur në këto vitet e fundit një nga rolet më të turpshme në historinë e tij”, tha ajo.
“Politika bëri strategjinë ushtarake të luftës, ndërsa kultura nxiti ideologjinë e luftës”, ishte përfundimi i Mirjanës.
Në tekstin e saj ajo theksoi se ka pasur ndërprerje të komunikimit dhe izolim mes popujve në territorin e ish-Jugosllavisë. Mirjana shtoi se nga pikëpamja kulturore, kjo ishte një nga pasojat më fatkeqe të kësaj lufte.
“Prandaj, jo vetëm që po prishen lidhjet midis popujve, të bazuara mbi të gjitha në një gjuhë të përbashkët, por brenda një kombi po krijohet një hendek midis trashëgimisë së tij letrare dhe letërsisë ‘së re’, për të cilën po krijohen norma të reja gjuhësore”, ajo tha.
Ajo ishte gjithashtu një nga nënshkrueset e Deklaratës për një gjuhë të përbashkët, e cila pohoi se boshnjakët, serbët dhe malazezët flasin një gjuhë të përbashkët policentrike.
“Dhe në vend që të pasurohen nga potenciali sinonimik i gjuhës së përbashkët, secila prej këtyre gjuhëve bëhet e varfër dhe e deformuar ose arkaike”, tha ajo.
Mirjana paralajmëroi për një “mbretërim mediokriteti” në secilin prej këtyre mjediseve, duke shtuar se ky mbretërim mund të mbahet vetëm i izoluar.
Ajo e quajti nacionalizmin një ideologji retrograde dhe vuri në dukje se “një vepër e vlefshme arti nuk mund të krijohet nga ide retrograde”.
Një nga tekstet e saj përfundon me një citim të Kisit: “Kur të gjithë të lëkunden me zemrat e tyre të derrit, të fundit që do të shohin me sytë e njeriut dhe do të ndiejnë me një zemër njerëzore do të jenë ata që e njohin mirë përvojën e artit”.