Vetëm 15 minuta pas nisjes së testimit të gjuhë-letërsisë së Maturës Shtetërore mëngjesin e së mërkurës, teza e provimit u shfaq në profilin “Studentët denoncojnë” në rrjetet sociale.
Teza është postuar e paplotësuar, në variantin A dhe B.
Më parë, më datën 1 Qershor, në rrjetet sociale u publikua edhe teza e provimit të gjuhës Angleze, vetëm 30 minuta më pas nisjes së testit.
“Pavarësisht se këtë vit u vendosën masa strikte sigurie për moslejimin e aparatëve celularë, mesa duket kjo nuk i ka ndaluar maturantët të përdorin gjithsesi telefonat e tyre brenda sallave të provimit,” tha Gevio Tabaku, kryetar i Bordit Kombëtar Studentor.
Të martën, ministrja e Arsimit Evis Kushi, minimizoi pasojat e këtyre rrjedhjeve duke theksuar se ato nuk cënojnë procesin e vlerësimit dhe se bëhen me qëllim nga një grup i njëjtë që fshihen pas këtyre akteve.
“Maturantët të jenë të qetë sepse secili do të marrë notën që meriton”, u shpreh Kushi.