June 14

SPAK arreston 12 persona të përfshirë në pastrim parash dhe trafik bizhuterish të vjedhura 

0  comments

SPAK njoftoi të mërkurën ekzekutimin e 12 urdhër arresteve të personave të akuzuar si të përfshirë në kontrabandë, pastrim parash dhe fajde dhe mosdeklarim të parave në kufi, korrupsion dhe një sërë veprash të tjera penale.

Prokuroria tha se urdhër arrestet, në të cilat janë përfshirë edhe oficerë të policisë, kishin ardhur pas një hetimi të iniciuar në Francë dhe të hapur në Shqipëri në vitin 2022, për dy grupe. I pari i akuzuar për për vjedhje të sendeve me vlerë në Francë. Dhe i dyti i akuzuar për pastrim të parave e vepra të tjera penale në Shqipëri.

“Hetimet rreth këtij procedimi penal janë kryer në kuadër të Skuadrës së parë të Përbashkët Hetimore me Autoritetet Franceze të Drejtësisë”, njoftoi SPAK. Sipas prokurorisë në territorin francez  shtetas me origjinë shqiptare, dyshohet se vidhnin sende të ndryshme dhe pastronin të ardhurat që rridhnin nga to brenda territorit francez dhe më pas atij shqiptar.

“Në lidhje me grupin e parë, rezulton se personat nën hetim pas grumbullimit të sendeve të vjedhura në territorin francez dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale, pasi i depozitonin në një hotel, ua jepnin ato në dorëzim për t’i transportuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë personat e grupit të dytë kanë ushtruar veprimtarinë e tyre kriminale duke transportuar shuma monetare në sasi të madhe, dhe të padeklaruara nga Shqipëria-Francë.  Paratë më pas janë përdorur për blerje të sendeve të luksit, me një vlerë 724 mijë euro.

Ndërkohë sipas SPAK “shumat në cash të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme që kapin vlerën e 2.113.000 Euro”.  Ndërkohë është transportuar rreth 3.4 kg sende të çmuara floriri.  Prokuroria thotë se pasi silleshin në Shqipëri produktet shiteshin. Të arrestuar për përfshirjen në skemë janë punonjës policie në Portin e Durrësit, oficerë dhe punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, një biznesmen argjendar dhe persona të lidhur me ta.

Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurimi për 17 persona në hetim, nga këto 15 masa “arrest në burg”, një masë sigurimi “arrest në shtëpi” dhe 1 masë sigurimi “detyrim paraqitje”. Prokuroria njoftoi se deri të mërkurën ishin ekzekutuar 12 masa sigurie dhe ishin sekuestruar 1 pistoletë; 65.300 Euro; 9.900 USD kanadez; 60 ora dore të markave të shtrenjta; 9 laptopë; 7 I-Pad; 28 aparatë celularë; 33 copë bizhu. Po ashtu janë sekuestruar sasi të konsiderueshme syzesh dielli, veshjesh dhe parfumesh të markave të ndryshme luksoze. Operacioni është zhvilluar njëkohësisht edhe në Francë.


Tags

Euro, Flori, France, Gjykta e Posaçme, Korrupsion, Pastrim parash, Policia e Shtetit, Rolex, Shqipëri, SPAK


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350