June 16

Rama në takim me Orban kërkon lirimin e 3 oficerëve të policisë së Kosovës që mbahen në burg nga Serbia

0  comments

Kryeministri Edi Rama tha të premten se ishte angazhuar për kthimin sa më shpejt në shtëpi të tre oficerët e policisë së Kosovës që gjenden në paraburgim në Serbi.

Pavarësisht se fillimisht ai ishte treguar i rezervuar që të mbante një qëndrim për rastin deri në daljen e një versioni zyrtar të ngjarjes nga hetimi i KFOR-it, të premten tha se kishte punuar që në momentin e parë për lirimin e tyre.

“Së pari, është imediate nevoja, domosdoshmëria, urgjenca që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi”- tha ai i pyetur nga gazetarët për çështjen gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Hungarisë, Victor Orban.

“Ne jemi të fokusuar qysh nga momenti i parë për ta bërë këtë të mundur, po përdorim të gjithë kanalet e mundshme që kjo të ndodhë sa më parë”-shtoi Rama duke e cilësuar mbajtjen e tyre më gjatë nga pala serbe të pajustfikueshme.

Rama bëri të ditur se KFOR-i do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, por shtoi se, pavarësisht pretendimeve të palëve apo çfarë përmban ky raport, efektivët nuk kanë bërë asnjë krim.

Për konfliktin në Veri të Kosovës, Rama këmbënguli se zgjidhja vinte vetëm nëpërmjet diskutimit mes Kosovës e Serbisë dhe “planit të paqes” që mbështetet sipas tij nga Bashkimi Europian dhe SHBA-të.

“…Dokumenti i marrëveshjes është në tryezë dhe mundësia historike është në tryezë për të mbyllur një kapitull shumë të gjatë dhe të dhimbshëm dhe për të hapur një kapitull të ri dhe për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht, jo vetëm nga ata që e njohin sot, por nga të gjithë dhe edhe nga Serbia”- tha Rama.

Ai nuk preferoi ta përmendte me emër kryeministrin e Kosovës Albin Kurti edhe pse u pyet direkt për marrëdhënien me të.

“Unë jam 100% i fokusuar tek kjo zgjidhje”- u përgjigj Rama duke shtuar se “të tjerat, po e përsëris, mund të jenë pilula ekzaltimi për ata që e identifikojnë veten si patriotë në luftëra imagjinare, por nuk sjellin asgjë përveç zhgënjimit, boshllëkut, humbjes së kohës dhe, larg qoftë, dhe të mundësisë”.

Orban nuk mbajti një qëndrim mbi situatën në veri të Kosovës por komentoi shkurt se shpresonte që çështja e policëve të ishte zgjidhur deri javën tjetër, kur ai do të shkonte në Beograd për një takim bilateral.

Kryeministri hungares, vendi i të cilët merr presidencën e radhës në Bashkimin Europian, e cilësoi anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në union si të domosdoshme për të stopuar, siç tha ai, “rënien ekonomike të Evropës”.

Radio Europa e Lirë, REL, raportoi të premten se Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë – dha urdhër që tre oficerët  që mbahen në Serbi që prej 14 qershorit të qëndrojnë me masë sigurimi me burg. REL raportoi se autoritetet serbe, i akuzojnë ata për veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Serbia njoftoi se i kishte arrestuar 3 punonjësit e policisë së Kosovës, duke pretenduar se ata u kapën në territorin e saj. Por qeveria e Kosovës e cilësoi rastin rrëmbim. Sipas autoriteteve të Kosovës tre punonjësit e policisë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti paraqiti të enjten edhe foto të makinës se policisë rreth 1 kilometër larg kufirit dhe tha se kishte prova të shkeljes së tij nga autoritetet serbe.


Tags

Albin Kurti, Aleksandër Vuçiç, BE, Edi Rama, Kosova, Policia, Serbia, Viktor Orban


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350