Prokurori i Prokurorisë së Durrësit, Ndriçim Troplini u përball të enjten më 6 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati rreth katër orë dha shpjegime për problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit. Ndërkohë, ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.
Procesi i rivlerësimit për prokurorin Troplini u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Ndriçim Troplini përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier. Prej vitit 2008, ai e ushtron detyrën në Prokurorinë e Durrësit.
Në seancën dëgjimore subjekti u paraqit me përfaqësuesen e tij ligjore, avokaten Antoneta Sevdari.
Problemet për pasurinë
Sipas KPK, subjekti ka rezultuar në pamundësi financiare për blerjen e një automjeti të llojit Benz në vitin 2005 kundrejt çmimit 800 mijë lekë. Po ashtu, nuk ka pasqyruar në deklaratën veting burimin e krijimit,
Këtë pasuri rezulton ta ketë shitur në vitin 2013 për shumën 450 mijë lekë, por kjo pasuri ka rezultuar e regjistruar në emër të tij deri në 2017-ën. Relatorja Sanxhaktari konstatoi se për Benzin nuk janë prerë policia prej vitit 2011 dhe duket se ka dalë jashtë përdorimit prej asaj kohe.
Ndërkohë, ka deklaruar para Komisionit se Benzin fillimisht e ka shkëmbyer me një automjet të llojit Audi të vitit 2006, që një i afërmi i tij e kishte blerë në Gjermani për 6000 euro, si dhe janë paguar detyrimet doganore. Ndërsa më pas i afërmi ka pretenduar probleme dhe e ka kthyer Benz-in tek subjekti, i cili ka arritur ta shesi pak kohë më vonë.
Sanxhaktari tha se duket se këto veprime janë fiktive dhe për rrjedhojë nuk janë konsideruar në analizën financiare të ardhurat nga shitja e makinës në 2012-ën, prej nga ka rezultuar pamundësi për blerjen e Audi-t në shumën rreth 900 mijë lekë.
Avokatja Sevdari dhe prokurori Troplini shpjeguan se Benzi ishte blerë në shumën 800 mijë lekë për shkak të gjendjes së tij të mirë, pasi pala shitëse kishte investuar në vite. Ata pretenduan se në vitin 2005 ishte shlyer shuma 500 mijë lekë, pasi makina ishte prodhim i vitit 1998 dhe subjekti druhej mos kishte ndonjë defekt. Sipas Troplinit, pasi e kishte përdorur disa kohë, në fillim të vitit 2006 kishte shlyer edhe shumën tjetër 300 mijë lekë.
Sevdari pranoi se subjekti kishte kryer pasaktësi me mosdeklarimin e kursimeve pasi ishte hera e parë që kryente deklarim, por sipas saj ai rezulton me të ardhura që krijojnë bilanc pozitiv në shumën 1 milion lekë, që tejkalon investimin e kryer në 2005-ën.
Trroplini këmbënguli në seancë se në vitin 2012 e kishte shkëmbyer makinën me kushëririn e tij, por pasi ai kishte konstatuar një defekt e kishte kthyer dhe i kishte paguar çmimin për Audin.
Ai pretendoi se në vitin 2011 mjeti duhej të kishte pasur patjetër policsë sigurimi, pasi ishte prerë dhe sigurim i gjelbër për të udhëtuar jashtë shtetit që kërkonte fillimisht sigurimin e mjetit. Lidhur me mosndryshimin e pronësisë, subjekti pohoi se kjo ishte detyrim i palës blerëse. Sipas tij, kur kishte mësuar në ILDKPKI për këtë problem, kishte gjetur blerësin, i cili i kishte shpjeguar se pak ditë pasi kishte marrë makinën kishte pësuar një aksident dhe se mjeti ishte bërë i papërdorshëm.
Troplini pretendoi se rezultonte me bilanc pozitiv për blerjen e automjetit tjetër në 2012-ën.
Në deklaratën “veting”, Troplini ka shënuar dy adresa banimi, që kanë rezultuar të jenë dy apartamente në pronësi të prindërve të tij. Apartamenti ku ka jetuar për periudhën 2003-2010 është përfituar nga privatizimi dhe nuk janë gjetur probleme për burimet e krijimit të kësaj pasurie.
Ndërkohë, shtëpia që ka deklaruar si adresa banimi nga viti 2010 e në vijim, ka rezultuar se përbëhet nga dy apartamente, një me sipërfaqe 56 m2 i blerë në emër të nënës për shumën 1 milionë e 650 mijë lekë dhe tjetri, shtesë me sipërfaqe 77 m2, blerë për çmimin 2.5 milionë lekë në 2012-ën.
Apartamenti me sipërfaqe 56 m2, ka rezultuar se është blerë nga pala shitëse në vitin 2005 për çmimin 1.8 milionë lekë, ndërsa shtesa rivlerësuar 5 milionë lekë, përpara kryerjes së transaksionit në 2012-ën.
Nisur nga të dhënat e faturimeve për shërbimet e nevojshme në apartamente, janë ngritur dyshimet se këto pasuri janë marrë në përdorim përpara se të bliheshin.
Sanxhaktari konstatoi se Troplini nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” dy apartamentet e blera në nëna si dhe ka rezultuar se janë përfituar për çmime më të ulëta nga ai i referencës.
Nga analiza financiare është konstatuar balancë negative në vlerën 1 milion e 718 mijë lekë për blerjen e apartamentit në vitin 2012. Bazuar në këto të dhëna, KPK ngre dyshime se këto dy banesa mund të jenë pasuri të prokurorit Ndriçim Troplini, të blera në emër të nënës së tij.
Në seancë u evidentua edhe mosdeklarimi i qëllimit të përdorimit të një kredi të marrë në vitin 2010, në vlerën rreth 940 mijë lekë. Në momentin që është disbursur, kjo shumë është tërhequr cash, ndërkohë që nuk është deklaruar si gjendje cash në fund të 2010-ës. Për rrjedhojë, ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 890 mijë lekë për shlyerjen parakohe të kredisë në fillim të vitit pasardhës.
Lidhur me mosdeklarimin e apartamenteve në pronësi të nënës, subjekti pretendoi se nuk kishte pasur qëllim për fshehje, pasi ishin deklaruar adresat. Ai e cilësoi si një pasaktësi formale.
Ai shpjegoi se apartamenti në vitin 2010 ishte blerë nga prindërit pasi ishte martuar motra dhe banesën e përfituar nga privatizimi ia kishin lënë asaj në përdorim. Sipas subjektit, prindërit e kanë blerë apartamentin me sipërfaqe 56 m2 që të ishin pranë vajzës së tyre, megjithëse gjendej në një pallat të amortizuar të viteve ’60. Kjo, sipas tij ishte dhe arsyeja e çmimit të dakordësuar.
Për shtesën 77 m2 shpjegoi se ishte ende e paregjistruar dhe ishin dakordësuar që të blihej në momentin e regjistrimit. Subjekti kundërshtoi konstatimin për përdorimin përpara blerjes, duke argumentuar se kishte sjellë dokumente që vërtetonin se kontratat ishin lidhur më vonë.
Lidhur me pamundësinë financiare, u kërkua që të konsiderohej një shumë 7500 euro, që pretendohet nga subjekti se i janë dhuruar nënës nga motra e saj që jeton në Itali. Po ashtu, u pretendua se KPK nuk ka përllogaritur mundësinë e kursimit të subjektit.
Bilanci negativ në 2012-ën u lidh edhe me pamundësinë financiare për shlyerjen e parakohshme të kredisë në 2011-ën, me burim po vlerën e marrë nga kredia.
Troplini shpjegoi se atëherë vuante nga hernia diskale dhe kishte shumë dhimbje e kishte menduar të kryente ndërhyrje kirurgjikale. Ai pohoi se kjo ishte arsyeja përse kishte marrë kredinë. Por, sipas subjektit, një mjek e kishte këshilluar që të priste dhe të mos e kryente ndëhyrjen, pasi mund të rikthehej e njëjta gjendje shëndetësore. Për këtë arsye kishte vendosur të shlyente kredinë me vlerën që e kishte mbajtur në shtëpi.
Avokatja Sevdari pohoi se në atë periudhë ajo ushtronte funksionin e prokurores në Durrës dhe se ka qenë në dijeni të gjendjes shëndetësore të troplinit, për të cilin tha se ka munguar për një kohë të gjatë në punë për këtë arsye.
Ata këmbëngulën se bilanci negativ kishte ardhur si pasojë e moskonsiderimit të dhurimit të tezes së subjektit dhe të vlerës së kredisë për shlyerjen e parakohshme të saj.
Nëna e subjektit ka investuar në një depozitë bankare në vitin 2015 shumën 1.9 milionë lekë që së bashku me interesat është tërhequr në 2019-ën. Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi në vlerën 1 milion e 191 mijë lekë për krijimin e kësaj depozite në 2015-ën.
Edhe për këtë barrë prove, subjekti pretendoi se bëhej fjalë për një depozitë të krijuar nga nëna për llogari të motrës së saj. Ai argumentoi se vlera e investuar në depozitë ishte e njëjtë me të ardhurat e motrës nga qiradhënia e pronave në Shqipëri, për të cilat tha se i kishte dokumentuar.
Sipas Sevdarit, subjekti rezulton vetëm në vitin 2005 me një bilanc negativ në shumën 145 mijë lekë si pasojë e pasaktësisë në deklarim, por sipas saj, kjo vlerë nuk mund të sjellë penalizim. “Mendoj se kemi përmbysur barrën e provës”, u shpreh ajo.
Profesionalizmi
Prokurorit Troplini i është kaluar barrë prove më së shumti për gjetjet në disa prej 28 denoncimeve të kryera nga publiku ndaj tij.
Lidhur me pretendimet e denoncuesit S.T. të ngritura ndaj një vendimi mosfillimi të subjektit, ky i fundit sqaroi se në kallëzimin e kryer kërkohej njohja si trashëgimtar ligjor i disa pronave. Sipas Troplinit, nuk është prokuroria që investohet në këtë drejtim, pasi janë çështje civile.
Shtetasi B.D. ka pretenduar zvarritje të hetimit të denoncimit të tij, si dhe korrupsion. Troplini ka vendosur mosfillim të çështjes që është lënë në fuqi dhe nga shkalla e parë e gjyqësorit pas ankimit të denoncuesit, por Apeli e ka ndryshuar duke urdhëruar regjistrimin e procedimit penal. Sanxhaktari vërejti se subjekti e ka shtyrë tetë herë hetimin për të pyetur një person dhe pasi ka kaluar një periudhë e gjatë kohe ka kërkuar dorëheqjen.
KPK konstaton ashtu si Apeli se, duket se Troplini ka gabuar pasi nuk mund të kryente veprime procedurale pa e regjistruar më parë çështjen.
Troplini u shpreh se gjendeshin para një ngërçi procedural e ligjor. “Çfarë veprimsh duhej të kryeja në kuadër të verifikimeve, a duhej të pranoja dokumentet e dorëzuara nga i kallëzuari? Vendimarja ime është në përputhje të plotë me ligjin procedural”, u shpreh Troplini dhe shtoi se kishte hequr dorë pasi kallëzuesi kishte kryer disa herë kërkesë për përjashtimin e tij.
Tjetër çështje për të cilën i janë kërkuar subjektit shpjegime ka të bëjë me një çështje, ku një prej të dyshuarve ka qenë një shtetas me të cilin ka udhëtuar jashtë shtetit. Sipas Sanxhaktarit, subjekti duhej të kishte hequr dorë nga kjo çështje.
Troplini shpjegoi se kallëzimi ishte kryer ndaj disa isnpektorëve të IMT-së, duke iu përmendur emrat, si dhe ndaj policisë bashkiake. Ai shpjegoi se veprimet e tyre kishin qenë në përputhje me ligjin lidhur me një ndërtim të paligjshëm dhe prandaj kishte vendosur mosfillimin e çështjes.
Për shtetasin A.H. me të cilin rezulton të ketë udhëtuar jashtë, subjekti shpjegoi se ai kishte qenë drjtuei i IMT-së, por nuk ishte përmendur në kallëzim. I pyetur nga Sanxhaktari nëse kishte hetuar lidhur me këtë person që provohej se kishte udhëtuar jashtë shtetit, Troplini sqaroi se nuk kishte hetuar asnjë çështje ku A.H. kishte qenë i regjistruar si person nën hetim. Ai pretendoi se në vendimarjes e mosfillimit nuk ishte në papajtueshmëri apo konflikt intresi, pasi A.H. nuk ishte person nën hetim që t’i duhej të hiqte dorë.
Nga shkrimet në medie, KPK ka konstatuar të dhëna se subjekti ka mbajtur pezull për tre vjet një çështje për vrasjen e Elvis Dedës në vitin 2012, të cilit më vonë iu ekzekutua edhe e ëma pasi denonconte në media personat që dyshonte se i kishin vrarë të birin.
Sanxhaktari evidentoi se vrasja e nënës ishte hetuar nga tjetër prokurore dhe ishin dërguar për pezullim të dyja në vitin 2015, në një kohë të afërt.
Sipas relatores, megjithëse ka pasur një emër të dyshuar si autor i kësaj ngjarje, nuk është regjistruar procedim penal ndaj tij.
Troplini i cilësoi të padrejta e të pavërteta shkrimet ndaj tij në portale lidhur me këtë çështje. Ai dha shpjegime të detajuara për këtë çështje duke pretenduar se kishte kryer hetime të plota e të gjithëanshme, por nuk kishte pasur prova ndaj të dyshuarit dhe prandaj nuk e kishte regjistruar emrin e si person nën hetim.
Në përfundim, prokurori Troplini u shpreh se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurn, si dhe kualifikues për profesionalizmin. Ai kërkoi konfirmimin në detyrë.
KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 12 korrik, në orën 09:45.