Njëzet vite pas edicionit të parë, bienalja “Netët e muzikës klasike” që zhvillohet në Durrës do të ndërpritet.
Ky është festivali i parë i muzikës klasike në Shqipëri, por megjithse e përgatitën me kujdes edhe edicionin e këtij viti, drejtuesit e saj vendosën ta ndërpresin atë.
Shkak është bërë indiferenca e plotë e institucioneve lokale dhe qëndrore të kulturës, si dhe mungesa e financimit për veprimtarinë e njohur, e cila ka fituar vëmëndjen dhe simpatinë e publikut vendas dhe të huaj.
Krijuesi dhe drejtuesi i Bienales muzikore, Florian Vlashi tha për BIRN se “edicioni i programuar në javën e parë të muajit gusht të këtij viti i kushtohej detit dhe parashikonte koncerte në kishat e qytetit, në Amfiteatër, Vilën Mbretërore , në teatrin Aleksandër Moisiu, e deri tek ai i fundit në kuvertën e një anijeje, ndërsa vepra përmbyllëse do të luhej nën det”.
Mjaft i lidhur me Durrësin, qytetin e tij të lindjes, Florian Vlashi e zhvilloi koncertin e tij të parë të Bienales në vitin 2003, në një nga repartet gjysëm të shkatërruara të ish-Ndërmarrjes së Gomës, dhe publiku gjithnjë e më i shumtë në numër e ka ndjekur veprimtarinë muzikore me 10 edicione, e cila ka shënuar vazhdimisht nga një fill lidhës tematik si “Durrësi, 700 vjet muzikë”, “Spanja, një udhëtim në vendin e Servantesit”, “Muzika në diktaturë”, “Muzika & Vena, një harmoni e përkryer”, “Në kopshtet sekrete të Muzikës dhe Pikturës” etj.
Por megjithëse i dhimbshëm, vendimi për ta ndërprerë veprimtarinë që po kalonte dy dekadat e jetës duket i pakthyeshëm.
“Edhe në raste të tjera e kemi zhvilluar Bienalen më buxhet 0, por në këtë rast të fyen edhe mungesa e vëmendjes – tha instrumentisti “bir arti”, djali i regjisorit, përkthyesit e shkrimtarit Gjergj Vlashi.
Kontaktet me ministren e Kulturës dhe kryetaren e bashkisë së Durrësit kanë gjetur heshtjen e së parës dhe shtyrjen e përgjigjes zyrtare për vitin e ardhshëm.
Juria e granteve të Ministrisë së Kulturës nuk e ka parë të arsyeshme ta miratojë projektin e Bienales 2023, ndërsa Bashkia e Durrësit nuk i ka shqyrtuar ende projektet e paraqitura në fillim të vitit, si dhe nuk i ka çelur fondet përkatëse.
“Artistët e ftuar i programojnë koncertet e tyre shumë kohë më parë dhe tani më duhet ti kërkoj instrumentistëve anulimin e koncerteve të programuara për edicionin e këtij viti – shprehet Florian Vlashi, i cili nuk ka menduar asnjëherë se duhet të vendosë ndërprerjen e veprimtarisë 20-vjeçare.
Kolegët e violinistit durrsak, që punon në Spanjë që nga viti 1992 janë tepër kritikë me indiferencën e bashkisë dhe të ministrisë ndaj Bienales.
“Ajo çfarë po ndodh është pasojë e mediokritetit të njerëzve që drejtojnë kulturën – tha dirigjenti Petrika Afezolli, duke shtuar se mbështetja e aktiviteteve fatkeqësisht nuk bëhet mbi bazën e vlerave që ato sjellin”.
Koncepti i Bienales ndërtohet me disa veprimtari shumëplanëshe, të cilat zhvillohen në vende historike të qytetit antik.
“Kjo e bën shumë interesante ciklin e koncerteve që paraqiten.
Mbi të gjitha ajo ka sjellë për publikun autorë të shquar në shekuj të muzikës në Durrës si Jan Kukuzeli apo Gjergj Danush Lapacaja, pa folur për premierat botërore të veprave të autorëve tanë, duke përfshirë edhe ata që ishin programuar në këtë edición si Shaqir Kodra, Ed Buharaja dhe Gjelosh Gjevelekaj – shprehet dirigjenti Afezolli.
“Jo pak i rëndësishëm është konkursi i yjeve të rinj, ku paraqiten nxënës instrumentistë nga Durrësi – tha më tej Afezolli, sipas të cilit fituesit zhvillojnë disa koncerte në Spanjë, mysafirë në familjen e Florian dhe Redina Vlashit.
Floriani ka vendosur që ndërprerja e Bienales të mos përfshijë konkursin “Yjet e rinj”.
Instrumentistët e rinj durrsakë nuk duhet ta humbasin këtë mundësi, që tashmë ka krijuar një traditë simbolike për të gjithë nxënësit e shkollës artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës – shtoi Florian Vlashi.
Kompozitori Rauf Dhomi, anëtar i Akademive të Shkencës dhe Arteve në Prishtinë dhe Tiranë tha për BIRN se “ndërprerja e Bienales përbën një humbje të vijueshmërisë së interpretimit të muzikës serioze”.
Akademiku Dhomi, i cili ka ndjekur disa nga edicionet e Bienales së Durrësit shprehet i bindur se interpretimet në koncertet e veprimtarisë “Netët e Muzikës klasike” kanë arritur nivele mjaft të larta jo vetëm për vendin tonë, por edhe në shkallë europiane – vlerëson kompozitori i njohur, duke shtuar se “Bienalja e Florian Vlashit ka paraqitur me dinjitet edhe mjaft autorë dhe interpretë kosovarë të muzikës kamertale, vokale dhe instrumentale”.
Floriani Vlashi e quan muzikën “mision”.
Durrësi ka pasur fatin të dëgjojë për herë të parë në Shqipëri kryeveprat absolute të historisë së muzikës që nga Bach: “Arti i Fugës”, Stravinski: “Histoire du Soldat”, Messiaen: “Quatuor pour la Fin du Temps”, etj. dhe një listë mjaft të gjatë të autorëve shqiptarë shumë prej tyre përpara viteve ´45.
Ai nuk e fsheh krenarinë kur kujton se “kemi prezantuar në Shqipëri “Antifonarin” e durrsakut Gjergj Danush Lapacaja të vitit… 1532. Pra, një dokument muzikor 23 vite përpara “Mesharit”.
“E gjitha kjo, paraqitur në galeritë e Anfiteatrit me një interpretim të rrallë nga Kori i Prishtinës.
Megjithë mungesën e vëmendjes, koncertet tona i japim, jo vetëm në salla e muze, por edhe në spital, jetimore, azil apo burg. Ështe ndoshta mësimi më i mirë për femijët tanë – tha Vlashi..
Më shumë se sa mungesa thuajse e përherëshme e financimit, stafin e Bienales e ka demotivuar indiferenca e Ministrisë së Kulturës, si dhe ajo e bashkisë së qytetit.
Akademiku Rauf Dhomi nuk e fsheh keqardhjen për ndërprerjen e Bienales. Sipas tij, bashkë me muzikën e zgjedhur në koncerte dallohej edhe analiza e thellë publike që Florian Vlashi u bën autorëve dhe veprave muzikore.