Mbledhja e parë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak të Himarës u shënjua me detbate, pasi shumica në këshill refuzoi të lexonte vendimin e gjykatës që i jepte mandatin e kryebashkiakut Alfred Belerit.
Përkrahës të Belerit shfaqën pakënaqësinë që në fillim të mbledhjes në lidhje me pjesëmarrjen në mbledhje të administratës aktuale të bashkisë.
Por debati filloi pasi anëtarët kryen betimin dhe me shumicë votash zgjodhën kryetarin e ri të Këshillit, Dhimtër Kapaj i Partisë Socialiste. Kapaj mori 13 vota kundrejt 8 votave të kandidates tjetër të opozitës, Afrodita Dhimojani. Rezultati tregon se shumica në Këshillin Bashkiak të Himarës është fituar nga PS, edhe pse zgjedhjet për kryetar i fitoi kandidati i koalicionit opozitar, Alfred Beleri.
Pas konstituimit të Këshillit kjo shumicë refuzoi të lexojë vendimin e Gjykatës së Vlorës, që i jep Belerit mandatin si kryebashkiak. Shumica pretendoi se fakti që Beleri nuk ishte i pranishëm, pasi Gjykata e Posaçme nuk i dha leje për të dalë nga paraburgimi ku ndodhet i arrestuar me akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”, nuk lejonte nisjen e procedurës së betimit të tij për marrjen e mandatit.
Opozita kërkoi që vendimi i gjykatës të lexohej, duke arsyetuar se ky fakt nuk mund të ndryshohej në këshill.
Vetë Beleri kishte përgatitur nga burgu letrën me të cilën do të përshëndeste për Këshillin Bashkiak, në të cilën mohonte akuzat dhe shprehej se e drejta do të ndihmohet të dalë në dritë. E pranishme në seancën e konstituimit të Këshillit Bashkiak të Himarës, ambasadorja e Greqisë në Tiranë Kostandina Kamitsi, u shpreh se e sheh rastin e Belerit si cënim të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Ajo e cilësoi mungesën e Belerit për të kryer betimin cënim të “prezumimit të pafajësisë”.
“Mungesa sot, nga mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak Himarë, e kryetarit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Fredi Beleri përbën goditje të madhe në shtetin e së drejtës dhe parimin themelor të prezumimit të pafajësisë”, tha Kamitsi.
Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule paralajmëroi rezistencë.
“Zoti Beleri, një qytetar i nderuar, një biznesmen i suksesshëm, një politikan fitues në mënyrë absurde, pa fakt e provë për 2 muaj është nën pengmarrjen e zotit Rama se bëri gabimin fatal të fitojë në zgjedhje”, tha Dule.
Prokuroria e akuzon Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokoveshi se janë filmuar dhe përgjuar duke i ofruar një bashkëpunëtori të drejtësisë para në këmbim të votave.
Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan në minutat e para të 12 majit, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive.
Dhionisios Alfred Petro Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, që garoi për mandatin e tij të katërt. Megjithëse nën masë arrest me burg, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën.
Në mungesë të betimit të Alfred Belerit detyrën e kryebashkiakut e vijon Jorgo Goro, i cili rezultoi humbës më 14 maj.