June 29

Opozita kundërshton projektin e qeverisë për legalizimin e kanabisit

0  comments

Qeveria avancoi në fund të këtij muaji projektin për të legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, duke depozituar në Kuvend projektligjin për “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.

Projektligji parashikon kuadrin rregullator për kultivimin, prodhimin, përpunimin dhe eksportimin e kanabisit për arsye mjekësore dhe industriale, si dhe krijimin e një agjencie të posaçme për kontrollin e zbatimin e ligjit.

Në një vend ku prodhimi dhe trafikimi i paligjshëm i kësaj lënde narkotike është një problem madhor prej shumë vitesh, projekti i qeverisë u kundërshtua nga opozita.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha të enjten se projekti i qeverisë vjen në një moment kur shteti ka dështuar në kontrollin e territorit për kultivimin dhe tregtimin e drogës.

“Shqipëria vend kryesor në tranzitin e drogës sipas raportit të UN; rrugë tranziti dhe portë hyrëse që ka ndikuar në zinxhirët e furnizimit, cilësinë dhe ka ulur çmimet, duke ndikuar në rritjen e konsumit,” shkruan Tabaku në rrjetin Facebook.

“A është koha dhe momenti për të diskutuar legalizimin e kanabis kur qartësisht është dështuar në kontrollin e territorit?” pyet ajo në formë retorike duke shtuar se vendi ka prioritete të tjera.

Projekti i qeverisë “Rama” që u bazua në një pyetësor të organizuar nga vetë qeveria një vit më parë u kundërshtua dhe nga përfaqësues të tjerë të opozitës.

Flamur Noka, deputet i PD-së dhe ish-ministër i Brendshëm, e quajti nismën një “çmenduri” dhe një përpjekje për të legalizuar një “sektor kriminal”.

“Legalizimi i kanabisit është një eksperiment i dështuar në vende të tjera dhe duke ditur kapacitetet tona dhe korrupsionin e zinxhirit shtetëror, Edi Rama inauguron në Shqipëri Republikën e Kanabisit,” u shpreh më herët Noka në një deklaratë për mediat.

Edhe ish-presidenti, Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë ngriti alarmin se legalizimi i kanabisit tregonte kapjen e shtetit nga grupet kriminale në trafikimin e drogës dhe se përfitimi ekonomik për vendin ishte thjesht një “alibi”.

“Projektligji, është legalizimi de fakto i trafikut të drogës në Shqipëri sepse dihet botërisht që kanabisi mjekësor ka përdorim shumë të kufizuar dhe vetëm eksperimental dhe Shqipëria dihet që nuk ka kapacitete eksperimentale dhe përpunuese dhe vetë tregu botëror është shumë shumë i kufizuar”deklaroi Meta.

Projekligji parashikon që licensat do t’u jepen vetëm kompanive të huaja me përvojë me më shumë se 3 vite në këtë fushë dhe me kapital të shoqërisë mbi 100 milionë lekë. Lejet do të jepen për një afat 5-vjeçar me të drejtë rinovimi, për sipërfaqe jo më të vogël se 1 hektar.

 


Tags

Edi Rama, Flamur Noka, Ilir Meta, Jorida Tabaku, Keshilli i Ministrave, Kontrolli i territorit, Legalizimi i kanabisit, Trafiku i droges


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350