July 8

Rama dorëzon Çuçin pas dhunës së bandave ndaj qytetarëve në Fushë Krujë

Deputeti socialist Bledi Çuçi nuk do të jetë më ministër i Brendshëm, shkarkuar nga kryeministri Edi Rama, i cili nuk dha arsye për ndryshimin. Çuçi u shkarkua vetëm pak më shumë se 24 orë nga publikimi i një videoje që tronditi kombin me mesazhin që përçonte.

Çuçi do të zëvendësohet në këtë pozicion nga Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. “…uroj që ministri i ri i Brendshëm Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese,” deklaroi Rama, i cili erdhi në pushtet  fillimisht me premtimin se “do të bëjë shtet” por që tashmë mbart një seri skandalesh të lidhjeve mes politikës dhe krimit, në disa nga qarqet kryesore të vendit.

Deputeti i opozitës Gazmend Bardhi, i cili u përball me Ballën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 në qarkun e Elbasanit, kritikoi zgjedhjen e Ramës duke e cilësuar atë “kapitullim të shtetit.”

“Botërisht dihet që Ministrat e Brendshëm emërohen për të luftuar krimin e organizuar. Vetëm në Qeverinë e Edi Ramës ndodh që të emërohen për të forcuar dhe konsoliduar më tej lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisjes!”, deklaroi Bardhi pas emërimit të Ballës.

Një video e publikuar të premten shpalosi para qytetarëve në nivel kombëtar një nivel të paprecedent dhune të bandave kriminale si dhe riktheu pikëpyetjet mbi aftësinë e Policisë së Shtetit për të kryer funksionin e vet themelor, kontrollin e territorit.

Në video, anëtarë të familjes Rraja në Fushë-Krujë shfaqen duke rrahur me shkopa bejzbolli dhe duke kërcënuar me pistoletë dy qytetarë, për arsye se këta të fundit ishin ankuar në polici për dëmet që kishin pësuar në banesa nga shpërthimet në një gurore të shfrytëzuar nga kjo familje.

Të shtunën, ministri Çuçi dhe drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku njoftuan “riorganizimin tërësor” të komisariatit të Fushë Krujës, ndërsa ushtruesit kryesorë të dhunës janë në arrati dhe policia i bëri atyre thirrje publike që të dorëzohen.

Pak orë më vonë, Rrahman Rraja, deputeti socialist i zonës, deklaroi dorëheqjen dhe tërheqjen nga politika si dhe u kërkoi ndjesë viktimave të dhunës. Ai i bëri thirrje të birit, i cili shfaqet në video duke ushtruar dhunë, të dorëzohet.

Deputetët apo ish deputetët socialistë kanë një histori të gjatë dhune kriminale, nga e cila duket se shpëtojnë lehtë.

Në vitin 2015, deputeti Armando Prenga qëlloi mbi disa qytetarë me armë me synimin shfrytëzimin e një rezervati natyror peshku. Prokuroria e konsideroi ngjarjen “plagosje e lehtë me dashje” dhe ai shpëtoi me një periudhë të shkurtër burgosjeje. Ndonëse jo më deputet, edhe në zgjedhjet për pushtetin vendor të 14 majit, emri i tij u shfaq si aktivist socialist.

Ish-deputeti tjetër Arben Ndoka, një i dënuar për trafik qeniesh njerëzore, dërgoi dhunën banditeske në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë duke rrahur me grushte deputetin e opozitës Genc Strazimiri për shkak se ky i fundit zbuloi në parlament dënimin e tij për trafik qeniesh njerëzore në Itali. Dhunuesi tjetër, Pjerin Ndreu është aktualisht kryetari i Bashkisë Lezhë. Ndoka dhe Ndreu u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Lartë për dhunën.


Tags

Bledi Çuçi, Edi Rama, Rrahman Rraja, Taulant Balla


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350